Partneriteti privato-publik, ndërmjet përfitimeve dhe rreziqeve

Desk
By Desk March 3, 2020 19:50

Partneriteti privato-publik, ndërmjet përfitimeve dhe rreziqeve

Ekonomistët vlerësojnë se kjo lloj marrëveshje afatgjate paraqet një mundësi të mirë për zhvillimin e infrastrukturës aty ku shteti nuk ka mundësi materiale, mirëpo shtojnë më tej nevojitet të gjendet një drejtpeshim midis rreziqeve për keqpërdorimet eventuale, fitimeve të investitorit privat dhe shërbimeve më të mira dhe më cilësore për qytetarët.

Suksesi apo dështimi i mundshëm i partneritetit privato-publik varet nga qartësimi i obligimeve dhe përfitimeve të shteti dhe partnerit privat. Me fjalë të tjera, ekonomistët thonë se kjo lloj marrëveshje afatgjate paraqet një mundësi të mirë për zhvillimin e infrastrukturës aty ku shteti nuk ka mundësi materiale , mirëpo shtojnë më tej nevojitet të gjendet një drejtpeshim midis rreziqeve për keqpërdorimet eventuale, harxhimeve dhe fitimeve të investitorit privat dhe shërbimeve më të mira dhe më cilësore për qytetarët. Apo ekonomistët kërkojnë që të ketë analiza më serioze se sa në fund sa do të jetë e shpagueshme pas një periudhë prej 10 apo 20 vjet ndërtimi i një hidrocentrali, rruge, trajtimit të mbeturinave të ngurta apo ndërtimi dhe mirëmbajtja e një spitali apo objekteve shkollore, shkruan gazeta KOHA.

“Me një marrëveshje mirë të përgatitur do të definohen saktë mekanizmat që i përdor partneri privat dhe ai publik, ku të gjitha palët do të obligohen të respektojnë të njëjtat. Kjo kërkon edhe ndihmën e ekspertëve të kësaj fushe, saktësimin e të gjithë dispozitave në marrëveshje ku përfshihet edhe monitorimi dhe kontrolli i realizimit të ndonjë projekti të Partneritetit Privat dhe Publik”, thotë profesori universitar, Borçe Trenovski. Nga ana tjetër, sugjerohet edhe një kujdes më i madh me partneritetin privato-publik si dhe përgatitja e studimit të fizibiliteti, i cili nënkupton vlerësimin e avantazhit ekonomik, i cili bazohet në kryerjen llogaritjen dhe analizimin e një numri të caktuar të parametrave.

“Ky model mund të ndihmojë komunat që nuk kanë mundësi që të realizojnë projekte në interes të qytetarëve. Megjithatë duhet pasur kujdes që përgjatë përgatitjes të çdo kontrate të merret parasysh edhe studimi i fizibilitetit, llogaridhënia dhe transparenca e kështu me radhë”, thotë eksperti Miroslav Trajanovski. Në Maqedoninë e Veriut, shembujt më të ri të PPP janë mundësia që ndihma e shpejtë të ofrohet për partnerin privat si dhe disa shërbime të tjera në shëndetësi. Pritet që edhe ky model të shfrytëzohet edhe për rrjetet sekondare komunale me qëllim që amvisëritë të kenë çmim më të ulët të mundshëm për marrje të gazit, si dhe për ndërtimi i hidrocentralit Çebren. Para dy vitesh, shembull i PPP në Maqedoni ishin edhe kardio kirurgjia e fëmijëve që kaloi nga klinika shtetërore në klinikën private Filipi i Dytë. Nga Ministria e Shëndetësisë e kanë arsyetuar një hap të tillë, me faktin se nuk ka nevojë të investohet në infrastrukturën ekzistuese kur për disa vite pritet të rrëzohet qendra ekzistuese klinike, dhe të fillohet me ndërtimin e qendrës së re në Komunën e Gjorçe Petrovit. Mirëpo, pjesa kryesore e stafit që kryente këto operacione kaloi vitin e kaluar në spitalin Sistina. Analizat tregojnë se shembuj të projekteve të suksesshme të partneritetit privato-publik në nivel lokal janë komunat Çair, Kavadar dhe Makedonski Brod për ndriçimin rrugor, Komuna e Ohrit-Tregu i gjelbër, Komuna e Aerodromit-Salla Sportive, komuna e Gjorçe Petrov – grumbullimi i mbeturinave, Komuna e Manastirit-Parkingu, Komuna e Kriva Pallankës – ndërtesa komunale si dhe disa marrëveshje për ndërtimin e hidroelektranave në nivel lokal. Në nivel qendror, aeroportet në Shkup dhe Ohër vlerësohen si projekte të suksesshme të koncesioneve apo PPP.

Në ndërkohë , në Shqipëri në vitet e kaluara ka pasur një debat të nxehtë dhe kundërshtime për modelin e partneritetit privat që ka zhytur shtetin në borxh më të madh se një miliardë euro. Së bashku me koncesionet, PPP të dhëna deri në dhjetor 2017, vlera totale e koncesioneve me PPP arrin në 259 miliardë lekë, ose 17 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Për shkak të efekteve negative në borxhin publik dhe mungesës së analizës për projektet, kjo formë investimi rrezikon të minojë stabilitetin fiskal të vendit në afat të gjatë, thonë përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Shqipëri. Para dy vitesh, në qëndrimet për Shqipërinë, Banka Botërore vuri në dukje rreziqet që lidhen me kontratat koncensionare me Partneritet Publik Privat (PPP) që ka përdorur së fundmi qeveria.

“Qëndrimi ynë ka qenë në lidhje me përdorimin e propozimit të pa kërkuar me këtë intensitet. PPP është një mënyrë për të ekzekutuar një investim publik. Në mendojmë se përdorimi i propozimeve te pa kërkuara është më i lartë se duhet të jetë. Ky ka qenë dialogu me Ministrinë e Financave që ta përdorim sa më mirë këtë instrument”, thotë ekonomistja e BB në Shqipëri, Hilda Shijaku. Banka Botërore këshilloi se duhet të shikohet racionalizimi më i mirë i investimeve publike në drejtim të efikasitetit dhe gjithashtu duhen trajtuar me kujdes rreziqet nga investimet me Partneritet Publik Privat.

AVANTAZHET

– Investime të mëdha dhe të shpejta

– Shmangie e përgjegjësisë qeveritare

– Punësim i popullsisë në sektorin privat

– Garanci për arritjen e objektivave

– Hapësirë për të menduar për shumë projekte në të njëjtën kohë

– Rikthimi i pronës me të drejta të plota tek shteti

– Taksat që paguhen nga investitorët etj…

DISAVANTAZHET

– Mundësi korruptimi të zyrtarëve nga investitorët

– Nëse projekti dështon, aksesi publik nuk arrihet dhe vonon në kohë

– Kosto publike

– Krijimi i Monopolit për shfrytëzimin e kapitalit shtetëror

– Shkëputja nga realiteti i popullsisë në raportin kosto-përfitim ( thjeshtë statistika ekonomike dhe jo studime sociale për popullsinë vendase)

– Mundësia për të ndikuar në projektet e qeverive për interesa private etj…

(koha.mk)

Desk
By Desk March 3, 2020 19:50