Pendarovski takoi Shekerinskën, “Vendi ka bërë hapa historikë për në NATO dhe BE”

Desk
By Desk May 31, 2019 19:16

Pendarovski takoi Shekerinskën, “Vendi ka bërë hapa historikë për në NATO dhe BE”

Kryetari i shtetit, Pendarovski, dhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, u zotuan se bashkëpunimi i ngushtë i të dyja institucioneve në fjalë do të jetë i patjetërsueshëm për përmbushjen e obligimeve të kërkuara deri në anëtarësim të vendit në NATO dhe BE.

Nga ana tjetër, Pendarovski pohoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ka bërë hapa historikë për anëtarësim dhe për këtë duhet t’u jemi mirënjohës të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.

“Republika e Maqedonisë së Veriut ka bërë hapa historikë, hapa këto të cilat na kanë sjellë ftesën që të bëhemi anëtare e NATO-s dhe me këtë po përmbushet qëllimi ynë më i lartë strategjik. Unë do të insistoj deri tek Qeveria që të vazhdojnë të investojnë në ushtri, sepse duhet t’i arrijmë standardet e vendeve anëtare të NATO-s. Do të kërkoj nga Armata jonë që ajo të jetë mbrojtëse e vendit, por edhe promotore e sigurisë në rajon”,- deklaroi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.

“Parlamentet e 14 vendeve veç më kanë ratifikuar protokollin për anëtarësim. Këtyre ditëve informacione të mira vijnë edhe nga aleati ynë, ShBA. Pra, gjithë kjo përkrahje vjen si rezultat i punës sonë të palodhur për anëtarësim në NATO”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Shekerinska dhe Pendarovski po ashtu u ndalën edhe në zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës dhe tensionet e krijuara atje, si dhe idenë e ndryshimit të kufijve. Presidenti i vendit, Pendarovski, kërkoi që figurat politike në rajon ta ndalin vokabularin e tyre të vrazhdë, që çon në ndryshimin e territoreve.

“Institucionet tona relevante gjatë këtyre ditëve me shumë vëmendje janë duke e ndjekur situatën atje dhe në bazë të informacioneve situata është e qetë. Sa i përket idesë së ndryshimit të kufijve, ajo është një ide që nuk i përket shekullit 21, sepse në botën e sotme demokratike ne duhet përmes rrugës së dialogut t’i zgjedhin problemet dhe këto ide të vrazhda duhet të ndalohen”,- theksoi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.

“Edhe ne, edhe i gjithë rajoni, jemi të vetëdijshëm se rrezikimi i sigurisë dhe tensionimi i situatës në vendet tona fqinjë do të ketë pasoja negative edhe për ne. Në vend që vetëm të frikësohemi për sigurinë tonë, ne si shtet vendosëm të veprojmë. Për atë shkas në vitin 2017 ne vendosëm anëtarësimin në NATO me qëllim që të sigurojmë qetësi plotësuese edhe për ne edhe për rajonin”,- deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Të dy bashkëbiseduesit po ashtu konstatuan se Maqedonia e Veriut tanimë është para dyerve të NATO-s, ndërsa ka marrë nga Parlamenti Europian edhe sugjerim për hapjen e bisedimeve për anëtarësim dhe se në raportin e fundit nuk është dhënë asnjë sugjerim ku duhet të përmirësohemi si vend.

Desk
By Desk May 31, 2019 19:16