Përkujtohet eksodi i vitit 1999

Përkujtohet eksodi i vitit 1999

Si sot shtatëmbëdhjetë vjet më parë, qytetarët e Kukësit pritën shqiptarët e Kosovës që kaluan kufirin.

Që nga  ajo kohë,  Sefedin Abiti, si shumë ish-refugjatë ka qenë edhe herë të tjera në Shqipëri, por kalimi në këmbë i kufirit për të inskenuar marshimin e vitit 1999 i ngjall të tjera emocione.

“Tani po e përjetojmë shumë mirë, ndërsa para shtatëmbëdhjetë vjetësh, duke qarë kemi dalë. Ka pasur të vrarë e të plagosur”, tregon ai.

Të udhëhequr nga ministra e kryetarë komunash, në anën tjetër të kufirit qytetarët u pritën nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe kryebashkiaku i Kukësit, Bashkim Shehu.

“Sot vijnë në kushte tjera, në kushtet e një Kosove të pavarur, një Kosove që synimin e ka drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Minxhozi.

Ndërsa ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati vlerësoi lart kontributin e Kukësit gjatë luftës në Kosovë.

“Ky rajon ka qenë jashtzakonisht i rëndësishëm për logjistikën e luftës së UÇK-së. Prej këtej kemi pasur përkrahje edhe me burime njerëzore dhe sot po ecim këtu për të përkujtuar atë ditë dhe të rënët”, tha Murati.

Nga pika kufitare e Morinës, rruga drejt Kukësit vazhdoi më pas me autobusë, ndërsa në qytet, në patronazhin e kryetarit të bashkisë, Bashkim Shehu, për miqtë nga Kosova u organizua një aktivitet kulturor.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 18, 2016 12:45

REKLAMA

PARTNER