Përqendrimi i plumbit mbi nivelin e lejuar, hulumtohet toka në rrethinën e TEC Manastirit

Përqendrimi i plumbit mbi nivelin e lejuar, hulumtohet toka në rrethinën e TEC Manastirit

Është rritur përqendrimi i plumbit në rrethinën e TEC Manastirit. Kështu kanë treguar rezultatet e hulumtimit që është realizuar në 19 fshatra të Manastirit. Fshati Poeshevë, është një prej fshatrave ku është regjistruar prani e shtuar e plumbit, manganit dhe kromit.

“Arsyeja mund të jetë individuale. Ndoshta në atë lokacion më parë ka pasur disa aktivitete të cilat kanë lënë gjurmë në vetë dheun. Kemi shembull të tillë edhe në fshatin Brusnik, ku ka përqendrime më të larta të plumbit nga fshatrat përreth, dhe erdhëm në përfundim se në këtë vend më parë shumë njerëz kanë shkrirë kabllo dhe gjësende të tjera plumbi. Ndoshta për këtë arsye toka i ka absorbuar”, ka deklaruar Mite Ristov, profesor i gjeografisë.

Përqendrime të larta plumbi janë regjistruar edhe në lagjen e Manastirit, Borimeçka, me siguri për shkak të pjesës industriale të Manastirit dhe aktiviteteve të fabrikave. Situatë e tillë është regjistruar edhe në fshatrat që gjenden rreth Kombinatit energjetik  të minierave, i cili përmes qymyrit është prodhuesi më i madh i rrymës në vend.

“Filluam me punë në terren. Morëm mostra nga 19 fshatra nga rrethina e Manastirit dhe pastaj i përpunuam në laborator. Sipas analizave i morëm rezultatet, të cilat treguan se rrethina e Manastirit nuk është aq e ndotur me metale të rënda, përveç me plumb, i cili është i pranishëm në më shumë fshatra”, tha nxënësja Elena Zdravkovska.

Këto metale ndikojnë në mënyrë negative mbi sipërfaqet bujqësore.

“Normalisht, metalet e rënda ndikojnë në mënyrë të dëmshme mbi kulturat bujqësore. Bimët i absorbojnë përqendrimet e plumbit, e pastaj këto fruta përfundojnë në treg dhe ne i konsumojmë. Në ato lokacione ku ka përqendrime të larta, do të duhet të bëhet masë parandaluese”, shtoi profesori Ristov.

Në këtë projekt ishin përfshirë profesorë të kimisë dhe 7 nxënës nga Gjimnazi “Josip Broz Tito”. Projekti ka marrë mbështetjen e Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 19 Janar, 2020 18:58

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.