Partia politike pro-ruse “Rodina Makedonija” – dezinformata, teori konspirative dhe nxitje të urrejtjes

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Maj, 2022 01:00

Partia politike pro-ruse “Rodina Makedonija” – dezinformata, teori konspirative dhe nxitje të urrejtjes

Partia proruse “Rodina Makedonija” ishte burim i keqinformimit për Ukrainën edhe para fillimit të pushtimit ushtarak nga Rusia. Më herët partia ka përhapur dezinformata që nxisin urrejtje ndaj NATO-s, BE-së, Marrëveshjes së Prespës, Covid-19 dhe vaksinimeve, regjistrimit dhe zgjedhjeve lokale.

Shkruan: Zharko Trajanoski, analist mediatik

Partia pro-ruse “Rodina Makedonija” ishte burim keqinformimi për Ukrainën edhe para fillimit të pushtimit ushtarak nga Rusia. Më 20 janar 2022, “Rodina Makedonija” organizoi një protestë para Ambasadës së Ukrainës kundër “glorifikimit të nazizmit në Ukrainë”, tezë e cila u mohua nga ambasadorja e Ukrainës Natalia Zadorozhnyuk, e cila theksoi se “në Ukrainë nuk glorifikohet nazizmi, vendi humbi mbi 8 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore”. Një ditë pas pushtimit rus të Ukrainës, partia proruse i mundësoi gazetares së njohur Mirka Velinovska, e cila mori medalje nga Putini për shërbime propagandistike, të justifikonte “ndërhyrjen ushtarako-teknike” në Ukrainë si frenim të një procesi të gjatë të “fashizmit planetar” përmes të ashtuquajturit “Nazifashizmi liberal-demokratik postmodern”.

Partia “Rodina Makedonija” është një nga partitë e pakta antiperëndimore që mbështesin hapur Putinin për “defashizimin” e Ukrainës dhe që bëri thirrje për protestë “JO RUSOFOBISË!”. Më 12 mars 2022, duke brohoritur “Putin, Putin…” para ambasadës ruse në Maqedoni, kryetari i partisë “Rodina Makedonija” dha “mbështetje të qartë për Rusinë dhe popullin rus”, të cilët “përballeshin me sulmin e nazizmit në Evropë.” Dhjetë ditë më vonë, “Rodina Makedonija” u mburr se kishte mbajtur takim me ambasadorin rus, në të cilin shprehu “mirënjohje të madhe nga pala ruse për mbështetjen publike të popullit maqedonas ndaj Rusisë dhe popullit rus për operacionin special për shkombëtarizimit dhe çmilitarizimit të Ukrainës”.

Prorusja “Rodina Makedonija” u shfaq në skenën politike maqedonase gjatë vitit 2019, fillimisht në rrjetet sociale, dhe në vitin 2020 edhe si parti e regjistruar, me tre orientime bazë: “JO Marrëveshjes së Prespës; JO Bashkimit Evropian dhe JO NATO-s!”. Kjo parti, e cila u paraqit si “opsioni i vetëm sovran i popullit maqedonas” dhe luftëtar kundër “fashizmit global“, shfaqet si burim dhe përhapës i dezinformatave të shumta dhe teorive të konspiracionit, të cilat nxisin mosbesim në institucionet dhe proceset demokratike. “Rodina Makedonija” mbrojti bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale në vitin 2019, delegjitimimin dhe parandalimin e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2020, përdori pandeminë për të përhapur dezinformata dhe për të propaganduar mesazhe “antivaksina”, sabotoi dhe bojkotoi regjistrimin e popullsisë dhe udhëhoqi fushatë ultranacionaliste dhe homofobike në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Edhe pse “Rodina Makedonija” arriti rezultate modeste në zgjedhjet lokale, mesazhet e saj propagandistike meritojnë analizë, në kontekstin e gamës së gjerë të strategjive për ndikimin rus në Maqedoni.

Prorusja “Rodina Makedonija” kundër NATO-s dhe BE-së, referendumit dhe “Marrëveshjes së Prespës”

Si nismëtarë dhe ideologë kryesorë të partisë “Rodina” (e paraqitur si “pjesa e braktisur e Maqedonisë së Bashkuar“) dolën emrat e Zoran Jovançevit dhe Goran ShumkoskitZoran Jançev është përfaqësues i shoqatës “Maqedonia dhe Rusia (MiR)“, bashkëpunëtor i lëvizjes sllave “Rusov” dhe zëdhënës kundër Perëndimit, BE-së, NATO-s dhe për shkeljen e “Marrëveshjes së Prespës”. “Sovrani” Goran Sumkoski është propagandist i njohur gjeopolitik dhe ideolog i “Rrugës së Vërtetë Maqedonase”, përfaqësues i kundërhegjemonisë në Ballkan, ndjekës i konspiracioneve gjeopolitike të Duginit. Jovançev pretendon se Dugin është sjellë në Shkup “nëpërmjet miqve tanë në Beograd“, tekstet e tij propagandistike-militante janë përkthyer në gazetën e partisë dhe ai është cituar në faqen e partisë kur ai satanizoi Perëndimin si “vetë djalli”.

“Ideologu” Shumkoski ishte aktivisht i përfshirë në lëvizjen e “Bojkotoj” dhe në përhapjen e dezinformatave ruse dhe miteve të lashta, jo vetëm përmes portalit të tij “Kolozheg”, por edhe përmes kanaleve globale të propagandës pro-ruse, ku botoi artikuj antiglobalizues dhe antiperëndimor. Në fillim të vitit 2018, në një protestë para Kuvendit, Shumkoski foli kundër “globalizimit fashist të Soros” dhe bëri thirrje për ngritje të zërit kundër “NATO-fashistëve”. Edhe pse Jovançev dhe Shumkoski dolën publikisht së bashku si iniciatorë dhe themelues të “Rodina Makedonija”, Shumkoski më vonë u hoq nga posti i kryetarit dhe një pjesë e grupit të tij “puçistë” u përjashtuan nga partia.

Orientimi prorus i “Rodina Makedonija” është pasqyruar në statut, ku synimi i anëtarëve, ndër të tjera, është ndërtimi i marrëdhënieve të ngushta me vendet sllave dhe Rusinë, bazuar në përkatësinë e kulturës dhe qytetërimit të përbashkët sllav. Megjithatë, duket se aktivitetet kryesore të “Rodinës” janë më shumë propagandë, e drejtuar kundër Perëndimit dhe kundër Marrëveshjes së Prespës, sesa promovimi i synimeve të tyre pozitive programore.

Në tubimet e para publike, iniciatorët e “Rodinës” shpërndanë dezinformata dhe frikë nga zhdukja e maqedonasve dhe deklaruan se “nuk duam të hyjmë në aleancat tuaja në BE dhe NATO dhe askund tjetër, ku maqedonasit dhe shteti maqedonas nuk ekzistojnë më”. Në vend të “shtypësit” BE-së dhe NATO-s “fashiste” (që ishte “në shtratin e vdekjes” dhe një “aleancë jofunksionale me afat të skaduar”), në daljet e para publike, nismëtarët e “Rodinës” mbrojtën një “botë shumëpolare” dhe e promovuan idenë e Euroazisë nga Vladivostok deri në Lisbonë.

Propagandën negative kundër NATO-s e vazhduan me dënimin e “Kuvendit të zgjedhur” që votoi për NATO-n, me shpalljen e NATO-s për pushtues fashist dhe të gjithë 114 deputetët që votuan për ratifikimin e anëtarësimit në NATO si “tradhtarë“. Rodina mobilizoi themeluesit e partisë me gjuhë të urrejtjes kundër “hordhive terroriste perëndimore që vrasin të gjallë dhe të vdekur nën kujdesin e shtetit satanik amerikan“, duke denoncuar deputetët që votuan për ratifikimin e protokollit për në NATO-s si “demonë në shërbim të demonit”. “Rodina” dënoi anëtarësimin në NATO si një “akt agresioni” dhe përhapi teori konspirative për NATO-n, internetin 5G dhe “Shqipërinë e Madhe”.

“Rodina” u përpoq të përdorte kontestin maqedono-bullgar për të denigruar BE-në si krijim fashist, duke përhapur dezinformata se kërkohet “kapitullim i popullit maqedonas” dhe duke agjituar se për këtë arsye duhet të heqim dorë nga kërkesa për anëtarësim në BE.

Me diskursin e saj antiperëndimor dhe kuazi-antifashist kundër politikave hipokrite dhe antikombëtare të NATO-s dhe BE-së“Evropës vampire” dhe “fashizmit më vampir“, Rodina u përpoq të nxiste jontolerancë dhe urrejtje, jo vetëm ndaj Perëndimit, por edhe ndaj kundërshtarëve politikë properëndimorë. Jo vetëm ndaj dy “partive tradhtare” më të mëdha, por edhe ndaj “frikacakëve tradhtarë”, ndaj “tradhtarëve vendas në pushtet”, (“GOCE DELLÇEV TË ISHTE GJALLË, ME KAMË DO TË DËNONTE TRADHTARËT), ndaj “kukullave severjane” etj.

Menjëherë pas themelimit të saj zyrtar, Rodina përhapi teori konspirative kundër Uashingtonit si pasardhës i Romës, duke pretenduar se “populli ynë maqedonas ka qenë nën sulm nga Roma dhe pasardhësit dhe shërbëtorët e saj për 2000 vjet“. Në vend të NATO-s, e cila “ndan sllavët”, Rodina propagandoi aleancë ekonomike dhe ushtarake me “Rusinë vëllazërore” dhe “Bashkimin Ekonomik Euroaziatik”, ndërsa themeluesi i saj pohoi në një intervistë për mediat ruse se “euroaziani i parë në këtë rajon është Aleksandri i Madh”.

“Rodina” kundër vaksinimit – dezinformata për pandeminë, urrejtje ndaj qeverisë dhe Bill Gates

Edhe para shpalljes së pandemisë, “Rodina” mbështeti “prindërit që filluan të zgjidhnin të mos vaksinonin fëmijët e tyre”, duke përhapur dezinformata për vaksinat.

Pas shpalljes së pandemisë Covid-19, “Rodina” në njoftimet e saj dezinformonte për “virus të krijuar artificialisht – ekuivalent i një variacioni të gripit” dhe një “pandemi të krijuar artificialisht dhe panik të fabrikuar” si pjesë e “planit të shëmtuar totalitar” të “globalistëve” dhe “organizatave botërore të satanizuara dhe organizatave dhe institucioneve të denigruara”.

“Rodina” mohoi pandeminë (“nuk është pandemi, por një variant pak më i rrezikshëm i koronavirusit“) dhe shkallën e lartë të vdekshmërisë, duke dezinformuar se shpallet gjendje e jashtëzakonshme për virus sezonal (virus i fabrikuar sezonal, një virus që sipas të gjithë statistikave të shëndetit botëror është në rangun e gripit sezonal).

“Rodina” përhapi gjithashtu një teori të frikshme konspiracioni dhe dezinformata në lidhje me lidhjen e virusit, me teknologjinë 5G dhe çipin e Bill Gates:

COVID 19 dërgon gjithashtu antena dhe teknologji 5G, si një element i rëndësishëm i vaksinës së ardhshme që e përmendi FILIPÇE dhe në të cilën duhet të ketë RF çip për identifikim, një çip për të cilin BILL GATES ka patentë me numrin WO2020 060606 A1.

Edhe pse vaksinimi kundër koronavirusit është proces planetar, “Rodina Makedonija” e shpalli atë “vaksinim joshkencor të popullit maqedonas, i cili ngjallet ekskluzivisht nga pasionet e ulëta për interesa personale financiare dhe nevojat afatshkurtra politike të Huntës tradhtare!”.

Duke shpërfillur pretendimet e veta se pandemia është krijuar, se “nuk ka virus” dhe se do të fillojë proces për përgjegjësi penale “krizën e fabrikuar artificialisht rreth virusit“, Rodina shpërndau në Twitter tekstin se “Rusia në gusht me vaksinë të miratuar kundër kovid-19″! Dështoi plani i Gates për të zombuar njerëzimin?”

Pas dezinformatave “antivaksina”, “Rodina” praktikisht promovoi vaksinën ruse, duke denigruar vaksinat perëndimore të “fashistëve globalë”, që synonin “njerëzit t’i bëjnë zombie”:

A do të ketë njerëzimi mundësi për shpëtim nga vaksinat e fashistëve global, të cilat ndryshojnë ARN-në me qëllim zombimin e njerëzve në një tufë lopësh hezituese që nuk mund t’i rezistojnë skllavërisë dhe dhunës së përjetshme?

Aktivistët e “Rodinës” nuk ishin vetëm organizatorët e protestave kundër kovid-masave, por edhe folësit kryesorë dhe burimet kryesore të keqinformimit për lidhjen e koronavirusit dhe teknologjinë 5G, si dhe për pandeminë dhe vaksinimin. Zyrtarisht donatori më i madhe e “Rodinës” në vitin 2021 dhe pjesë e kryesisë së partisë është “antivax” Gordana Goxho, e cila përhapi dezinformata të frikshme për vaksinat dhe kundër ministrit të atëhershëm të shëndetësisë, si dhe teoritë konspirative të QAnon (foto-profili i Goxhos në twitterin e saj është një germë e madhe e kuqe Q, me diej të vegjël në virgjëreshë). Partia e saj “Rodina” i mundësoi asaj një videoplatformë për përhapjen e mëtejshme të dezinformatave dhe teorive konspirative rreth pandemisë dhe vaksinimit. Në një video-intervistë, Goxho dhe e ftuara e saj nga “diaspora sovrane” e Serbisë përhapën dezinformata se “virusi u shpik” nga kriminelët e organizuar – “hajdutët e bankave, farmakomafia, satanistët e botës”. Me të njëjtën video, partia “Rodina” praktikisht përhapi një teori konspirative kundër Bill Gates si “përbindëshi më i madh” i fashizmit të sotëm, duke e denigruar atë si “një të sëmurë me karakter nekrofil që kënaqet me pakësimin e popullsisë dhe vrasjen e njerëzve”.

“Rodina” sulmoi gjithashtu “pushtetin kriminel-puçist të krijuar nga jashtë“, duke e akuzuar atë se “i përshtatet në mënyrë ideale agjendave të shpopullimit me shkallë të lartë vdekshmërie, edukimit seksual transgjinor dhe demaqedonizimit me Severxhganija të egër”.

“Rodina” në fushatë me dezinformata kundër regjistrimit të popullsisë

“Rodina” ka shfrytëzuar regjistrimin e mëparshëm, si dhe atë të vitit 2021, si rast për të përhapur dezinformata për numrin e shqiptarëve etnikë në Maqedoni, duke publikuar të dhëna të ndryshme për opinionin. Për shembull, dezinformatën se në Maqedoni “shqiptarët janë aktualisht 14%, me regjistrimin e falsifikuar nën diktaturën e ambasadës amerikane…”, ishte padyshim në kontekstin e synimit për të krijuar panik për fshirjen e maqedonasve, për federalizim të ardhshëm, madje edhe përçarje në terren si në kohën e pushtimit fashist gjermano-italian. Në një postim tjetër, “Rodina” pohoi se fshihet numrin real që dimë përafërsisht, rreth 10 dhe maksimumi 15%, dhe në të tretën se “Rodina Maqedonija ka informacione të verifikuara dhe shumë të sakta që thonë se në Republikën e Maqedonisë jetojnë nga 16.3 -17.7% qytetarë me origjinë etnike shqiptare“, duke i bërë thirrje “mbarë kombit maqedonas që të mos i njohë rezultatet e regjistrimit nëse përfshin më shumë se 18% të qytetarëve me origjinë etnike shqiptare“.

Regjistrimi i vitit 2021 u prezantua si “përpjekje tjetër për të fshirë popullin maqedonas”, dhe partia agjitonte me parullat “Thuaj JO #etnocidit”, dhe për mospjesëmarrje në regjistrim të manipuluar, me regji dhe jolegjitim. “Rodina” pro-ruse propagandonte se populli mund të pranonte “vetëm një regjistrim të organizuar nga OKB-ja dhe i monitoruar nga Rusia dhe Kina“, se “ne nuk do të lejojmë gjenocid tjetër kundër nesh” dhe se populli maqedonas nuk do ta njohë “rezultatet e regjistrimit të organizuar nga pushtuesi”. “Projekti Gjeopolitik Regjistrimi 2021” u delegjitimua si “i udhëhequr nga varrmihësit strategjikë perëndimorë të Republikës së Maqedonisë dhe të shërbyesve të tyre rajonal”, si regjistrim për të ruajtur pushtetin, si regjistrim për qëllime irredentiste – Shqipëria e Madhe, si vend klasik për ETNOCIDIN e popullit maqedonas (“VAMPIRIZËM ndaj Maqedonisë dhe popullit maqedonas”), si “akti i fundit i shkatërrimit të Maqedonisë përmes regjistrimit të rremë“. “Rodina” agjitonte se “maqedonasit duhet masivisht dhe të bashkuar ta bojkotojnë këtë regjistrim, siç e bojkotuam të bashkuar dhe vëllazërisht referendumin”, bëri thirrje që të mos merret pjesë në falsifikimin, etnocidin dhe relativizimin e një kombi të tërë – maqedonas, dhe pretendoi se REGJISTRIM NUK DO TË KETË!

“Rodina Makedonija” së bashku me organizatat dhe partitë tjera iu bashkuan fushatës së mbushur me dezinformata “NUK E HAP DERËN”, e cila rezultoi me zvogëlimin e numrit të maqedonasve etnikë në rezultatet e regjistrimit. Më pas, “Rodina Makedonija” nuk i njohu rezultatet e REGJISTRIMIT TË FALSIFIKUAR dhe përhapi teorinë e konspiracionit se regjistrimi i vitit 2021 është “regjistrim gjeopolitikisht kriminal nga fuqitë perëndimore dhe rendi shqiptar në qeveri, si dhe kolona e pestë maqedonase, ku maqedonasi është fshirë nga vendi i origjinës në një operacion kriminal gjeopolitik mafioz”. “Rodina Makedonija” gjithashtu dezinformoi dhe frikësoi se qëllimi i regjistrimit ishte “rritja e numrit të shqiptarëve në kurriz të maqedonasve”, që në thelb ishte “vazhdim i politikës së kahershme perëndimore”.

Këto dezinformata dhe teori konspirative për “Shqipërinë e Madhe” dhe “për fshirjen e maqedonasit nga territori i tij etnik” nuk janë asgjë e re, por vazhdimësi e teorive të errëta konspirative gjeostrategjike me thirrje në “Shqipërinë e Madhe” nga koha e krizës politike në 2015-2017, si dhe gjatë “Marrëveshjes së Prespës” dhe anëtarësimit në NATO, tentuan të shkaktojnë jontolerancë dhe urrejtje ndëretnike.

“Rodina” në zgjedhjet lokale: fushatë me dezinformata dhe nxitje të urrejtjes

“Rodina Makedonija” mori pjesë për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2021 me kandidatët e saj për kryetar komune në Berovë, Qendër dhe Qytetin e Shkupit dhe me listat e saj për këshilltarë në 9 komuna dhe Qytetin e Shkupit.

Në plan të parë në fushatën në Shkup nuk ishin temat lokale, por përpjekjet për të mobilizuar qytetarët që nuk duan të vaksinohen ose janë kundër kovid-masave. “Rodina” i bëri thirrje “Maqedonisë së lirë” që “të ndalojë tërbimin e lobit të vaksinave dhe interesave të biznesit të mafies farmaceutike, si dhe agjendës fashiste të elitës globale neoliberale”.

“Rodina” kërkoi heqjen e masave kovid-fashiste, ndërsa në video-fjalimin e tij kandidati për kryetar komune foli për “fashizëm më vampirik”, “kovid fashizëm”, Shkupin si kamp i madh përqendrimi, ku qytetarëve që refuzojnë vaksinën u kufizohet lëvizja si në “geto hebreje të Varshavës“. Bartësi i listës këshilltare për “Shkupin” premtoi për “Shkupme maqedonas, pa afgan, pa kosovarizim”.

Në zgjedhjet vendore të 2021, “Rodina” ishte një nga partitë që përhapi haptazi homofobinë dhe transfobinë. Paraprakisht “Rodina” premtoi mbështetje për familjen tradicionale maqedonase dhe mbrojtje nga programet manipuluese të Perëndimit për ta çmontuar atë, propagandoi kundër LGBT dhe ideologji pedofile dhe kundërshtoi “futjen e këtyre ‘vlerave’ të shtrembëruara, të çoroditura, të imponuara nga evropianët“. Gjatë fushatës zgjedhore lokale, kandidatët e “Rodinës” premtuan se do t’i mbrojnë fëmijët nga “OJQ-të psikopatike“, ndalesë për “edukimin monstruoz seksual të ndjeshëm të Mila Carovskës“:

Fëmijët do të mbrohen nga ndëshkimi transgjinor dhe edukimi seksual çnjerëzor që promovon prindin1 dhe prindin2, në vend të babait dhe nënës.

Kryetarja aktuale e Shkupit, si kandidate, u denigrua si “një person që punon drejtpërdrejt për projektet globaliste, Climate change, të sponsorizuara nga Fondacioni Bill dhe Melinda Gates dhe projektet e OBSH-së për reset të ekonomisë nga kovid-pandemia“. Gjithsesi, “Rodina” u bëri thirrje votuesve të saj në raundin e dytë që ta votojnë atë, dhe kundër qeverisë, e cila ishte e keqja më e vogël dhe më e madhe.

Edhe pse “Rodina Makedonija” arriti rezultate modeste (kandidati për kryetar të Shkupit kishte vetëm 0,76% të votave, ndërsa kandidatët e tjerë edhe më pak), nuk mund të nxirret përfundim për dështim total të “ndikimit rus” në zgjedhjet lokale 2021, që dukshëm është arritur përmes aktorëve të tjerë politikë, që është temë për analizë shtesë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Maj, 2022 01:00

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare