Partitë pajtohen të mos financohen nga shteti, së shpejti Qeveria pritet të miratojë masat antikrizë

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 27, 2020 19:50

Partitë pajtohen të mos financohen nga shteti, së shpejti Qeveria pritet të miratojë masat antikrizë

Partitë janë të gatshme të heqin dorë nga financimi që marrin nga buxheti i shtetit. Këtë masë për herë të parë e përmendi Ministrja e drejtësisë Renata Deskoska, ndërsa bashkëpartiaku i saj, Ministri i Administratës Damjan Mançevski në ClickPlus tha se para së gjithash ky është propozim human, në kushte kur po shtrohen pyetja nëse shteti do të ketë mundsëi të paguajë rrogat, mbrojtje shëndetësore dhe atë sociale.

“Puna e parë që patjetër duhet ta bëjmë është që partitë poltike të heqin dorë nga financimi vjetor. Le të ndodhë çfarëqoftë tjetër, ne do të duhet patjetër të funksionojmë edhe pa këto mjete”, tha Mançevski.

Partneri qeverisës i LSDM-së, Bashkimi Demokratik për Integrim e mbështet këtë propozim por bën thirrje që këto çështje të diskutohen në qeveri. Zëvendëskryeministri integrist Bujar Osmani i tha TV21 se masat antikrizë po dikutohet e të njëjtat pritet të miratohen pasi të ketë përfunduar debati.

“Parimisht e mbështesim, por insistimi jonë është që të mos liferohet në opinion me propozime dhe masa por të njëjtat të propozohen në qeveri”, deklaroi Osmani.

Nga partneri parazgjedhor i LSDM-së, Lëvizja Besa, thotë se propozimet e pa analizuara mirë, edhe pse mund të tingëllojnë mirë për veshin e qytetarëve, duhet patur kujdes për pasojat në aspektin afatgjatë. Sekretari gjeneral Arjanit Hoxha rikujton se partitë më shumë se 70% e të ardhurave nga buxheti ia dedikojnë administratës partiake, pra personat që atë rrogë e kanë është çështje ekzistenciale. Ai gjithashtu hedh dyshimet edhe për keqpërdorimin e mundshëm nga ana e partive në pushtet me mënyrën e financimit të partive.

“Ne do ishim dakord si parti politike që të heqim dorë nga një pjesë e financimit vjetor konform masave lehtësuese që duhet të ndërmerr gjithë shteti por edhe njëherë e theksojmë se çdo tentim për ndalesë të plotë mund të sjellë pasoja afatgjatë që vështirë se mund të rregullohen kur shteti ti kthehet normalitetit”, tha Hoxha.

Edhe dy partnerët Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa përkrahin idenë të heqin dorë nga paratë shtetërore.

“Edhe pse jemi në pozita të pabarabarta me partitë e tjera rreth kapaciteteve financiare, por edhe mundësisë që propozimet tona të pranohen nga qeveria si ndihmesë në këtë kohë të pakohë, ne shprehim gatishmëri për të dhënë kontribut në çdo aspekt që ka për qëllim luftën kundër COVID-19”, deklaroi Bexheti.

“I përkrahim masat që qeveria t’i hapë rezervat shtetërore, të menaxhojë masat e ndryshme për zbutjen e borxheve. Poashtu, i përkrahim edhe masat e njëjta të vlejnë edhe për zyrtarët qeveritar të japin rrogat e tyre; partitë politike të lirojnë buxhetin e tyre vjetor; kompanitë të ndajnë nga fitimet e tyre; të gjitha këto të vihen në shërbim të nevojave të qytetarëve”, tha Rexhepi.

Ditë më parë kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se e mbështet propozimin e ministres së Drejtësisë që partitë të mos marrin mjete për këtë vit, por e ftoi që edhe ajo, familjarët e saj me rroga të majme, zyrtarët e LSDM-së, ministrat dhe zëvednësminisrat të punojnë pa pagesë.

“Unë e thërras që të marrë guxim, dhe unë them se ministrat e VMRO-DPMNE-së që do të jenë në atë seancë qeveritare, do ta mbështesin kur ajo ta japë propozimin. Njëkohësisht pres që para kësaj pike, ta vendosë pikën ku të sillet dekret me fuqi të ligjit ku të gjithë ministrat, zëvendësministrat, sekretarët shtetërorë, të gjiithë të zgjedhur dhe emëruarit do të heqin dorë dhe do të punojnë pa pagesë deri në përfundimin e mandatit të tyre”, tha Mickoski.

Çdo vit ndahen 4,5 milion euro mjete për partitë politike në Maqedoninë e Veriut.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 27, 2020 19:50