Partitë politike ende pa marrëveshje për regjistrimin

Desk
By Desk 10 Prill, 2019 20:28

Partitë politike ende pa marrëveshje për regjistrimin

Lidhja e nënshkrimeve të drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit të Entit të Statistikave, vazhdon të mbajë të bllokuar në Qeveri aprovimin e Propozim-Ligjit për Regjistrimin e popullsisë. Ndonëse, partnerët e koalicionit në pushtet prej kohësh u deklaruan se kanë harmonizuar të gjitha çështjet për këtë draft, nga Kabineti i Kryeministrisë thonë se akoma nuk kanë arritur të gjejnë një hapësirë ligjore për të legjitimuar në praktikë nënshkrimet e dyfishta. Zëdhënësi i ekzekutivit Muhamet Hoxha, këto i quan çështje teknike.

Pra, edhe në seancën e djeshme nuk ishte në rend të ditës ligji në fjalë dhe presim që i njëjti të jetë në procedurë qeveritare, pra në seancë së shpejti. Nuk ka ndonjë arsye, e cila e shtyn miratimin e këtij Propozim-Ligji në seancën e Qeverisë. Janë harmonizuar të gjitha dilemat, por bëhet fjalë për përgatitje teknike të këtij Propozim-Ligji – tha Muhamet Hoxha, Zëdhënës i Qeverisë së RMV-së.

Nga Enti Shtetëror i Statistikave thonë se aktualisht nuk ka predispozitë ligjore që e mundëson të kalojë me dy nënshkrime, publikimi i këtij ligji në Gazetën Zyrtare. Zëvendësdrejtori i këtij Enti, Zirap Ademi thotë se me nënshkrime të dyfishta parashikohet të bëhet certifikimi i rezultateve të regjistrimit të popullsisë, përzgjedhja e instruktorëve shtetëror, të cilët dërgohen në 43 rajonet e regjistrimit, udhëzimet, si dhe të gjithë regjistruesit në terren.

Në bisedim e sipër në Qeveri kanë vendosur që të bëhet lidhshmëria e nënshkrimeve në mes drejtorit dhe zëvendësdrejtorit për sa i përket procesit të regjistrimit. Çdo akt që del nga Ligji për regjistrim të jetë valid me nënshkrimin e dyfishtë. Mirëpo, neve na përfaqëson Ministria e Drejtësisë në Qeveri dhe për këto detaje a kanë vendosur ose jo, definitivisht nuk mund të them – deklaroi Zirap Ademi, Zëvendësdrejtor i Entit Shtetëror të Statistikave.

Regjistrimi i popullsisë, pritet të zhvillohet nga 1-21 prill të vitit 2020. Ndërsa regjistrimi provë do të zhvillohet në qershor të këtij viti në 13 komuna. Nga Enti i Statistikave thonë se në terren do ketë nga një regjistrues, përveç në zonat shumë etnike, ku regjistrimi do të bëhet edhe deri në shtatë gjuhë të ndryshme. Ademi thotë se nuk do të ketë hapësirë për keqpërdorime, pasi në periudhë prej tre muajsh pas regjistrimit, do të kenë hapësirë të bëjnë verifikimin e të dhënave dhe pastaj t’i certifikojnë rezultatet finale.

Desk
By Desk 10 Prill, 2019 20:28