OPINION | Fatmire Isaki: Thirrni mendjes!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 15 Nëntor, 2021 14:54

OPINION | Fatmire Isaki: Thirrni mendjes!

Thirrni mendjes!

Shkruan: Fatmire Isaki, nënkryetare e PDSH-së

Për termin politikë ka definicione të ndryshme. Një definicion i pergjithshëm dhe i thjeshtë do të ishte se politika është fusha ku bëhet zgjidhja e problemve të shoqërisë duke sjellur vendime të duhura për atë shoqëri. Ajo krijon marrëdhënie mes njerëzve apo shoqërive për të sjellur vendime për të mirën për ta. Sipas sociologut gjerman Weber, politika ka konceptin e “synimit për pjesëmarrje në pushtet ose për ndikim në shpërndarjen e pushtetit qoftë nëpërmjet shteteve, qoftë brenda një shteti ndërmjet grupeve me pushtet të cilat i përfshin ai… kush bën politikë synon pushtet”.

Çdo grupim politik synon pushtetin, mirëpo çdo parti politike mban përgjegjesi për vendimet që merr në kurriz të popullit. Prandaj populli duhet të jetë i kujdesshëm se cilit politikan apo parti politike i jep pushtet. 

Politikanët shqiptarë dhe shqiptarët në përgjithësi, e në Maqedoninë e Veriut në veçanti, duhet të jenë vizionar dhe largpamës. Ata duhet të jenë properëndimor. Por, fatkeqësisht ditëve të fundit dhe për herë të parë jemi dëshmitar se disa parti të vogla shqiptare devijuan nga kjo rrugë dhe u rreshtuan përkrah forcave tejet të dyshimta. A thua vallë udhëheqësit e këtyrë partive janë të vetëdijshëm për vendimet që marrin apo ata thjesht mendojnë se si të vijnë në pushtet pa vrarë mendjen për pasojat.

Liderët duhet të gjejnë balancin në mes etikës politike dhe etikës së përgjegjësisë. Është e lehtë për politikanët  që gjatë fushatave elektorale të flasin për tema patriotike si gjuha, flamuri, identiteti, kultura e të tjera dhe të fitojnë pushtet. Por ama nuk është e lehtë që po ai elektorat të të sheh të ulur në një tavolinë me të Majtën fashiste që është kundër teje dhe populit tënd, që është kundër NATO-s – paqes, stabilitetit dhe sigurisë që sjell ajo, është kundër rrugës drejt Unionit Evropian dhe është kundër shtetit të Kosovës.

Eksitimi emocional momental për pushtet i këtyre partive të vogla mund të sjellë errësirë dhe vështirësi për të gjithë shoqërinë. Prandaj, njëherë e përgjithmonë duhet të kuptoni se aleatët tanë të vërtetë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Unioni Evropian. Thirrni mendjes para se të merrni vendime në kurriz të popullit.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 15 Nëntor, 2021 14:54