OPINION | Kadalë beg se ka hendek !

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 14 Nëntor, 2021 16:50

OPINION | Kadalë beg se ka hendek !

Kadalë beg se ka hendek !

(me shkas)

Shkruan Prof. Dr Nasir Selimi

Arsyeja e reagimit tim me anën e këtij shkrimi është qarkullimi nëpër portalet e ndryshme fotoja juaj ku në ballinë qëndronte slogani tani i njohur “Të fala nga Gostivari”.

Kjo ju bën që ju të dukeni sa triumfalista aq edhe provokatorë. Jam dakord se vërtetë ditë më parë ju provokuan rivalët e juaj politik me këto fjalë, por ju nuk duhej të provokohenit dhe të binit në grackën e tyre.

Në fakt që në fillim kur dëgjova sloganin “Të fala nga Gostivari” nuk isha dakord, sepse u përdorë pa të drejtë apo më mirë të them u keqpërdorë gjatë fushatës zgjedhore të fundit.

Nuk më pëlqeu edhe atëherë kur një lëvizje politike e jona mori emrin “Besa”. Jo pse nuk e kishin qëlluar emrin, por sepse kujtoja se ajo është një e mirë e përbashkët e popullit tonë, një thesar i çmuar i joni që nuk duhet të shfrytëzohet nga askush.

Kjo mbetet fjalë unike e gjuhës shqipe domethënien e së cilës nuk e gjeni në asnjë fjalor gjuhësor në botë. Askush dhe asnjëri individ apo grup njerëzish sa do që të ketë merita të mëdha nuk ka të drejtë të monopolizojë dhe përvetësojë atdhedashurinë, kulturën, simbolet kombëtare…

Vlerat kombëtare të trashëguara brez pas brezi të gjithë duhet t’i ruajmë , t’i kultivojmë me xhelozinë më të madhe dhe si të tilla t’i përcjellim gjeneratave të reja. Gjithmonë qofshi të gëzuar dhe zemra ju këndoftë, por ama shumëkush këtu në Gostivar ndjehet i prekur dhe i ofenduar nga fjalët që ju përcjellin në foto si ajo “të fala nga Gostivari”. Ju kështu zgërdhiheni dhe përgojoni një qytet të tërë dhe këtu gaboheni rëndë. Ka kohë dhe më tepër herë që ju me veprimet e juaja gaboni me Gostivarin dhe gostivarasit. Kjo është edhe arsyeja kryesore që ju si dje edhe sot nuk e qeverisni këtë qytet. Keni pasur raste në të kaluarën kur e keni udhëhequr, por nuk jeni dëshmuar të zotët dhe të aftë sa duhet, dhe thjeshtë nuk keni merituar më shumë. Nuk thonë kotë se e mira e demokracisë është ajo se populli di të vlerësojë më së miri: ajo të shpërblen për punët e mira, ajo poashtu të dënon për punët jo të mira.

Në Gostivar nuk vihet vetëm atëherë për ju duhen “kokrat”. Nuk mund të përvetësoni votuesin gostivaras vetëm me mitingjet pompoze dhe masovike. Këtë nuk mund t’ia hidhni askujt dhe aq më tepër jo gostivarasve.Është e natyrshme dhe normale që mbas përfundimit të zgjedhjeve secila parti politike të bëje analizat nga më të ndryshmet. Veçanërisht kjo bëhet për vendet zgjedhore ku humben zgjedhjet. Qëllimi është të identifikohen mangësitë, shkaqet dhe gabimet e dështimit.

Si parti serioze që jeni ma merr mendja se e keni bërë edhe ju këtë ! Apo Jo? Ju kurrë nuk reflektuat pozitivisht për këtë. A e keni pyetur veten pse humbni në Gostivar? Kush është “sulltani”, “fodulli”, “baba” dhe të tjerët që ju përfaqësojnë në Gostivar? Juve thjeshtë nuk ju han palla për Gostivarin dhe gostivarasit. Këtu e njëzet vjet gostivarasit i shikoni si numra, vetëm nga prizma e votuesve.

Gostivarin qytetin e dikurshëm me gjitha të mirat e shndërruat në një kasaba që i ngjason më tepër një fshati të madh se sa një qyteti. Juve nuk ju ka interesuar jeta e qytetarit të rëndomtë, hallet dhe shqetësimet nga më të ndryshmet që i kanë ra mbi krye njerëzve. Varfëria dhe skamja është ulur këmbëkryq gati se në të gjitha shtëpitë e vendit, papunësia ka kohë që ka marrë përmasat e frikshme. Ekonomia gostivarase mezi gjallëron dhe gati sa nuk është dorëzuar tërësisht.

Tymtarët e oxhaqeve të ndërmarrjeve të dikurshme ka kohë që janë ndalur, ajri i ndotur vazhdon t’i helmojë banorët pa mëshirshëm.

Në Gostivar shumë pak prodhohen mallra, ndërsa tregtia që dikur ishte krenaria e saj, gati se nuk mund të vërehet. Vendin e këtyre e kanë zënë kazinot e shumta, bixhozet dhe lojërat tjera të fatit. Kjo atmosferë e zymtë ndjehet lehtë nga gjithsecili për çdo ditë në lagjet dhe rrugët e qytetit. Nëpër rrugë shihen gjithnjë e më pak njerëz, ato pothuajse janë të zbrazëta. Pa zhurmë sikur t’i ketë kapluar një hije e keqe dhe e rëndë. Ajo që bie në sy janë autobusët të mbushur me të rinj të cilët ia mësynë rrugëve të botës. Destinacioni i tyre i fundit nuk dihet se a është Viena, Minheni, Frankfurti apo një dreq i mallkuar. Metropoleve të botës lehtë mund ta takoni gostivarasin që vendi i vet e harroji, nuk mundi t’i siguronte një vend pune, një jetë më të mirë. Humbën besimin dhe shpresën se në vendin e tyre do të mund të realizojnë ëndrrat e tyre rinore.

Ardhmëria e tyre u vra në mënyrën më mizore dhe jo për fajin e tyre. Pak a shumë kjo është gjendja ku është katandisur Gostivari. Dhe për këtë gjendje fajin dhe përgjegjësinë më të madhe e keni ju. Në ju u besua shumë. Premtimet qenë mjaftë optimiste dhe inkurajuese. Por, ju thjeshtë injoruat votuesin, formuat një kastë me njerëz të pazot, të pa aftë, të papërgjegjshëm dhe verbërisht të dëgjueshëm. Ju e mbivlerësuat veten dhe kujtuat se historia e këtij vendi lindi me ju dhe me ju do të mbarojë. Edhe ato pak punësime që i bëtë, e bëtë për ato me tesqere të partisë. A mban llogari dikush për sjelljen dhe profesionalizmin e këtyre njerëzve qoftë në vendin e punës ose në jetën e tyre të përditshme ?!

Më dhimbsen ish studentë e mi kur dëgjoj se akoma janë pa punë. Sidomos për ato që ishin studentë të shkëlqyeshëm dhe shembullor dhe që tinës, pa u vërejtur fare një ditë ikin dhe shkuan në vendet e huaja. Jo, zotërinjë, gostivarasit nuk meritojnë të përgojohen, përbuzen dhe të ironizohet në këtë nivel sa të jenë objekt për tu tallur nga ju. Banorët e saj megjithatë kanë për shumëçka të kujtohen dhe të mburren. Po ju përmendi vetëm disa prej tyre nga koha më e re e këtij vendi, nga koha e tranzicionit dhe funksionimi i Maqedonisë si shtet sovran dhe i pavarur. Në zgjedhjet e para parlamentare nga gjashtë deputetë të mundshëm që kishte kjo njësi zgjedhore, arriti të fitojë të gjithë .

Që të gjashtët ishin të PPD-së së dikurshme. Nga 45 këshilltarët e mundshëm në qeverisjen vendore 39 u zgjodhën poashtu nga PPD-ja (të gjithë shqiptare dhe shqiptarë). Konstituimi dhe funksionimi i Kuvendit Komunal ishte i vështirë dhe i mundishëm. Ishte një sfidë e madhe të cilën më së miri e dinë dhe e përjetuan këshilltarët e atëhershëm gostivaras të dalë nga zgjedhjet e para demokratike në vend.

Në Gostivar u themelua dhe funksionoi Këshilli për Autonomi të shqiptarëve të Maqedonisë, Këshilli për liri dhe të drejta të njeriut, në KK të Gostivarit u mbajtën mbledhje të rëndësishme për funksionimin e Universitetit të Tetovës (komunat tjera fatkeqësisht nuk mundën të sigurojnë hapësira), gostivarasit nuk rreshtën kurrë së protestuari për liri, barazi dhe të drejta nacionale ( ju kujtohet ngjarjet e Gostivarit të ’97-ës ku qindra e mijëra Gostivar e pësuan si asnjëherë më parë). Në Gostivar pothuajse nuk mbeti asnjë shtëpi pa mos i hapur dyert për t’i strehuar qindra e mijëra nevojtarë dhe refugjatë kosovarë.

Edhe në 2001 kur ishte më se e nevojshme, gostivarasit nuk kursyen dhe ia falën bijtë dhe bijat më të mirë lirisë, i mbushën rradhët e luftëtarëve. Secili sipas mundësive dhe mënyrave të veta u angazhua për këtë kauzë kombëtare. Janë pak këto që i thoni- ndoshta do të kishit thënë. Sigurisht se nuk janë shumë, sepse veprat e mira për vendin tënd kurrë nuk janë të mjaftueshme. (parafrazim i Isë Boletinit: Po të kisha edhe shtatë jetëra, të gjitha për Shqipninë i kisha dhënë). Jua përkujtova këto veprime, sepse jam thellë i bindur se këto janë shumë pak që kemi bërë, sepse këto dhe shumë të tjera i kemi obligim dhe detyrë. Ngjashëm apo ndoshta edhe më shumë bënë tetovarët, kumanovarët, kërçovarët, dibranët, struganët…

Thonë se heshtja është flori, por jo gjithmonë. Andaj e them publikisht fotoja që e pashë sot duke u zgërdhirë dhe tallur me fjalët “T’fala nga Gostivari” më preku dhe më zhgënjeu si veprim i pa matur dhe jo i mirë. Jam shumë dakord se ka pasur veprime jo të qëlluara dhe provokuese nga ana e një koalicioni që vepron në Gostivar, por megjithatë jo të gjithë atëherë dhe tani janë pajtuar me të tillët.

Ato dhe bashkëmendimtarët e tyre duhet të dinë një herë e përgjithmonë se për të udhëhequr një komunë, një vend duhet të fitojnë besimin e votuesve. Nuk ekziston vend në botë me demokraci parlamentare që udhëhiqet nga ato që nuk gëzojnë besimin nga populli. Ato sillen si fitues, madje festojnë edhe atëherë kur humbin ! Çdo marifet tjetër, sa do që i zgjuar të jetë, nuk jua jep të drejtën të udhëhiqni me popullin.

Veprimet e tjera që ndërmerrni në kundërshtim me rezultatet zgjedhore janë të shëmtuara dhe nuk ju bëjnë nderë juve si parti dhe neve si popull.Sharjet, ofendimet baltosjet që i bëni njëri tjetrit nuk na çojnë askund dhe nuk janë në favorin tonë.

Ndasitë na dobësojnë të gjithëve. Konkurrenca e mirëfilltë na forcon dhe trimëron. Veprimet e matura dhe të qëlluara e gjithë spektrit politik shpien drejt ardhmërisë sonë për një jetë më të mirë dhe më të begatë si edhe perspektivë të vendit. p.s. vetëm për hire të atyre 10.000 votave që keni fituar në Gostivar nuk është dashur të përgojoni dhe ofendoni gostivarasit. Rivalët tuaj politik e kanë pikërisht këtë defekt, andaj kurrë nuk kanë fituar zgjedhjet parlamentare.

Me dashamirësi do të thoja proverbin popullor : “Kadalë beg, se ka hendek”. Kësaj herë e kërcyet hendekun, por mos harroni se “kungulli gjithmonë nuk shkon mbi ujë”.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 14 Nëntor, 2021 16:50