Pas 12 prillit, një Parlament ndryshe nga ky sot

Desk
By Desk January 9, 2020 19:15

Pas 12 prillit, një Parlament ndryshe nga ky sot

Përbërja e re parlamentare pritet të jetë më ndryshe si nga cilësia ashtu edhe nga struktura, duke u larguar nga skena e Parlamentit shumë figura që nuk e kanë vendin në këtë instancë të lart legjislative, thonë njohësit e rrethanave politike në vend.

Sipas analizës së projektit “ACTION SEE” të publikuar në muajin nëntor të vitit të kaluar e që ka të bëjë me shkallën e sinqeritetit, llogaridhënies dhe transparencës së punës së parlamenteve në rajon dhe në Maqedoni, rritja e përmbushjes së indikatorëve për interaksion të Parlamentit me qytetarët prej 61% në 64% nuk është e dukshme, për shkak se propozimet mbeten të pa ndryshuara.

“Parlamenti duhet të bëj më shumë në suaza të organizimit dhe përsosjen e komunikimeve përmes veglave në dispozicion, kjo duhet t’i nxis deputetët shumë më tepër të shfrytëzojnë vegla dhe të promovohen në mesin e qytetarëve. Mbetet vërejtja prej hulumtimit të vitit 2017 se Parlamenti i Maqedonisë duhet të punojë në përmirësimi e transparencës së trupave punuese (komisione), me atë që do të publikohej prania e deputetëve në sesione, stenograme dhe video regjistrime, si dhe mënyra e votimit të deputetëve në trupat punues”, thuhet në analizë. Ndërkohë një analizë e re ka filluar të zhvillohet prej dhjetorit të vitit 2018 deri dhe do të përfundon në mars të vitit 2019.

Por, sa ishin aktiv deputetët e kësaj përbërje parlamentare e cila pritet të shpërbëhet më 12 shkurt të këtij viti? Sa ishin në krye të detyrës? “Përbërja parlamentare 2016- 2019, do të ngelë në kujtesë nga ajo se si u arrit shumica parlamentare (të gjitha partitë politike shqiptare u rreshtuan kundër VMRO- DPMNE-së), pra vet konstituimi i Parlamentit dhe votimi i Qeverisë ishte dramatikë. Meqenëse Presidenti Ivanov nuk e respektoi Kushtetutën, dhe e solli situatën politike të eskalojë në përmasa dramatike. Në këtë rast shumica parlamentare ishte e detyruar të zgjedh Qeverinë e re pa dekretimin e Presidentit të shtetit, i cili e refuzoi mandatarin z.Zaev duke insistuar se ai dhe partia e tij e kishte pranuar “Platformën e Tiranës”, gjë që sipas tij rrezikonte të ardhmen e shtetit. Pra kjo solli deri te ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit. Përbërja aktuale në fillim nuk kishte numra të mjaftueshëm për ndryshimet Kushtetuese, por pasi organizoi referendumin për ndryshimin e emrit të shtetit, pasi arritën marrëveshje për amnisti të shkaktarëve të ngjarjeve të përgjakshme në Parlament, shumica parlamentare u zgjerua me deputetet e amnistuar. Kjo përbërje filloi me ngjarje tragjike dhe pastaj me amnisti të protagonisteve kryesor të këtyre ngjarjeve”, deklaroi për KOHA, Zudi Xhelili, ish-deputet. Nga këtu, shprehet ai, humbi interesimi i ndjekjes së punës së mëtutjeshme të Parlamentit. “Një Parlament që veproi me deputet të amnistuar, dhe gjithmonë gjatë punimeve u dëgjuan akuza, kush tradhtoi e kush mbrojti emrin e shtetit nuk mund të thuhet se ka qenë në nivel të detyrës”, nënvizon Xhelili.Sipas tij, përbërja e re parlamentare pritet të jetë më ndryshe si nga cilësia ashtu edhe nga struktura, duke u larguar nga skena e Parlamentit shumë figura që nuk e kanë vendin në këtë instancë të lart legjislative. “Priten ndryshime në përbërjen e shumicës parlamentare, ndryshim të roleve dhe sidomos në rritjen e numrit të deputetëve shqiptar”, shprehet ish-deputeti Xhelili.

Në anën tjetër, analisti politik Faton Aliti vlerëson se në të gjitha përbërjet parlamentare, pjesa më e madhe e deputetëve kanë qenë të arsimuar dhe të angazhuar paraprakisht në profesionet e tyre. “Ajo që bën dallimin është integriteti i tyre dhe mënyra e të kuptuarit, të pasurit nderin për të qenë zëri i qytetarëve në Parlament. Fatkeqësisht, deputet me integritet dhe sens të holluar për funksionin që kryejnë, kemi pasur shumë pak kohëve të fundit. Nuk mundem e të mos konstatoj se niveli i përfaqësimit ka shënuar rënie. Posaçërisht nëse e dimë se dikur debatohej në mbledhjet e organeve partiake, në disa vazhdime, për shembull për të propozuar kandidat për udhëheqës të njësisë rajonale të Ministrisë së Financave në Komunën e Tetovës. Sot të drejtën ekskluzive për emërimin e Ministrave e ka kryetari i partisë. Dhe ky është dallim i madh, por jo për të mirë”, deklaroi Aliti.

Aliti potencon se përderisa nuk ka demokratizim të partive nga brenda, nuk ka asnjë gjasë që të kemi rritje të kualitetit të përfaqësimit në institucione. “Kjo rritje, do të ndodhë paralelisht me rritjen e vetëdijes kolektive politike. Nuk duhet të gjitha fajet t’ua lëmë udhëheqësive partiake”, potencon ai. Sipas raportit “Deputeti Im”, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 deputeti Kërste Mukoski nuk ka marr fare pjesë në asnjë seancë parlamentare. Njëri prej deputetëve i cili gjithashtu ka munguar në punën e Parlamentit është deputeti Nikolla Gruevski. Ai gjatë periudhës janar-qershor 2018-të është paraqitur vetëm 3 herë në kuvend. Gruevski vetëm një herë ka dal në foltore për ta marr fjalën, kurse ka parashtruar 73 amendamente. Më pas, ndër të parregulltit radhitet lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili në gjashtë gjysmës së parë të 2018-ës në Parlament është parë vetëm katër herë, kurse asnjëherë nuk ka dal në foltore. Me mungesa të shumta janë edhe deputetët Kërsto Mukoski dhe Sasho Vasilevski. Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela 38 herë ka qenë i pranishëm, ndërsa një hera ka marr fjalën në seancë plenare. Nga ana tjetër kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, 41 herë ka shkuar në Parlament, por në asnjë seancë plenare nuk e ka marrë fjalën.

Deputeti i cili me më së shumti ka dal në foltore është Panço Minov nga GROM-I. Ai 31 herë ka marr fjalën para deputetëve. Pas tij vijon deputeti i LSDM-së, Dime Velkovski, i cili gjatë kësaj periudhe 28 herë ka dal në foltore. Prej deputetëve shqiptarë në gjashtëmujorin e parë 2018, më së shumti në Parlament fjalën e ka marr Ejup Alimi – 26 herë. Në periudhën gjashtëmujore gjithsej janë sjell 178 ligje prej të cilave 83 janë nga sfera ekonomisë, 53 për sistemin politik, ndërsa 43 ligje janë për veprimtari publike. Janë mbajtur 16 seanca pune, 5 seanca për pyetje deputetësh, dy seanca për fjalime dhe një seancë solemne. Gjithsej janë mbajtur 24. Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të mbahen më 12 prill. (koha.mk)

Desk
By Desk January 9, 2020 19:15