Përkundër krizës, rriten kursimet

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Nëntor, 2021 20:29

Përkundër krizës, rriten kursimet

Kursimet e qytetarëve në banka kanë vazhduar të rriten, jo vetëm përgjatë krizës që ka shkaktuar pandemia, por edhe në pesë vitet e kaluara.

Kursimet e qytetarëve në banka kanë vazhduar të rriten, jo vetëm përgjatë krizës që ka shkaktuar pandemia, por edhe në pesë vitet e kaluara. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se në shtator të vitit 2016, ato kanë qenë 209,734 milion denarë apo 3 miliardë e 339 milion euro, për tu rritur në 297,702 milion denarë apo 4 miliardë e 825 milion euro në shtator të këtij viti. Deri në fund të muajit shtator qytetarët kanë kursyer në banka 154,062 milion denarë dhe 143,640 milion denarë në deviza. Bile të dhënat tregojnë se edhe në vitin e kaluar përkundër krizës shëndetësore që shkaktoi edhe krizë ekonomike, janë rritur kursimet e qytetarëve për mbi 200 milion euro. Gjithashtu edhe ulja e fitimeve nga kamatat e kursimeve në periudhën e kaluar ku vetëm në tre vitet e fundit ajo është zvogëluar për kursimet në denarë prej 2 për qind në 1.1 për qind, nuk ka ndikuar në uljen e kursimeve.

Ekonomistët thonë se në kohë krize qytetarët kursejnë në vend se të harxhojnë, duke shtuar se për një pjesë të qytetarëve, kursimet mbeten një nga opsionet e preferuara për të depozituar paratë në kasafortat e bankave, në vend të dilemave se sa ia vlen të investohet ndryshe. “Kursimi në radhë të parë ka një traditë të gjatë në vend, kursehet edhe për ditë të zeza, që vetëm është përforcuar si trend në kohën e fundit në kushte të stabilitetit dhe besimit ndaj bankave vendore. Njëherësh qytetarët nuk dinë mjaftueshëm por as nuk duan të investojnë në burime të tjera që do tu sjellin fitime, por edhe humbje eventuale si investimi në letrat me vlerë për shembull, apo shumica nuk kanë as mundësi dhe aq të holla që për shembull të blejnë banesa apo lokale afariste, apo nuk duan të rrezikojnë me investime të tilla”, vlerëson profesori universitar Neritan Turkeshi. Sipas tij, të dhënat udhëzojnë se edhe në kushtet e sfidave të ndryshme, besimi i qytetarëve në sistemin financiar vendor mbetet i lartë si rrjedhojë i stabilitetit të vendosur makroekonomik dhe financiar, stabilitetit të kursit devizor, rregullativës mirë të dizajnuar dhe sjelljes mjaft të kujdesshme të bankave.

Në ndërkohë analizat e Bankës Qendrore udhëzojnë se edhe në tremujorin e dytë të vitit 2021, përkundër rreziqeve për shkak të pandemisë po rriten kursimet apo depozitat e subjekteve jofinanciare, si në nivel tremujor ashtu edhe vjetor. Në raportin për rreziqet e punës së bankave thuhet se më 30 qershor 2021, i tërë potenciali i depozitave të bankave është 444.639 milion denarë, që është rritje prej 2,2 për qind në raport me fundin e marsit 2021 dhe rritje prej 7,8 për qind për një vit.

“Lëvizjet e tilla të subjekteve jofinanciare konfirmojnë besimin e opinionit në stabilitetin e sistemit, si dhe pasqyrojnë edhe masat ekonomike të shteti për të menaxhuar pasojat e krizës shëndetësore, përmes së cilës sigurohen mjete shtesë për kompanitë dhe amvisëritë për përmirësimin e likuiditetit apo disponimit me para të gatshme”, thuhet në analizën e BPM. Raporti më tej thekson se analizuar sipas bankave, katër bankat më të mëdha në tërësi e kushtëzojnë rritjen e kursimeve, ndërsa tek vetëm dy prej tyre bie 78 për qind e rritjes së fundit tremujore. Zgjatja e pandemisë është reflektuar edhe me ndryshimin e caktuar në tendencën e kursimit në denarë apo deviza si dhe kohëzgjatjen e kursimit, që shikohet përmes rënies së depozitave afatgjate dhe kontributit më të madh të depozitave devizore në rritjen e totalit të kursimeve të bizneseve dhe amvisërive së bashku. Megjithatë shkalla e kursimeve në euro po mbahet në një nivel relativisht stabil. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Nëntor, 2021 20:29