Pendarovski: RMV më e përgatitur se çdo shtet. Shekerinska: E vetmja pengesë, reformat brenda BE-së

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 17, 2019 19:19

Pendarovski: RMV më e përgatitur se çdo shtet. Shekerinska: E vetmja pengesë, reformat brenda BE-së

Kryetari i vendit, Stevo Pendarovski, ka pohuar se po bëhen përpjekjet e fundit diplomatike nga pala jonë për t’u siguruar data për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, sepse puna nuk është mbaruar dhe nuk është vendim final se për vendin tonë nuk do të ketë datë.

Sipas kryetarit të shtetit, Pendarovski, sot fillon mbledhja e Këshillit të BE-së në nivel të shefave të vendeve anëtare, kurse zgjerimi është në rend të ditës gjatë ditës së nesërme.

Por, sipas tij, edhe nëse nuk merret data për fillimin e bisedimeve në aspektin e sigurisë, shteti do të jetë në binarë të sigurta, por vendi ynë është si vendi më i përgatitur për inkuadrim që nga marrja e statusit kandidat.

“RMV sot është më e përgatitur se cilido qoftë shtet në historinë e BE-së, në momentet kur presim datë për bisedime, sepse kemi 14 vite përvojë në pritje. Në aspektin e sigurisë mund t’ju them se nuk do të ndodhë asgjë spektakolare, sepse siguria e RMV-së është e garantuar dhe fakti më i mirë për këtë që po flas tani është fakti se 24 nga 29 vende kanë ratifikuar anëtarësimin tonë për në NATO. Dhe ne definitivisht bëhemi anëtare e forcës më të madhe ushtarake në botë. Qëllimi ka qenë që të marrim datë, por kjo nëse nuk ndodh ne duhet të angazhohemi që të punojmë fuqishëm në këtë drejtim deri në anëtarësimin tonë të plotë në BE”,- deklaroi kryetari i vendit, Stevo Pendarovski.

Por, për ministren e Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska, i vetmi fakt i cili qëndron në mes RMV-së dhe datës janë reformat brenda Unionit dhe jo punët tonë që është dashtë t’i mbarojmë.

“E vetmja arsye, apo e vetmja barrierë që qëndron në mes nesh nuk janë punët tona të brendshme, sepse këtë e potencoi edhe vendi më skeptik, Franca, por reformimi i brendshëm i BE-së”,- theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska.

Shekerinska po ashtu komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Zaev se nëse nuk merret data mund të bie Qeveria, sipas Shekerinskës raporti është i qëndrueshëm.

“Partnerët e koalicionit të cilët qëndrojnë pas kësaj qeverie, kanë konsensus për dy pika thelbësore: Anëtarësimin në NATO dhe Anëtarësimin në BE. Dhe në të dyja këto drejtime kemi treguar se kemi bërë shumë punë dhe nuk shoh asnjë arsye që të hapen dilema për shumicën qeverisëse, sepse porositë të cilat i morëm nga Këshilli i ministrave ishte se ne punët tona i kemi përfunduar”,- tha ministri i Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska.

Shekerinska në fund potencoi se kritikoi partitë tjera politike që po gëzohen në këtë kohë kur vendi nuk po merr lajme aq të mira nga BE, dhe të njëjtën po e shndërrojnë në marketing për pika politike, duke harruar se pikërisht ato ishin të cilët sollën vendin në këtë pikë kritike, kur vendi vetëm para dy viteve nuk kishte kurrfarë perspektive europiane.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 17, 2019 19:19