Pagat sipas produktiviteti të punës

Pagat sipas produktiviteti të punës

Rritja e pagave që nuk përcillet nga shtimi i produktivitetit mund të dëmtojë konkurrencën e ekonomisë së shtetit, andaj politikbërësit në Maqedoninë e Veriut duhet ti kushtojnë një vëmendje më të madhe pengimit të korrupsionit si dhe klimës më të mirë të biznesit etj.

Rritja e pagave në Maqedoninë e Veriut nevojitet të shkojë në mënyrë paralele së bashku me rritjen e produktivitetit të ekonomisë dhe punëtorëve. Në të kundërtën rrezikohet edhe konkurrenca nacionale e ekonomisë së vendit apo aftësia që kompanitë dhe ekonomia në përgjithësi të jenë në gjendje më fuqishëm të garojnë me shtetet e tjera dhe të jenë më të mira se ato, si dhe të jenë më inovative dhe më kreative nga shtetet e tjera konkurruese në rajon dhe botë në krijimin e vlerës së shtuar. Nga ky institucion financiar thonë se shtetet e rajonit kanë sfida të mëdha lidhur me produktivitetin që përkufizon nivelin e të ardhurave , ndërsa rajoni ka problem edhe prodhimtarinë reale që është nën nivelin e asaj që mund të arrihet. Njëherësh parashikohet se edhe në vitin e ardhshëm do të vazhdojë të rriten pagat dhe punësimi.

“Rritja e pagave që nuk përcillet nga shtimi i produktivitetit mund të dëmtojë konkurrencën e ekonomisë së shtetit andaj politikbërësit në Maqedoninë e Veriut duhet ti kushtojnë një vëmendje më të madhe kapaciteteve të institucioneve që të ofrojnë shërbime më të mira për bizneset dhe qytetarët, pengimit të korrupsionit , klimës më të mirë të biznesit, uljes së pjesëmarrjes së shtetit në ekonomie etj”, thotë Bojan Shimbov nga Banka Botërore. Sipas tij, nevojitet edhe përmirësimi i sistemit arsimor me qëllim që të ofrojë kuadro që do të mund të kyçen më lehtë në ekonominë vendore dhe do ti përgjigjen nevojave të saja .

Shimbov shtoi më tej se ndër rreziqet për rritjen ekonomike që sivjet parashikohet të jetë 3.1 për qind do jenë në radhë të parë luftërat tregtare SHBA-Kinë dhe SHBA- Evropë për shkak se ndërlidhen me industrinë automobilistike dhe eksportin e madh të shtetit që varet nga kjo industri. Nga ana tjetër theksohet se shteti duhet të bëjë më shumë kujdes me strukturën e të papunëve.

“ Në shtet përkundër ulje historike në papunësisë në 17.5 për qind, megjithatë mbetet shqetësuese përqindja e lartë prej 47 për qind e popullatës së aftë për punë që nuk është e punësuar si dhe numri i lartë të të rinjve që janë të papunë ”, thotë Sanja Maxhareviq Shujster, ekonomiste në Bankën Botërore duke prezantuar raportin e fundit kushtuar shteteve të Ballkanit perëndimor. Nga Banka Botërore thonë se edhe pse viti 2019 është parazgjedhor hapja e mundshme e negociatave paraqasëse me BE-në, kërkojnë që Maqedonia e Veriut të mbetet në kursin e reformave strukturore për të nxitur konkurrencën dhe për të përmirësuar perfomancat e sektorit publik.

Njëherësh analizat e Bankës Botërore tregojnë se në gjashtë muajt e parë të vitit shënohet rritje ekonomike prej 3.6 për qind që paraqet shkallën më të shpejtë që nga viti 2016. Tregtia me 1.5 për qind, bujqësia me 0.5 për qind dhe industria me 0.4 për qind ishin faktorët kryesor të rritjes në tremujorin e dytë të këtij viti. Gjithashtu në vitet e ardhshme pritet që investimet në autostradat si dhe investimet private në energjetikë dhe turizëm të jenë faktorët kryesor të rritjes ekonomike prej 3.2 për qind në vitin 2020 dhe 3.3 për qind në vitin 2021. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 10, 2019 19:49

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA