Pacolli e Haradinaj nisin lobimin në AP të OKB-së

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 24 Shtator, 2018 19:34

Pacolli e Haradinaj nisin lobimin në AP të OKB-së

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë nisur lobimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke e takuar kryeministrin e Samoa, me qëllimin e thellimit të marrëdhënieve të Kosovës me shtetet e Paqësorit.

“Qëllimi ynë kryesor është anëtarësimi në organizata ndërkombëtare për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në vend, rajon dhe botë. Kosova është e lumtur që të ketë miq rreth botës”, shkruan Pacolli në Facebook.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në krye të delegacionit të Kosovës, është nisur javën e kaluar për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë vizitës pesëditore në Nju Jork, presidenti Thaçi do të zhvillojë takime të shumta bilaterale me krerë të shteteve dhe udhëheqës të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi gjithashtu do të marrë pjesë edhe në takimin e krerëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me nikoqire Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politkë të Sigurisë, Federica Mogherini.

Në delegacionin e Kosovës është edhe zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 24 Shtator, 2018 19:34