Pakoja e katërt ekonomike: Biznesi në përgjithësi i kënaqur

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 30, 2020 19:38

Pakoja e katërt ekonomike: Biznesi në përgjithësi i kënaqur

Një vëmendje dhe kujdes më i madh mbetet që ti kushtohet implementimit konkret dhe real të masave në aspektin e ndryshimeve të ndryshme ligjore, lehtësimit të procedurave e kështu me radhë, ndërkohë që ka ankesa për një mbështetje më të madhe për kompanitë që nuk kanë ndalur zgjerimin dhe rritjen e kapaciteteve të tyre si dhe mënyrën e implementimit në praktikë të masave të ndryshme.

Biznesi në përgjithësi dhe në vija të trasha , është i kënaqur me pakon e katërt të masave qeveritare për rikuperimin e ekonomisë nga pasojat e pandemisë. Megjithatë ka ankesa për një mbështetje më të madhe për kompanitë që nuk kanë ndalur zgjerimin dhe rritjen e kapaciteteve të tyre edhe në kohë krize si dhe mënyrën e implementimit në praktikë të masave të ndryshme. Afaristi Xhemali Dauti nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se në parim çdo përkrahje ndaj biznesit në këto kushte të vështira është i mirëseardhur. Sipas tij, biznesi në përgjithësi asnjëherë nuk mund të jetë i kënaqur me ndihmën qeveritare, mirëpo shton më tej ai në këtë drejtim duhet marrë parasysh edhe mundësitë e shtetit për të ofruar edhe më shumë ndihmë financiare dhe tjetër për afaristët.

“Këto masa janë miratuar në bashkëbisedim edhe me odat ekonomike, dhe është pozitive që edhe afaristët kanë marrë pjesë në përpilimin e tyre. Është për tu përshëndetur fokusimi i ndihmës ndaj bizneseve që kanë më shumë vështirësi në punën e tyre, mirëpo në pakot e ardhshme të masave nevojitet që një vëmendje më e madhe ti kushtohet kompanive që kanë investuar edhe në këtë kohë të krizës”, thekson Dauti. Nga ana tjetër, të dielën ekzekutivi premtoi 31 masa të vlefshme 470 milion euro që duhet të ndihmojnë firmat dhe qytetarët me vështirësi më të mëdha ekonomike dhe financiare, që më lehtë të tejkalojnë pasojat e krizës ekonomike të shkaktuar nga Covid-19. Gjithashtu vlerësohet se vlera të gjitha pakove të deritanishme do të tejkalojë shifrën prej një miliardë euro. Në këtë pako të fundit, ndër të tjerash do të mbështetet siguria ekonomike dhe sociale e qytetarëve dhe do të nxitet konsumi privat. Në tre muajt e fundit të vitit do të sigurohen 70 milion euro për mbështetje e 250 mijë vende pune. Mirëpo kësaj radhe përkrahja do të jetë shkallë-shkallë prej 14.500 deri 21.776 denarë. Megjithatë , kompanitë mund të përdorin këtë ndihmë vetëm nëse nuk kanë larguar nga puna si rezultat i krizës së koronës deri më 1 korrik të kësaj vere. Gjithashtu, me 27.6 milion euro dhe kartela pagesore në vlerë prej 6000 denarë do të përkrahen 283 mijë qytetarë të prekshëm në aspektin social, pensionistë me pensione më të ulëta dhe studentë. Me fjalë të tjera, kartelat pagesore do ti pranojnë 5 mijë e 726 prind që vetë përkujdesen për fëmijët, 182.271 pensionistë me pensione deri në 15 mijë denarë, 85.108 të papunësuar që janë kërkues pasivë të punës, artistë të pavarur, punëtorë të filmit, punëtorë të kulturës, punëtorë të estradës etj. Në ndërkohë, një pjesë tjetër e përfaqësuesve të biznesit thonë se presin realizimin më të shpejtë të masave të ndryshme.

“Pakoja e fundit si duket ka përfshirë një pjesë të madhe të kategorive të ndryshme që do të shfrytëzojnë masat qeveritare. Tani shtrohet çështja se nga do të vijnë të hollat dhe si do të paguhen ato. Megjithatë këto masa duhet të kalojnë Këshillin Ekonomik-Social, ndryshime të ligjeve në Parlament, etj”, thotë Mile Boshkov, numri një i Konfederatës së Afarizmit të Maqedonisë. Sipas tij, tani mbetet që një vëmendje dhe kujdes më i madh ti kushtohet implementimit konkret dhe real të masave në aspektin e ndryshimeve të ndryshme ligjore, lehtësimit të procedurave e kështu me radhë. Nga Oda ekonomike e Maqedonisë thonë se tek këto masa po shikohet realizimi i premtimit qeveritar se në këto kushte të krizës ekonomike shëndetësore ato do të qëndrojnë pas kompanive.“ Në raport me masat e deritanishme dhe këto të fundit, dhe pritje të ndikimit të vazhduar të pandemisë ndaj ekonomisë , kemi një kthim ku një pjesë e masave për përkrahje nuk janë vetëm masa afat shkurte për sanimin e pasojave të krizës, por parashikojnë edhe reformat sistemore për të gjithë biznesin”, thotë Biljana Peev nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Sipas saj, një rëndësi të veçantë për biznesin ka anulimi i pagesës për detyrime të ndryshme lidhur me importin e lëndëve të e para dhe uljen e paralajmëruar apo anulimin të një pjese të kompensimeve parafiskale. Masat qeveritare pritet të hyjnë në fuqi në muajin tetor pasi ndryshimet e nevojshme ligjore të votohen në Kuvend. Ndryshe, ndër masat e tjera në pakon e katërt janë edhe grante për restorantet për dasma, për këndet e fëmijëve, agjencitë turistike, ciceronët turistik. Zejtarët do të kenë ulje të TVSH-së për shërbimet nga 18 në 5 për qind për konkurrencë më të madhe në treg, për shërbimet e restoranteve do të ulet TVSH në 10 për qind, do të ketë lirim nga TVSH për donacione deri në fund të vitit 2021, garanci shtetërore për kreditë dhe garanci e doganave për borxhin doganor. Në festën e 11 tetorit për tre ditë do të ketë blerje pa TVSH për prodhime vendore dhe pajisje IT. Parashikohen ndër të tjerash edhe, 100 milion euro kredi nga Banka Vendore për Zhvillim, lehtësimi i kushteve të kredive e kështu me radhë. Masat ekonomike i përfshijnë edhe kompani dhe biznese të tjera. (koha.mk)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 30, 2020 19:38