Parlamenti britanik miraton ligjin që parandalon “Brexit pa marrëveshje”

Desk
By Desk 9 Prill, 2019 19:48

Parlamenti britanik miraton ligjin që parandalon “Brexit pa marrëveshje”

Sipas ligjit qeveria britanike nesër në Dhomën e Ulët do të paraqesë një propozim të hapur për ndryshim.

Parlamenti i Britanisë së Madhe ka miratuar një projekt-ligj i cili parandalon një Brexit pa marrëveshje më 12 prill.

Projektligji i përgatitur nga Yvette Cooper, deputete e Partisë Laburiste të opozitës kryesore që synon të parandalojë vendin që të largohet pa marrëveshje nga Bashkimi Evropian më 12 prill, u miratua në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik.

Sipas ligjit qeveria britanike nesër në Dhomën e Ulët do të paraqesë një propozim të hapur për ndryshim. Me propozimet për ndryshime të deputetëve, qeveria do të përcaktojë datën e shtyrjes së Brexit-it që do të kërkojë nga BE-ja.

Data që do të pranohet do të paraqitet nga kryeministrja britanike Theresa May në samitin e posaçëm të liderëve të BE-së i cili do të mbahet të mërkurën.

– Data e shtyrjes do të votohet nesër

Në versionin e parë të projekt-ligjit, kryeministrja May duhej të paraqiste në Dhomën e Ulët për miratim edhe datën që BE-ja do të jepte. Por, me ndryshimin e bërë në Dhomën e Lordëve, ky detyrim u hoq.

Një tjetër ndryshim që kanë bërë në Dhomën e Lordëve, është se kërkesa e qeverisë britanike për shtyrjen e datës, që do të kërkojë nga Unioni nuk mund të jetë më herët se më 22 maj.

Dhoma e Ulët miratoi ligjin me 313 vota ‘pro’ dhe 312 ‘kundër’ në një votim të zhvilluar javën e kaluar. Ndërsa ndryshimet e kryera nga Dhoma e Lordëve janë miratuar me 390 vota.

Me ligjin e ri parandalohet që qeveria britanike të zgjidhte preferencën e një largimi pa marrëveshje nga BE-ja. Por, ky ligj nuk përbën detyrim për Unionin. Është e paqartë se çfarë rruge do të ndiqet nëse BE-ja nuk pranon që t’i japë edhe një shtyrje tjetër Britanisë.

Ligji gjithashtu në mesin e mundësive përfshin edhe anulimin e Brexit-it në rast se qeveria britanike nuk ka zgjidhje tjetër përveçse largimit pa marrëveshje nga BE-ja.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë në dhjetor ka dhënë vendimin se Britania mund ta ndalte në mënyrë të njëanshme Brexit-in.

Kryeministrja May javën e kaluar i dërgoi një letër presidentit të Këshilit Evropian, Donald Tusk ku ajo i kërkoi shtyrjen e datës së Brexit-it për më 30 qershor. Marrëveshja për Brexit-in që May ka arritur me BE-në deri më sot është refuzuar 3 herë në Parlamentin britanik.

Desk
By Desk 9 Prill, 2019 19:48