Kanë vazhduar përplasjet e partive për opsionin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ose formimin e shumicës së re. Sipas LSDM-së, kërkesa e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të shpejta vërteton se Mickoski nuk e ka të siguruar shumicën e re, ashtu siç pretendonte.
“Me muaj Hristijan Mickoski e gënjeu opinionin se vetëm sa nuk ka formuar shumicë të re parlamentare. Dje doli në shesh gënjeshtra e Mickoskit, shumicë të re parlamentare nuk ka. Shumica parlamentare është stabile dhe e përgjegjshme drejt të ardhmes së shtetit dhe popullit. Kjo shumicë parlamentare nuk do ta vendosë vendin në rrezik dhe nuk do të votojë për zgjedhje të shpejta parlamentare. Shumica do të fokusohet në reformat për shtetin, të tejkalojë pasojat e pandemisë dhe të përballet me krizën energjetike, si dhe fillimin e negociatave me BE-në”, thonë nga LSDM.
VMRO-DPMNE-ja sfidon Zaevin për zgjedhje të shpejta të parakohshme. Sipas tyre, vetëm një Qeveri e re e formuar nga vullneti i qytetarëve do të ketë legjitimitetin të përballet me krizat energjetike, ekonomike dhe shëndetësore që pasojnë dhe të zgjidhë problemet e shkaktuara nga pushteti aktual.
“Zoran Zaev dhe LSDM-ja nuk mund të jenë zgjidhja. Ata janë arsyeja për të gjitha problemet. Qytetarët me shumicë të madhe thanë se duan ndryshime. Mbi 50 mijë vota është dallimi mes listave të këshilltarëve mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Në terren kemi situatë të re dhe ajo duhet të reflektohet edhe në Kuvend. Vetëm me zgjedhje të reja vullneti i qytetarëve do të pasqyrohet edhe në Kuvend. Vetëm ashtu do të kemi qeveri stabile”, deklaroi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
VMRO-DPMNE-ja kishte njoftuar formimin e shumicës së re parlamentare disa muaj më herët. Me këtë ata synonin shkarkimin e Qeverisë së Zaevit dhe votimin e një Qeverie te re. Deri tani, nuk është e konfirmuar se nëse dhe cilët nga deputetët e shumicës aktuale ka gjasa t’i bashkohet opozitës për një shumicë të re. Raporti mes deputetëve është 62 të shumicës dhe 58 të opozitës./ Alsat