Opozita akuzon kryeministrin dhe ministrin e jashtëm për fshehje të propozimit francez

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 22 Qershor, 2022 20:03

Opozita akuzon kryeministrin dhe ministrin e jashtëm për fshehje të propozimit francez

As protokolli bullgaro-maqedonas dhe as propozimi francez nuk janë shpalosur në Kuvend, pretendon kryetari i Komisionit për politikë të jashtme në Kuvend, Antonio Milloshoski. Sipas tij, dy dokumentet i posedojnë kryeministri dhe ministri i jashtëm, por i mbajnë të fshehur nga deputetët dhe opinioni.

“Deri tani, kryeministri Kovaçevski dhe ministri i jashtëm, Osmani nuk i kanë dorëzuar në Kuvend as Protokollin bullgaro-maqedonas dhe as propozimin francez mbi kornizën negociuese edhe pse kemi informacione të besueshme që të dy i posedojnë këto dokumente dhe kanë marrë pjesë në përpilimin e tyre bashkërisht me qeverinë bullgare. Kjo jo transparencë e Qeverisë ndaj Kuvendit bie në kundërshtim me parimin e llogaridhënies”, u shpreh Antonio Milloshoski, Kryetar i Komisionit për politikë të jashtme, Kuvend.

Kryetarja e partisë Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë, Maja Moraçanin, pjesë e shumicës parlamentare thotë se propozimi francez për subjektin e saj është i papranueshëm dhe si i tillë duhet hidhet poshtë. Në një intervistë për Nova TV, Moraçanin thotë se propozimi i ofruar nuk mundëson zgjidhje të kontestit.

“Konsideroj se ajo është një zgjidhje e papranueshme e cila nuk ofron mundësi që pas 17 viteve shtet me statusin kandidat t’i fillojmë edhe negociatat me BE-në. Mbetem në qëndrimin se çështjet e hapura me bullgarinë duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale dhe jo ato çështje të bëhen pengesë e jona për integrim”, tha Maja Moraçanin, Kryetare e RDM-së.

Presidenti Stevo Pendarovski gjatë debatit “24 analiza” theksoi se historia nuk guxon të jetë kusht për euro integrime, duke shtuar se në dy vitet e fundit Maqedonia e Veriut është nënçmuar nga Bullgaria më shumë se asnjëherë më parë. I pari i shtetit vlerëson se kryeministri Kovaçevski nuk duhet të merr pjesë në samitin e Brukselit.

“Këshilla ime ishte që nëse kështu vazhdojnë gjërat dhe bullgarët shtojnë edhe 5 kërkesa të reja, çfarë do të bësh në Bruksel. Të fotografohesh? Nuk më pëlqen as ajo që bëhet në koordinim me Ballkanin e hapur sepse kjo është organizatë rajonale me komponentë ekonomike. Ne duhet të sjellim vendimin tonë autonom. Çfarë do të bën kryeministri ynë në Bruksel në samitin e BE-Ballkani i hapur ku i gjithë rajoni përparon përveç neve”, deklaroi Stevo Pendarovski, President.

Ditë më parë propozimin francez e hodhi poshtë edhe VMRO-ja, lideri i së cilës Micksoki tha se nuk do t’i mbështeste ndryshimet kushtetuese, të kërkuara nga Bullgaria./Alsat.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 22 Qershor, 2022 20:03