Osmani: Në Samitin e Zagrebit do të theksohet perspektiva evropiane e rajonit

Desk
By Desk May 6, 2020 19:37

Osmani: Në Samitin e Zagrebit do të theksohet perspektiva evropiane e rajonit

Megjithëse çështja e zgjerimit nuk është në rend dite në Samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor në Zagreb, ku dominoi pandemia me virusin Korona, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, thotë se në Samit do të theksohet edhe perspektiva evropiane e rajonit.

Në rrethana kur vendimi për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është sjellë, kjo dëshmon përkrahjen pa rezervë të BE-së për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, tha Osmani për TVM2.

“Fakti që BE arriti konsensus për fillimin e bisedimeve me RMV-në, në kohë të pandemisë, në kohë kur ata numëronin të vdekurit, tregon se Bashkimi Europian di të funksionojë edhe në kohë të krizës dhe në kohëra të vështira, e kjo është një shenjë më tepër se çështja e zgjerimit është kuptuar seriozisht në BE, veçanërisht sa i takon Ballkanit Perëndimor. Unë mendoj se me këtë vendim tani gjithçka është e qartë, se perspektiva e Ballkanit Perëndimor tani që katër vende nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor po negociojnë, por edhe Samiti i sotshëm i Zagrebit është edhe një përkushtim dhe simbolikisht një mesazh se perspektiva pa alternativë e këtij rajoni është si pjesë e familjes europiane. Pasi morëm vendimin për fillimin e bisedimeve, Këshilli i BE-së, që përfaqëson qeveritë e vendeve anëtare, i dha mandate komisionit, si strukturë mbishtetërore, që të përgatisë kornizën negociuese, e cila është dokumenti më i rëndësishëm që përcakton kriteret se si ne bëhemi anëtar i BE-së. Kriteret i përcaktojnë vendet anëtare. Në këtë kornizë negociuese, secili vend vendos pozicionet e veta. P. sh. Bullgaria sigurisht Marrëveshjen me Bullgarinë do ta vendosë në kornizën negociuese, Greqia do ta vendosë Marrëveshjen e Prespës, një vend tjetër, p. sh. Kroacia, ndonjë çështje të tyre, Franca ose Holanda mund të vendosin p. sh. çështjen e gjyqësorit, anti-korrupsionit etj. Dhe kështu përcaktohet korniza. Kur kjo kornizë definohet dhe aprovohet nga të gjitha vendet, ky është dokumenti mbi të cilin ju negocioni dhe nesër bëheni anëtar i BE-së. Ky dokument po përgatitet tani, prandaj është shumë e rëndësishme, që ne tani të jemi, edhe pse nuk varet nga ne, pasi ata vendosin se si do të duket ky dokument, mirëpo ne mund të lobojmë e të flasim me vendet anëtare që kjo kornizë të jetë sa më korrekte ndaj nesh. Ne nuk kërkojmë kushte lehtësuese, por kërkojmë të mos na vendosen pengesa të pakapërcyeshme të cilat më pas mund të na bëhen problem serioz. Ky dokument do të publikohet më 3 qershor, e më pas ju shpërndahet vendeve anëtare si draft për të vendosur këto pozicione. Në momentin kur do arrihet ky konsensus, menjëherë mbahet mbledhja e parë ndërqeveritare. Në mbledhjen e parë ndërqeveritare, delegacioni i RMV-së , shef i të cilit jam unë, do prezantojë në Bruksel para përfaqësuesve të 27 vendeve, këtu japim deklaratat fillestare dhe në atë moment fillon hapja e negociatave në mënyrë operative“, deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani, në një intervistë ekskluzive për TVM2.

Desk
By Desk May 6, 2020 19:37