Paaftësia institucionale na lë pa para europiane

Desk
By Desk March 5, 2020 19:31

Paaftësia institucionale na lë pa para europiane

Sipas organizatave joqeveritare, Maqedonia e Veriut që nga viti 2007 ka shfrytëzuar më pak se një të tretën e shumës të planifikuara për shfrytëzim nga programi IPA. Ekspertët deklarojnë se deri më tani institucionet shtetërore nuk kanë pasur aftësi dhe sukses në shfrytëzimin e fondeve të BE-së.

Shkup, 5 mars – Që nga viti 2007 kur Maqedonia e Veriut si nënshkruese e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim me BE-në, ka fituar të drejtën për të shfrytëzuar fondet e programit IPA të BE-së. Gjatë kësaj periudhe mjetet financiare të Brukselit të dedikuara për projekte nuk janë shfrytëzuar mjaftueshëm nga institucionet e Maqedonisë së Veriut. Këto fonde nga BE-ja jepen për qëllim të bashkëpunimit ndërkufitar, rritjes së kapaciteteve demokratike të shtetit, efikasitetin e institucioneve, zhvillimin rural, por në fokus është edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit, këto fonde jepen kryesisht për vendet të cilat aspirojnë të anëtarësohen në BE. Për periudhën 2007-2013 BE-ja për Maqedoninë e Veriut, në kuadër të IPA fondeve, kishin ndarë 614 milionë euro por që fatkeqësisht ishin shfrytëzuar vetëm 34 për qind prej tyre. Kohë më parë komisioni Europian për periudhën 2014-2020 pati shkurtuar për 27 milionë euro mjetet nga IPA fondet të dedikuara për Maqedoninë e Veriut.

Sipas organizatave joqeveritare, Maqedonia e Veriut që nga viti 2007 ka shfrytëzuar më pak se një të tretën e shumës së planifikuar nga programi IPA. Ekspertët deklarojnë se deri më tani Maqedonia e Veriut nuk ka pasur aftësi dhe sukses në shfrytëzimin e fondeve të BE-së. Sipas tyre, faji nuk duhet të kërkohet te Bashkimi Europian, sepse kriteret për të fituar projekte nga fondet IPA janë të qarta. Nëse nuk plotësohen kushtet dhe kualifikimet e kërkuara nuk mund të shpresohet në mbështetje financiare të BE-së. Berat Limani nga Qendra për Integrim dhe Zhvillim, për gazetën KOHA, është shprehur se të punësuarit që janë në institucione shtetërore nuk kanë aftësi të shkruajnë projekte për të marrë mjete nga Fondet IPA.

“Në shumicën e rasteve komunat varen nga konsultantët që i marrin nga jashtë dhe shpesh herë mungon bashkëpunimi mes tyre dhe për këtë qëllim krijohet një situatë e pa pëlqyeshme. Arsyeja se pse komunat marrin mbështetje nga jashtë është sepse shumica e të punësuarve kanë mungesë të njohjes së gjuhës angleze dhe kanë nivel të ulët profesional”, është shprehur Limani.

Sipas tij, në dy vitet e fundit është përmirësuar situata sepse tani komunat janë më të informuara për IPA fondet dhe nuk e kemi situatën e njëjtë si para disa viteve ku mungonte edhe informimi për mundësit të cilat i ofrojnë IPA fondet si dhe për pasojë shumë mjete ktheheshin mbrapa. Ai në fund shton se indikacioni tjetër i cili ndikon në mosmiratimin e IPA fondeve është kualiteti i dobët i projekteve të cilat i dërgojnë komunat. Më së shumti fonde nga programi IPA, Maqedonia ka arritur të shfrytëzoj në pjesën që ka të bëjë me përforcimin e kapaciteteve për realizimin e reformave, ndërkohë që ngec shumë sa i përket thithjes së fondeve evropiane nga programet që kanë të bëjnë në lëmin e bujqësisë. (koha.mk)

Desk
By Desk March 5, 2020 19:31