Nga partia e Mickoskit, VMRO-DPMNE kanë reaguar pas përurimit të monumentit për nder të dëshmorëve të UÇK-së në Sllupçan. Nga CMRO-DPMNE, thonë se komuna e Likovës po priste të hapte një fabrikë, ndërkaq monumentin e quajnë “gënjeshtër të BDI-së.”
“Është mirë që BDI të tregojë nëse ky projekt është nga agjenda e gjelbër, apo nga ajo standardja, kur duhet vjedhur, për të defokusuar vëmendjen me tema politike për përhapjen e nacionalizmit. Do të ishte mirë që Ahmeti t’ua shpjegojë përfitimin qytetarëve të Likovës nga monumenti, duke qenë se vendasit janë shpërngulur në mungesë dhe në pritje të pafund të investimeve. Likova ishte në pritje të një fabrike, dhe mori një tjetër marramendje, një monument dhe një gënjeshtër të BDI-së”, thuhet në reagimin e VMRMO-DPMNE-së.
E për këtë çëshjte u prononcua edhe zv.kryeministri, Artan Grubi. I pyetur për pjesëmarjen e sotme në Sllupçan për përurimin e monumentit në nderë të UÇK-së, Grubi deklaroi se i kushtohet luftërarëve të rënë në luftën e 2001 dhe se historia e re pas këtij viti duhet të shkruhet si histori moderne e vendit.
“Sot ishte dita e komunës së Likovës dhe me atë rast kryetari i komunës na ftoi të gjithëve, morëm pjesë në manifestimin e përurimit të monumentit, i cili u kushtohet të gjithë luftëtarëve të rënë, të gjithë viktimave të luftës së vitit 2001 dhe atë që z. Ahmeti tha, mendoj se ishte mesazhi më madhor nga ngjarja e sotme. Historia e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk mund të shkruhet pa UÇK-në, kështu që historia e re pas vitit 2001 duhet të shkruhet me atë episod të historisë moderne të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, theksoi Grubi.
Lidhur me deklarimet se si duhet të përjetohet ky monument, sqaroi se nuk ka asnjë qëllim të jetë kundër dikujt por të shënohet si moment historic siç është lufta e vitit 2001.
“Prandaj ky monument nuk është për ndarje por për bashkim dhe si i tillë duhet të përjetohet nga të gjithë qytetarët, sepse nuk përmban kurrfarë provokimi, nuk ka asnjë qëllim të jetë kundër dikujt, por të shënohet një moment historik siç është lufta e vitit 2001. Përndryshe, përgatitjet për këtë monument kanë nisur vite më parë, që kur kryetar komune ishte Sadulla Duraku dhe i ka kaluar të gjitha filtrat në procedurat komunale që të jetë plotësisht legjitim”, sqaroi për fund Zëvendëskryeministri i parë, Grubi. Flaka
Lexo, po ashtu: