Pendarovski: Armata ka treguar profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim në përballjen me CoVid-19

Desk
By Desk April 30, 2020 13:14

Pendarovski: Armata ka treguar profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim në përballjen me CoVid-19

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, sot në “Vilën Vodno” priti pjesëtarët e Armatës, të cilët marrin pjesë në përballjen me pandeminë e Kovid-19.

Bëhet fjalë për pjesëtarë të Armatës, të angazhuar në Dibër, Qendër Zhupë dhe në Kumanovë, në zonat e krizës në kufirin verior dhe jugor dhe për sigurimin e objekteve dedikuar për karantinë, bëri të ditur pres shërbimi i Kabinetit të presidentit.

Pjesëtarët e Armatës në bisedën me presidentin Pendarovski ndanë një pjesë të përvojave, duke e informuar për bashkëpunimin e shkëlqyer me popullatën lokale gjatë angazhimit të tyre në dy muajt e fundit. Bashkëbiseduesit shfaqën kënaqësi që asnjëri nga pjesëtarët e Armatës nuk është infektuar me Kovid-19 gjatë kryerjes së detyrës në zonat e krizës.

Pendarovski u shprehu mirënjohje të gjithë pjesëtarëve të Armatës, për përpjekjet e bëra në përballjen me pandeminë me Kovid-19 dhe mbështetjen që ua japin institucioneve, veçanërisht Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe njësive të vetëqeverisjes lokale.

“Falë profesionalizmit dhe përkushtimit tuaj në përmbushjen e detyrave, Maqedonia e Veriut sot është anëtare e NATO-s, ndërsa Armata në vazhdimësi gëzon besim më të lartë te qytetarët”, tha presidenti Pendarovski.

Ai theksoi se pjesëtarët e Armatës, pa përjashtim, gjithmonë janë midis të parëve që ofrojnë ndihmë dhe mbështetje në gjendje krize, shpesh herë duke ndihmuar edhe në detyrat që janë kompetencë e institucioneve të tjera.

“Si komandant suprem jam krenar në përpjekjet tuaja të profesionalizmit, disiplinës dhe përkushtimit të lartë në këto kohëra të vështira. Gatishmëria juaj të ndihmoni atje ku më së shumti nevojitet duhet të jetë shembull për të gjithë ne.  Në momente kur e mbarë bota po përballet me pandeminë, ju na tregoni sa është e rëndësishme të jemi solidarë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Ju shpreh mirënjohje për punën tuaj të përkushtuar”, tha presidenti Pendarovski në takimin me pjesëtarët e Armatës. 

Desk
By Desk April 30, 2020 13:14