OPINION | Zgjedhjet në BDI dhe ASH: A po demokratizohen partitë shqiptare?

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Qershor, 2022 21:37

OPINION | Zgjedhjet në BDI dhe ASH: A po demokratizohen partitë shqiptare?

Shkruan: Puhiza Osmani 

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët kanë mbajtur zgjedhjet për kryetarë dege, kryetarë të këshillave vendor dhe anëtarë të kryesisë së degëve. Analistët politik u shprehën se proceset zgjedhore të kandidatëve janë një tipar i rëndësishëm i jetës së partive politike. Ata theksuan se këto kuadro të strukturave udhëheqëse në të dyja partitë janë një hap drejt demokratizimit, por paraqiten dilema nëse kjo është vetëm një akt formal pa një demokraci të vërtetë të brendëshme.

Në sistemin tonë politik demokratik, sot personalitetet kanë marrë rëndësi po aq sa ideologjitë dhe manifestimet, ku përzgjedhja e kandidatëve, është bërë një pjesë thelbësore e jetës sonë demokratike. Metodat e përzgjedhjes së kandidatëve nuk janë aspak një menu nga e cila mund të zgjidhet thjesht, por një proces i pafund në të cilin çdo zgjedhje duhet të analizohet në mënyrë racionale me qëllim që të korrigjohen mangësitë dhe të konsolidohen sukseset.

Analisti politik Ismet Ramadani, u shpreh se proceset zgjedhore të kandidatëve janë një tipar i rëndësishëm i jetës së partive politike. Evoluimi i strukturave partiake është një proces afatgjatë dhe për këtë arsye varet jo vetëm nga rezultati i një zgjedhjeje të vetme, por duhet të konsiderohet edhe si një kulm i përvojave elektorale të mbledhura në cikle të shumta votimi.

“Unë mendoj se duheshte përvetësuar kjo mënyrë e kuadrove të strukturave udhëheqëse në të dyja partit, pra në Aleancën për Shqiptarët dhe në Bashkimin Demokratik për Integrim, sepse është një demokratizim i partisë. Ç’është me rëndësi mund të vijnë në shprehje kuadro më cilësore dhe të cilat meritojnë të mbartin funksione partiake por njëkohësisht gëzojnë edhe autoritet të pakontestueshëm për mjediset ku jetojnë dhe veprojnë. Mendoj se mirë është që po udhëhiqet një politikë zgjedhore e cila më tutje u jep legjitimitet më të madh strukturave partiake, dhe me këtë edhe vetë partitë politike legjitimohen para antarësisë. Dhe kjo është një shans i mirë që të legjitimohen gjithnjë e më tepër, edhe para votuesve neser, eventualisht kur të mbahen zgjedhjet qofshin këto zgjedhjet lokale apo parlamentare”, tha Ramadani.

Analisti politik Rizvan Sulejmani u shpreh se partitë politike duhet të shmangin kurthin e fokusimit vetëm në zgjedhjet e ardhshme dhe të bazojnë zgjedhjet e tyre për të ndërtuar proceset e tyre zgjedhore të kandidatëve për një afat të gjatë. Ai gjithashtu theksoi se këto zgjedhje nuk ofrojnë një zgjidhje përfundimtare për zgjedhjen e kandidatëve, por hapin mundësinë për debate më të gjera politike.

“Po, mendoj se është një hap përpara demokratizimit të brendëshëm të partive politike, por pyetja është nëse kjo është vetëm një akt formal pa një demokraci të vërtetë të brendëshme, ku do të marrin pjesë më tepër kandidatë ku do t’i provojnë programet e tyre, kur do të prezantohen para anëtarëve të partisë ku në fund bëhet zgjedhje. Tani është bërë pak më tepër transparente që procedura e zgjedhjeve të brendëshme të partive të njërit prej atyre që ka hyrë brenda, të kenë shansën të dalin para mediumeve të provojnë aftësinë e tyre dhe vizionin e tyre, programet e tyre, rreth partisë, gjegjësishtë ideologjisë partiake që ata prezantojnë. Por sido që të jetë është një përpjekje e parë ndoshta për t’u realizuar pastaj një demokraci e brendëshme brenda partive politike, efektet e së cilës do të presim që t’i shohim. Ajo nëse vërtetë bëhet në atë princip të tyre, mundësia që brenda partisë të ketë më tepër debate nga kryetarët e degëve që kanë legjitimitet të drejtpërdrejtë të anëtarësisë, që është shumë më e madhe sepse do të kenë mbështetjen e anëtarësive. Për të qenë të mbrendëshëm një luftë për ide dhe mundësi do të jetë shumë më përmbajtësore sepse nuk do të mvaret në mënyrë të drejtpërdrejtë prej organeve qëndrore të partisë apo prej kryetarit të partisë por do të jetë shumë i interesuar që të ketë përkrahje në bazë”, tha Sulejmani.

Sistemi i zgjedhjeve të hapura brenda partive e ka origjinën në SHBA dhe që nga fillimi i viteve 2000 është përhapur në shumë pjesë të Evropës, si në Itali dhe Francë, dhe në vende të tjera. Sistemi i hapur, objektiv kryesor ka zgjerimin e grupit të votuesve dhe duhet të sigurojnë që kandidatët të mund të fillojnë me një bazë më të madhe mbështetjeje përpara se të përballen me elektoratin në tërësi.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Qershor, 2022 21:37