Uashingtonit nuk i pëlqen aspak kjo dhe pasi që në Bruksel nuk gjeti aleatin më të mirë për të disiplinuar Bullgarinë, mori iniciativën dhe filloi të ushtrojë presion mbi Sofjen, fillimisht me sanksione ndaj biznesmenëve bullgarë të lidhur me struktura të caktuara politike në vend, pastaj me raportet e Departamentit të Shtetit për Korrupsionin në vend.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po nisin një ofensivë të hapur diplomatike në rajon me qëllimin e vetëm për t’i dhënë fund politikave anakronike në këtë pjesë të Ballkanit. Mesazhet e dërguara nga Uashingtoni janë në drejtimin se nuk ka më vend për politikanët destruktiv, të cilët në vend që të ecin përpara, mbeten të mbërthyer në histori. Vështruar në një prizëm të tillë, Bullgaria ishte vendi që në të kaluarën e përdori kryesisht historinë për të penguar proceset integruese të Maqedonisë së Veriut, duke e ndalur procesin e zgjerimit dhe duke minuar besueshmërinë e vetë Bashkimit Evropian.
Autoritetet bullgare gjatë periudhës së kaluar kanë punuar hapur kundër interesave amerikane në rajon, duke bllokuar Maqedoninë e Veriut, duke vazhduar kështu me vetëdije të lënë hapësirë për përhapjen e ndikimit të palëve të treta dhe destabilizimin e mundshëm. Uashingtonit nuk i pëlqen aspak kjo dhe pasi që në Bruksel nuk gjeti aleatin më të mirë për të disiplinuar Bullgarinë, mori iniciativën dhe filloi të ushtrojë presion mbi Sofjen, fillimisht me sanksione ndaj biznesmenëve bullgarë të lidhur me struktura të caktuara politike në vend, pastaj me raportet e Departamentit të Shtetit për Korrupsionin në vend, i cili në një farë mënyre ishte një prelud i krizës aktuale politike në Bullgari, të cilës nuk po i dihet fundi. Mesazhi i fundit që politikanët të mos kthehen prapa dhe të merren me historinë erdhi nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, i cili tha se rajoni ka nevojë për liderë politikë të përkushtuar ndaj integrimit evropian, të hapur ndaj dialogut, të cilët do të merren me mundësitë e shekullit të 21, e jo me problemet e së shkuarës.
Deklarata vjen në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në nëntor në Bullgarinë fqinje, dhe në një farë mënyre është një lloj rekomandimi për qytetarët se cilët politikanë duhet të zgjedhin nëse duan që vendi të ecë përpara dhe të mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare. Ish diplomati Ljupço Arsovski deklaratën e Eskobarit e sheh si mesazh të drejtpërdrejtë dërguar Bullgarisë. “Kjo deklaratë u drejtohet drejtpërdrejt politikanëve bullgarë dhe kështu dërgon një mesazh të fortë se askush nuk duhet të ikë nga ajo që është rënë dakord. Veç kësaj, vjen në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare dhe në njëfarë mënyre është një lloj rekomandimi se çfarë duhet të zgjedhin qytetarët në votime”, thotë Arsovski. (koha.mk)