OPINION | Peizazhi i zymtë i integrimeve

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Nëntor, 2021 10:42

OPINION | Peizazhi i zymtë i integrimeve

BE gjatë tërë kohës ka investuar në Ballkani Perëndimor dhe shifrat e këtyre investimeve janë miliarda euro. Edhe nga samiti i Bërdos janë paralajmëruar miliarda euro investime, por analistë të vëmendshëm europianë kanë theksuar se kjo ndihmë nuk do të mjaftojë që rajoni të dalë nga mjerimi ekonomik, ndërkohë që vënë në dukje se strategjia e deritanishme e BE-së për përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor përmes integrimit ekonomik rajonal dhe zgjidhjes së konflikteve politike, nuk ka dhënë sukses.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Duken si dilemë e përjetshme nëse Ballkani Perëndimor do të mund të integrohet në Bashkimin Europian. Duket një procesi i vështirë dhe me shumë sfida përpara, nganjëhërë edhe me shumë të panjohura, të cilat në ekucionin e pritjeve të vendeve të Ballkanit shfaqen si zhgënjime të pafundme për vendet që aspirojnë të jenë pjesë e familjes së madhe europiane. Vetë peizazhi i anëtarësimit të vendeve të rajonit duket i zbehtë, i komplikuar, por që njëherësh varet edhe nga mekanizmat e komplikuar mbi të cilët është ngritur Bashkimi Europian si ide, si vizion dhe si realitet që përmbushë standarde tepër të larta në funksionimin e jetës institucionale, shoqërore dhe gjithë dimensioneve tjera që e bëjnë atë një bashkësi pluralitetesh dhe pikëpamjesh nganjehërë të kundërta të shteteve anëtare.

Fillimet e demokracisë në vendet e rajonit kanë mbrujtur brenda vetes ëndrrën e madhe europiane. Çdo nismë në në këto tre dekadat e fundit në sfond ka pasur pikërisht këtë ëndërr, këtë angazhim për të qenë sa më shpejtë pjesë e Bashkimit Europian, për të qenë pjesë e një bote të konsoliduar demokratike, e një bote progresive që njeh dinjitetin e secilit popull, por që njeh edhe vlerat dhe veçantitë në gjithë fushëpamjen e shumëllojshmërisë mbi të cilën ngrihet vizioni europian.

Rajoni dhe nismat europiane

Pikërisht, në këtë drejtim, për ta konkretizuar këtë ëndërr në realitetet politike, ekonomike dhe kulturore, BE kishte promovuar Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit, si një fazë që do t’i paraprinte zgjerimit të Bashkimit Europian edhe me vendet e Ballkanit.

Siç dihet tashmë, një paradigmë tjetër e tillë ishte vendosur edhe me Procesin e Berlinit të inicuar nga kancelarja në largim Angela Merkel. Pikërisht, ideja e këtij procesi transformues dhe shpresëdhënës duket se i dha rajonit impulsin e transformimit dhe shpresës se mund të bëhen pjesë e BE-së përmes një procesi dhe angazhimi permanent të BE-së në promovimin dhe zbatimin e politikave europiane në rajon pavarësisht një tranzicioni të dhimbshëm që zgjati më tepër se tri dekada.

Por, pasiguritë për Ballkanin Perëndimor mbeten tipike, ndërkohë që me largimin e promovueses së këtij procesi duket se vihet në pikëpyetje edhe vetë kjo paradigmë gjithëpërfshirëse dhe shpresëdhënëse, e cila mbetet një trashëgimi e kancelares Merkel.

Bashkimi Europian që nga themelimi ka performuar politikën e saj përmes samiteve si një formë e kristalizimit dhe dimensionimit të politikave të saja, të cilat më pas janë etabluar si traktate në gjithë ngritjen e bazamentit institucional të asaj që në sot e njohim si vlerë europiane. Në

politikën moderne, samitet marrin kuptimin e mundësisë për dialog, për shkëmbim pikëpamjesh, për reflektim ndaj një situatë të caktuar, por edhe për ndonjë marrëveshje që mund të dalë në horizont. Zakonisht, samitet nuk sjellin vendime të prera, por kahëzojnë një qasje, një politikë, një vizion.

Dhe, nga samiti në samit duket se BE po tregohet më e ngurtë dhe më kërkuese për vendet e Ballkanit Perëndimor. Mengenet e Europës shkojnë përtej aspiratave të deklaruara të lidershpit ballkanik. Europa kërkon rezultate të prekshme ndryshimesh sistemore institucionale që prodhojnë stabilitet, normalitet demokratik dhe efektivitet në zbatimin e ligjeve që mbajnë parashenjën e rekomandimeve europiane. Kushdo që ka menduar se lehtësisht do të kalohet në hapësirën europiane pa përbrendësim të këtyre principeve bazë që ndërlidhen me vizionin fillimtar të Europës, gabimisht dhe pa asnjë sens e ka perceptuar procesin e zgjerimit, sidomos pas pranimit të shpejtë të Bullgarisë dhe Rumanisë, që në analizat mbi procesin e zgjerimit është vlerësuar si ngutje.

Pikërisht për të shmangur këtë keqkuptim nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të shihet gjitha trajektorja evolutive e angazhimit të BE-së në Europën Juglindore tashmë të reduktuar dhe të fokusuar në emërtimin Ballkan Perëndimor. Përkundër angazhimeve paraprake në vitet e pas ‘90-ve, procesi i përafrimit ka njohur nisma dhe dokumente që kanë ravijëzuar procesin e zgjerimit me shtete tjera anëtare.

MOMENTUMET E TRAJEKTORES INTEGRUESE

Autorja Kasey Pamela Golding në studimin e saj “ Çështja e Ballkanit-përfitimet dhe sfidat e integrimit europian nëpërmjet zgjerimit” ndalet në disa nga momentet kruciale të trajektores së angazhimeve europiane në Ballkanin Perëndimor. Në studimin e saj pasqyrohet gjithë koncepti i trajektores së angazhimeve të BE-së ndaj rajonit, por edhe gjithë evoluta e krijimit të Bashkimit Europian në rrafshin konceptual dhe institucional. Sipas saj, në vitin 2000, Bashkimi Europian hartoi një politikë gjithëpërfshirëse të re qasjeje për rajonin e Ballkanit i njohur si Procesi i Stabilizim Asocimit. Golding e sheh këtë moment si një proces që vazhdoi të vendosë një strategji menaxhimi për të promovuar stabilizimin e rajonit, duke lënë jashtë premtimet për shtetet anëtare të ardhshme për anëtarësim,

Një tjetër moment tepër i rëndësishëm për vendete e Ballkanit Perëndimor autorja e sheh mbajtjen e samitit të Selanikut, në qershor të vitit 2013, në të cilin BE ritheksoi angazhimin e saj të asociimit. Sipas saj, BE deklaroi se e ardhmja e Ballkanit do të jetë në BE, dhe gjithashtu deklaroi se vendet kandidate të ardhshme të rajonit për anëtarësim duhet të afirmojnë plotësisht angazhimin e tyre duke përparuar në rrugën e reformës. Në këtë samit gjithashtu u afirmua edhe ideja e partneritetit, por edhe krijimi i standardeve të qarta për të vlerësuar progresin dhe vendosja e një baze për politika të cilat kushtëzohen në rritjen e ndihmës financiare dhe perspektivës për pranim në BE.

Golding vë në dukje se përkundër faktit se BE pohoi këtë angazhim të ri për Ballkanin Perëndimor, megjithatë, ndërkohë u përball me një sërë sfidash institucionale, duke përfshirë krizën financiare të vitit 2008, që solli largimin e Britanisë nga BE, ngritjen e partive nacionaliste në vendet anëtare të BE-së, dhe

dhe krizën e vazhdueshme me refugjatët. Sipas autores, ky moment i ka detyruar zyrtarët e BE të rivlerësojnë qëllimet e tyre në të ardhmen. Në vitin 2014 Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker njoftoi një ndalesë pesëvjeçare zgjerimi.

Sipas Golding, ky distancim i perspektivave të anëtarësimit detyruan kancelaren gjermane Angela Merkel të krijojë “Procesin e Berlinit” si përpjekje për të shpëtuar marrëdhëniet e BE-së me rajonin e Ballkanit dhe për të mbajtur shpresën e anëtarësimit të gjallë. Ky proces, që përfshinë samite të përçdovitshme ku marrin pjesë përfaqësues më të lartë të qeverive të shteteve të Ballkanit dhe BE-së synon të riafirmojnë perspektivën e rajonit në BE, duke përmirësuar bashkëpunimin dhe stabilitetin ekonomik brenda tij.

Në fakt kjo është trajektorja e angazhimeve konkrete të BE-së ndaj rajonit që tashmë po konkretizohet në një vizion të përbashkët që dita-ditës fiton përmasa të reja afirmimi, por që pengohet shpeshherë nga politikat dhe qeverisjet e papërgjegjshme të vendeve të Ballkanit. Sigurisht, Ballkani nuk do të ishte specifik nëse nuk do të jetonte në këtë oksimoron të përhershëm dëshirash dhe destruktivitetesh që mbeten tipike për të.

Procesi i zgjerimit dhe “zgjidhjet kreative”

Pikërisht, mungesa e këtij vullneti, por edhe skepticizmi për zgjerim i disa vendeve anëtare të BE-së duket se krijon në tablo të mjegulluar të perspektivës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Samiti i Bërdos i shpërfaq edhe njëherë këto paqartësi, këtë ngurrim që po zgjatet si një dëshpërim për vendet e rajonit.

Tashmë bëhet e ditur se BE mungesën e vullnetit politik për zgjerim dëshiron ta kompensojë me para. Në një shkrim të DW, bëhet e ditur se nëntë miliardë euro do të jepen si grante për Ballkanin Perëndimor gjatë viteve të ardhshme. Ndërsa 30 miliardë euro si investime. Qëllimi është që të zbatohen projektet urgjente të infrastrukturës, të zgjerohen rrugët dhe lidhjet hekurudhore, të modernizohet telekomunikacioni dhe të përmirësohet kujdesi shëndetësor. BE dëshiron të përfshihet edhe në luftën kundër virusit Corona dhe të shpërndajë vaksina.

BE gjatë tërë kohës ka investuar në Ballkani Perëndimor dhe shifrat e këtyre investimeve janë miliarda euro. Edhe këto paralajmërime për investime tregojnë se BE nuk heq dorë nga rajoni, përkundër turbulencave dhe mospajtimeve të brendshme që ka për procesin e zgjerimit. Por, analistë të vëmendshëm europianë kanë theksuar se kjo ndihmë nuk do të mjaftojë që rajoni të dalë nga mjerimi ekonomik, ndërkohë që vënë në dukje se strategjia e deritanishme e BE-së për përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor përmes integrimit ekonomik rajonal dhe zgjidhjes së konflikteve politike, nuk ka dhënë sukses.

Tashmë mbetet e qartë se vendeve të Ballkanit Perëndimor iu nevojitet një mbështetje e fortë dhe një impuls shpresëdhënës politik për të qëndruar në vizionin e përbashkët për integrim në BE dhe për të mos shkalluar në ndikime tjera që mbeten të pranishme gjatë tërë kohës në rajon përmes formave të ndryshme. Investimet milardëshe të paralajmëruara

qartë për një impenjim serioz të BE-së ndaj rajonit, por vetëm kjo duket e pamjaftueshme në kohën kur nuk ka një formulim politik të dakordësuar që do ta kthente padurimin e vendeve të rajonit në një shpresë vendimtare dhe reflektuese ndaj të gjitha reformave që kërkohen për anëtarësim në BE.

Edhe raportet e Komisionit Europian të publikuara për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për vitin paraprak me formulime të ekuilibruara dhe specifike për secilin vend ritheksojnë pikërisht përmbushjen e standardeve të cilat kërkohen për anëtarësim, sidomos në kriteret politike, në fushën e transparencës, në luftën kundër korrupsionit dhe të drejtave e lirive të njeriut.

Për një Ballkan të vonuar urgjencat dhe padurimet mund të jenë të papërballueshme. Këto formulime që vijnë si “ detyra shtëpie” dhe që nënkuptojnë një rrugë shumë më të gjatë se vetëm hapja e negociatave mund të krijojnë një lloj zhgënjimi dhe Europa të duket kaq e largët. S’do mend duhet durim dhe angazhim korrekt për të inkorporuar gjithë sistemin e vlerave që nënkupton Bashkimi Europian, sepse Europa nuk është vetëm retorikë.

Dhe, pas gjithë kësaj situate të komplikuar, në këtë shesh kundërthënës dhe nganjëherë paradoksal mendësish, forume të ndryshme që krijojnë politikat dhe strategjitë europiane, shpërfaqin qasje këmbëngulëse për Ballkanin Perëndimor.

Procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor duhet t’i jepen zgjidhje të reja kreative, me theks në përmbushjen e kritereve në fushën e sundimit të ligjit, është theksuar në një debat publik “A po e humb BE-ja Ballkanin Perëndimor, ose anasjelltas?”, organizuar në kuadër të rrjetit “WB2EU”. Me gjasë do të nevojiten zgjidhje kreative, ndërkohë që ka një ngërç në raportin Ballkan Perëndimor-BE, por edhe ngërçe në raportet mes vetë vendeve të rajonit.

Për më tepër mund të thuhet që rajoni mbetet në fokusin e BE-së, me impenjime të forta financiare, por pa një vizion politik që mbetet i domosdoshëm për të konkretizuar procesin e zgjerimit. Vonesat krijojnë zhgënjime të vendet e rajonit, ndërkohë që aktorë tjerë gjithmonë shfaqen të gatshëm të shtrijnë ndikimin e tyre me forma të ndryshme joshjesh.

Teksti fillimisht është publikuar në Revistën Shenja 

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Nëntor, 2021 10:42