PDK: Ideja e VV-se që t`ia falë Serbisë daljen në det, antikombëtare

Desk
By Desk March 6, 2020 20:01

PDK: Ideja e VV-se që t`ia falë Serbisë daljen në det, antikombëtare

Partia Demokratike të Kosovës e ka konsideruar tepër shqetësuese dhe të rrezikshme idenë e promovuar nga ministri i Integrimeve në qeverinë Kurti, Blerim Reka për t’i dhënë Serbisë dalje në detin Adriatik.

Kjo ide e tij, sipas PDK-së është rehabilitim i të gjitha përpjekjeve historike të Serbisë për ta zhbërë Kosovën dhe shtetin shqiptar.

Partia Demokratike e Kosovës e ka konsideruar këtë propozim si anti-kombëtar dhe mohues për shtetin e Kosovës.

“Ideologu serbomadh Cvijiq, duke dashur ta arsyetonte aneksimin e Shqipërisë së Veriut dhe daljen në Detin Adriatik, e kishte quajtur këtë hap si interes ekonomik dhe domosdoshmëri anti-etnografike”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Më tutje, PDK shton se Kurti duhet të reagojë me shkarkimin e ministrit Reka dhe të distancohet nga ky qëndrim.

Ky është reagimi i plotë i PDK-së:

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron tepër shqetësuese dhe të rrezikshme idenë e promovuar nga Qeveria e Albin Kurtit, përkatësisht Ministri i tij Blerim Reka, me të cilën do t’i bëhej një favor jashtëzakonisht i madh shtetit serb, ndërsa do të rrezikohej ekzistenca e shtetit të Kosovës.

Si kompromis për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Ministri i Vetëvendosjes ka propozuar që Serbisë t’i hapet korridori për daljen në Detin Adriatik.

Kjo ide e Ministrit të Vetëvendosjes është rehabilitim i të gjitha përpjekjeve historike serbe, që nga Naçertanje, luftërat ballkanike, projektet e Nikola Pashiqit, Jovan Cvijiqit, e Ivo Andriçit, për ta zhbërë jo vetëm Kosovën, por edhe shtetin shqiptar.

Ideologu serbomadh Cvijiq, duke dashur ta arsyetonte aneksimin e Shqipërisë së Veriut dhe daljen në Detin Adriatik, e kishte quajtur këtë hap si interes ekonomik dhe domosdoshmëri anti-etnografike.

Me një fjalë, atë që nuk kanë mundur ta bëjnë ideologët serbo-mëdhenj, që ishte përpjekje shekullore serbe për të dalë në Detin Adriatik, po mundohet ta realizojë një parti e vetëquajtur nacionaliste – Vetëvendosje.

Ky propozim është anti-kombëtar. I rrezikshëm në përmbajtje për kombin shqiptar, mohues për shtetin e Kosovës dhe nxitës i realizimit të aspiratave historike serbe për krijimin e Serbisë së Madhe, me qasje në Detin Adriatik.

PDK nuk do ta lejojë asnjë ide që cenon shtetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Kryeministri Kurti duhet urgjentisht të reagojë me shkarkimin e menjëhershëm të Ministrit Blerim Reka dhe të distancohet nga një qëndrim i tillë anti-kombëtar.

Desk
By Desk March 6, 2020 20:01