Petkov vjen të martën, opozita akuzon se po fshihen detaje nga bisedimet

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 14 Janar, 2022 21:55

Petkov vjen të martën, opozita akuzon se po fshihen detaje nga bisedimet

Kryeministri bullgar Petkov sot del nga izolimi, dhe të martën vjen në vizitën e tij të parë zyrtare në Maqedoni, përcjell FLAKA.

Takimi Petkov-Kovaçevski është paralajmëruar si kapitull i ri në negociatat mes dy vendeve, por edhe përgatitje për seancën e parë ndërqeveritare, e cila ndoshta do të mbahet më 25 janar në Sofje.

Fokusi i bisedimeve do të jetë ngritja e 4 grupeve të punës, i pari për ekonominë, tregtinë dhe inovacionin; e dyta për infrastrukturën dhe lidhjen; e treta për integrimin evropian dhe politikat e gjelbra dhe e katërta për kulturën dhe arsimin. Qëllimi i tyre do të jetë rivendosja e besimit midis dy palëve dhe defokusimi i mosmarrëveshjes në çështjet historike.

Në pritje të vizitës, por edhe dy ditë pas akuzave të zëvendëskryeministrit Dimitrov se Qeveria po dorëzohet ndaj kërkesave bullgare, reagimet nuk zbuten. Opozita ende pyet se çfarë përmban përgjigja e Maqedonisë për paketën bullgare 5+1.

“Derisa Dimitrov akuzon për tradhti, Kovaçevski hesht me mençuri se çfarë përgjigjesh i ka dhënë Maqedonia për paketën 5 + 1 të dërguar nga Sofja si parakusht për mbështetjen e kornizës negociuese dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Fjala vjen, kjo qeveri e delegjitimuar e LSDM-së pret një qëndrim nga Bullgaria për këto përgjigje. Edhe pse, askush nuk e di se çfarë kanë negociuar Zaev, Dimitrov dhe Osmani. A do të manipulohet sërish publiku maqedonas dhe pas përkushtimit deklarativ se do të respektohet Rezoluta, Kovaçevski do të minojë pozitat maqedonase në gjurmët e mentorit të tij Zaev?” thotë Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

Ministrja Mariçiq, i cili të hënën pritet të marrë postin e zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, pohon se Qeveria nuk i fsheh qëndrimet e saj, as nuk negocion për identitetin dhe gjuhën.

Përkundër paralajmërimeve për relaksim të marrëdhënieve dhe distancimin e tyre nga çështjet historike, Petkov ende arrin në Shkup me dokumentin që para katër ditësh e miratoi Këshilli i Sigurisë Kombëtare Bullgare.

Dokumenti, i cili konfirmon qëndrimet e forta bullgare për integrimet evropiane të Maqedonisë, parasheh që vetoja të mbetet deri në pranimin e kërkesave bullgare, pa u përkushtuar për afate. FLAKA

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 14 Janar, 2022 21:55