Pa shqiptarët, nuk ka Evropë të bashkuar!

Pa shqiptarët, nuk ka Evropë të bashkuar!

Njohësit e zhvillimeve politike në vend dhe rajon janë të mendimit se qëndrimi i Francës karshi politikave të zgjerimit të BE-së është i paqartë. Përderisa njëra palë vlerëson se ky qëndrim është pro-shqiptar, të tjerët vlerësojnë se presidenti Makron në Samitin e fundit në Bruksel shprehu qëndrimin e Francës kundër zgjerimit të Unionit

Destan JONUZI

Shkup, 21 tetor – Njohësit e zhvillimeve politike në vend dhe rajon, vlerësojnë se refuzimi dhe qëndrimi i rreptë i Francës për mos dhënies së datës për çeljen e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian (BE), nuk duhet të jetë dëshpërues për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sipas tyre, në qëndrimin dhe deklaratën e presidenti francez, Emanuel Makron ka diçka fantastike për shqiptarët. “Përkundër qëndrimit dëshpërues të Francës, megjithatë ka diçka fantastike nga zoti Makron për ne shqiptarët. E parafrazuar, ai thotë ‘Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut bashkë në BE’, pra shqiptarët bashkë në BE. Pra nëse shqiptarët nuk bashkohen në BE, ku atëherë…. qëndrim fantastik pro-shqiptar i Francës po edhe i Italisë. Disa shtete tjera të BE-së, kryesisht sllave, tentuan me çdo kusht që duke ndarë Shqipërinë dhe Maqedoninë, ti ndajnë edhe një herë shqiptarët copa-copa, një copë në BE, copa tjetër me dreqin e mallkuar, e copa tjetër në rr.s… Në BE veç me Shqipërinë bashkë, siç thotë Makron dhe Italia e këtu s’ka kompromis, e për tjerët mos të mërzitemi shumë se ka kush kujdeset… pra një faleminderit deri në përulësi për Francën dhe Italinë për këtë çështje”, ka qenë ky vlerësimi dhe opinioni i parë pro-Francës, i botuesit të gazetës KOHA, Arben Ratkoceri, pikërisht në momentet e shpalljes së vendimit se nuk ka datë për fillimin e negociatave me BE-në për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Nga ana tjetër, ndryshe nga Ratkoceri, mendon gazetari dhe analisti Nazim Rashidi, i cili vlerëson se Makron për herë të parë në Samitin e Brukselit ka artikuluar idenë e ndërprerjes së zgjerimit. “Makron për herë të parë ka artikuluar idenë e ndërprerjes së zgjerimit. Në fjalimin e tij, ai nuk flet fare për zgjerim, por partneritet me vendet e Ballkanit Perëndimor. Pra Macron shpalos idenë e ndërprerjes së zgjerimit dhe më keq ende – i përshkruan shqiptarët si problematik. Para se të bëhen deklarata të tilla duhet një herë të lexohen mirë dhe nga fillimi deri në fund i deklaratave. Kurse kryeministri italian, i cili nuk ishte i vetmi, nuk pranoi ndarjen e Maqedonisë dhe Shqipërisë për ndarjen e datës, por çështja është edhe sikur të kishte konsensus dhe të ndahej një vend, Franca prapë nuk do lejonte, sepse është kundër zgjerimit. Pra kundër të cilit do vendi. A do të ishte mirë gjithë shqiptarët të futen bashkë në BE? Patjetër po! Por kjo s’është çështja fare. S’duhet të ketë iluzione se nga vendime që sjellin rastësisht një sentiment bashkimi, veprimi të jete me idenë se është pro shqiptar”, deklaroi për KOHA, Rashidi. Ai thekson se, çështja është se Evropa po ndryshon qëndrime, dhe se këto sipas tij, mund të sjellin situata që mund të shkojnë në favor, për të cilat ja frikë se s’do jetë rastësi. “Në samitin e fundit asgjë s’bëhej për interes të shqiptarëve”, vlerëson Rashidi.

Ndërkaq, për njohësin e zhvillimeve ndërkombëtare, Afrim Gjonbalaj, Samiti i fundit i Brukselit dhe qëndrimi i Francës, nxori në shesh sëmundjen me të cilën lëngon BE-ja, e që sipas tij, quhet “vendimi absolut”. “Gjermania si motor i ekonomisë ka influencë në shtetet e vogla. BE lëngon nga një sëmundje patologjike e quajtur vendimi absolut. Me zgjerimin e BE-së, ka sugjerime që vetoja të hiqet. Shumë e drejtë. BE- ishte jashtë funksionit me veton angleze gjatë periudhës së ‘lopës së çmendur’. Franca, Makroni po e shohin momentumin që kjo praktikë të hiqet, me kushtëzimin e anëtarëve të rinj. Sa është e drejtë, është debat. Plus ideja për dy grupe shtetesh anëtare, të pasur, dhe ne zhvillim, është në tavolinë. Anëtarësimi i valës së fundit të shteteve si Rumania, Polonia, zhvatja e fondeve të BE-së, ka rezultuar në pakënaqësi të shteteve të pasura, një debat tjetër, që mbetet i hapur”, thekson Gjonbalaj.

Përndryshe, nga Samitit i Brukselit, politikat e zgjerimit të BE-së mbetën në një gjendje konfuze, ndërsa liderët evropian kësaj çështje do ti kthehen edhe njëherë në maj të vitit 2020. “Këshilli Evropian do t’i kthehet çështjes së zgjerimit përpara samitit te Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj të vitit 2020”, thotë deklarata e përbashkët e liderëve të BE-së. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 21, 2019 17:43

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA