OJQ-të: 20% e popullsisë në varfëri të skajshme. MPPS shpalos metodën e re për dalje nga varfëria

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 18, 2019 19:12

OJQ-të: 20% e popullsisë në varfëri të skajshme. MPPS shpalos metodën e re për dalje nga varfëria

Rreth 20% e popullsisë në vend jetojnë në varfëri të skajshme, tregojnë statistikat e organizatave qytetare të Maqedonisë së Veriut.

Nuk është e mjaftueshme të sigurohen vetëm të ardhura të garantuara minimale, por duhet të krijohen masa aktive për daljen nga varfëria, të hapen vende të reja pune, të sigurohen kushte për jetë normale, të kemi qasje të garantuar në shërbimet shëndetësore, strategji dhe garanci për të rinjtë që të mos e braktisin vendin e tyre, tha Zoran Bikovski – drejtuesi i OJQ-së “Kham Delçev”, në panelin e diskutimit për luftën kundër varfërisë.

“Mund të themi se jetë më të vështirë qytetarët kanë në pjesën lindore të vendit. Të dhënat tregojnë se ka një dyndje masive, arsyet nuk janë vetëm mungesa e informacionit që njerëzit të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore të mbrojtjes sociale, por mungesa e qasjes në mallra, shërbime shëndetësore, punë, ka mungesë investimesh të huaja në rajonin lindor, pasi asnjë fabrikë nuk është e hapur në rajonin e “Pijanec Maleshevo”, që do të ofrojë paga mbi 300 euro dhe kjo ndikon që të rinjtë të largohen dhe të jetojnë në varfëri ekstreme ata që kanë mbetur në këto rajone”,- deklaroi drejtuesi i OJQ-së “Kham Delçev”, Zoran Bikovski.

Nga MPPS-së prezantuan metodën e re profesionale të punës, e quajtur “Menaxhimi i Integruar i rasteve”. Sipas tyre, kjo metodë re, do të zbatohet në të gjitha qendrat e punës sociale për punën profesionale me përfituesit e të gjitha të drejtave monetare.

“Presim që kjo metodë të sjellë zvogëlimin e fragmentimit të mënyrës së përdorimit të shërbimeve sociale, qasje më të lehtë për përdoruesit e shërbimeve sociale deri te burimet e vetëqeverisjes lokale dhe kyçja e një sistemi të fortë të mbikëqyrjes profesionale”,- u shpreh përfaqësuesja e MPPS-së, Biljana Stramshak.

Në këtë panel diskutimi kundër varfërisë u shpalosën rekomandimet e grupeve të punës për uljen e varfërisë dhe zhvilluan një qasje ndërsektoriale për politika më të mira të popullatës, në veçanti të lidhura me përkujdesje sociale dhe shëndetësore.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 18, 2019 19:12