Osmani, Cakaj dhe Meliza Haradinaj-Stublla me urim të përbashkët për ditën e pavarësisë
Tre ministrat e jashtëm shqiptarë, Bujar Osmani i Maqedonisë së Veriut, Gent Cakaj i Shqipërisë dhe Meliza Haradinaj – Stublla e Kosovës në ditën e pavarësisë së Shqipërisë kanë realizuar një takim virtual online me të cilën uruan të gjithë shqiptarët për festën e 28 nëntorit.
Urimi i tyre erdhi në kuadër të një takimi virtual në ditën e shënuar të festës kombëtare të shqiptarëve.
“Në ditën e shënuar të festës kombëtare të shqiptarëve dhe 108-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ky takim virtual është simbol i forcimit të rolit të vendeve dhe popullit tonë në rajon. U diskutua për thellim të marrëdhënieve dhe projekteve të përbashkëta midis të tre shteteve, si pararojë e vërtetë e integrimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.
Të tre Kryediplomatët u dakordësuan për të vazhduar iniciativën trepalëshe me takimin së shpejti në Prishtinë, për të lartësuar interesat e përbashkëta të shteteve e popujve tanë dhe rikonfirmuar vlerat e përkatësinë tonë Euro-Atlantike./21Media