Pacientët me leukemi mieloide kronike: Mungesa e barnave po na rrezikon jetën

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 22 Shtator, 2022 20:10

Pacientët me leukemi mieloide kronike: Mungesa e barnave po na rrezikon jetën

Pacientët me leukemi kronike mieloide janë vazhdimisht nën stres nëse do ta vazhdojnë apo jo terapinë, ankohen nga Shoqata e Pacientëve me probleme hematologjike.

Pacientët që janë të diagnostikuar me këtë sëmundje prej më shumë se një muaji nuk e kanë terapinë e duhur dhe po trajtohen me gjeneratat e reja të barnave që i mbajnë në jetë. Ata madje thonë se për të mos u shqetësuar më tepër nuk shkojnë për kontrolle në Klinikën e Hematologjisë.

“Çdo ditë duhet ta marr ilaçin, sepse nëse e ndërpres terapinë ndjehem shumë i lodhur dhe më bën të fle më shumë.”,- tha pacienti, Zoran Ristovski.

Mungesa e barnave të caktuara që nuk janë në listën pozitive, vazhdon prej katër deri në pesë vite, thonë nga Shoqata e Pacientëve me Probleme Hematologjike.

“Për pacientët që vuajnë nga leukemia mieloide kronike mungesa e barnave është diçka e tmerrshme. Ata më mirë të kenë mungesë të bukës dhe ujit sesa të barnave. Pacientët shqetësohen dhe traumatizohen shumë në këto raste.”,- u shpreh Pepo Levi nga Shoqata e Pacientëve me Probleme Hematologjike.

Sali: RMV treg i vogël, kompanitë kanë pak interes

Tenderët kanë përfunduar, por meqenëse Maqedonia e Veriut është treg i vogël, brendet e mëdha farmaceutike nuk i kanë përfaqësitë në vend, afati i dorëzimit po zgjatet, thonë autoritetet shëndetësore.

“Unë si njeri i parë në Ministri mund të përgjigjem cila është procedura në bazë të së cilës ne mundohemi dhe punojmë të sigurojmë në vazhdimësi terapi për secilin pacient. Megjithatë prapë institucionet janë ata që janë në kontakt dhe komunikim me pacientët dhe i dinë numrat më saktë sesa Ministria.”,- theksoi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Pothuajse 30 shoqata të pacientëve thonë se pacientët janë në pritje, ndërsa për shkak të rregulloreve ligjore, nuk kanë terapi në kohë, që i vë në një situatë kërcënuese për jetën.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 22 Shtator, 2022 20:10