Petrovska mohon se ka pasur probleme me sigurimin e ushtarëve për grupet luftarake të NATO-s në Rumani dhe Bullgari

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Nëntor, 2022 00:53

Petrovska mohon se ka pasur probleme me sigurimin e ushtarëve për grupet luftarake të NATO-s në Rumani dhe Bullgari

Për pretendimet e bëra në postim, se ka pasur presion nga oficerët e NATO-s të SHBA-së ndaj ministres së Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, për faktin se gjoja nuk ka mundur të sigurojë një mijë ushtarë të ARM-së që të përfshihen në Bullgari dhe Rumani, nuk tregohet asnjë burim i vetëm, as deklarata e dikujt dhe as më afër se nga e ka origjinën kjo (dez)informatë. Në një prononcim për Vërtetmatësin, ministrja Petrovska i hodhi poshtë pretendimet e tilla

Recensojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook, në të cilin thuhet:

Ekskluzive!!!! Ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka, kohët e fundit është nën sulmin e oficerëve të NATO-s të Shteteve të Bashkuara, për shkak të pamundësisë së saj për të siguruar 1000 ushtarë të cilët duhet të dërgohen në Bullgari dhe Rumani më së voni deri në mes të nëntorit.
Gjegjësisht, ajo ka pasur probleme me sigurimin e numrit sepse shumë ushtarë profesionistë nga shtabi i ARM-së nuk kanë dashur të jenë në listë. Shumë prej tyre kanë shkuar në pushim mjekësor dhe spekulohet se jo pak prej tyre kanë dorëzuar dorëheqje nga puna.
Ata që ranë dakord nuk përmbushnin kriteret e NATO-s, sepse aleanca ushtarake kërkonte në mënyrë specifike profesionistë me përvojë nga Iraku dhe Afganistani.
Paniku në mesin e ushtarëve të ARM-së u ngrit pasi ata morën vesh për mbërritjen e njësisë elitare të zbarkimit të SHBA-së Screaming Eagles në Rumani, përfaqësuesit e së cilës deklaruan publikisht se janë gati të hyjnë në territorin ukrainas, që de fakto nënkupton fillimin e një konflikti ushtarak me ushtrinë ruse.
Konflikti është gjithnjë e më i sigurt, objektivat janë Moldavia dhe Rumania dhe detajet do t’ju tregoj në emisionin e sotëm.

Për pretendimet e bëra në postim, se gjoja ka pasur presione nga oficerët e NATO-s të SHBA-së ndaj ministres së Mbrojtjes, sepse gjoja nuk ka mundur të sigurojë një mijë ushtarë të ARM-së që të përfshihen në Bullgari dhe Rumani, nuk përmendet as edhe një burim i vetëm, as deklarata e dikujt, as nuk e lokalizon më afër se nga e ka origjinën ky pretendim. Më 6 shtator 2022, Qeveria në mbledhjen e 79-të me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, pas prezantimit të informacionit për nevojën e dërgimit të pjesëtarëve të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në grupin luftarak të NATO-s në Republikën e Bullgarisë dhe në Republikën e Rumanisë, mori vendime të veçanta për dërgimin e njësive të ushtrisë në të dy vendet.

Detyra e grupit luftarak të NATO-s është, si pjesë e aktiviteteve të vigjilencës së zgjeruar të NATO-s (NATO enhanced Vigilance Activities- NATO eVA), të forcojë mbrojtjen e kufijve lindorë të NATO-s në Republikën e Bullgarisë dhe në Republikën e Rumanisë.

Realizimi i aktiviteteve forcon partneritetin dhe bashkëpunimin në mes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe aleatëve të tjerë në kuadër të NATO-s dhe në të njëjtën kohë ndikon në zgjerimin e bashkëpunimit bilateral të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Republikën e Bullgarisë, me Republikën e Rumanisë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me aleatët e tjerë dhe vendet e tjera, të cilat do të kontribuojnë në grupin luftarak me personel dhe pajisjeu njoftua nga Qeveria më 9 shtator të këtij viti.

Vërtetmatësi i është drejtuar ministres së Mbrojtjes Slavjanka Petrovska lidhur me pretendimet nga postimi që po e recensojmë me pyetjen se a janë të vërteta.

E pasaktë nga fillimi deri në fund. Komenti se ushtarët “ikën” me pushim mjekësor është më fyes. Në periudhën e kaluar kam qenë dhe jam subjekt i sulmeve nga njerëz që nuk e pëlqejnë qëndrimin tim në mbështetje të Ukrainës dhe nuk jam e zemëruar me ta, por jam e indinjuar nga ofendimet e drejtuara ndaj pjesëtarëve të ushtrisë se ikin. Ushtria është krenaria e këtij vendi dhe unë jam krenare për sukseset e tyre, na tha Petrovska.

E pyetur nëse ka probleme në kuptimin e mos sigurimit të kapaciteteve, gjegjësisht ushtarëve të mjaftueshëm nga vendi që duhet të dërgohen në Rumani dhe Bullgari, Petrovska u shpreh:

Në proces është përzgjedhja, listat që duhet të rezultojnë nga ajo përzgjedhje nuk më janë dorëzuar ende për miratim. Dje pata një takim pune me shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe më konfirmoi se përzgjedhja është në vazhdim e sipër dhe nuk tregoi se kishte ndonjë problem.

Ndërkohë, përzgjedhja ka përfunduar dhe tashmë mediat kanë bërë të ditur se janë përzgjedhur 30 ushtarët që do të marrin pjesë në këtë aktivitet. Pra nuk bëhet fjalë për 1000 ushtarë, siç thuhet gabimisht në postimin që po e recensojmë, por vetëm për 30. Ata janë zgjedhur me regjistrim vullnetar, andaj nuk ka pasur nevojë që “shumë” të shkojnë në pushim mjekësor dhe as nga ana tjetër, për të dorëzuar dorëheqje, siç thuhet edhe në mënyrë të pasaktë në postim. Ndërsa, në veçanti, nuk ka pasur panik, sepse një person në panik nuk paraqitet për të bërë diçka, që është arsyeja e panikut të supozuar të tij. Edhe një tjetër dezinformim, si gjithë të tjerët.

Për të gjitha faktet e mësipërme, konsiderojmë se ajo që është paraqitur në postim, e cila është objekt i këtij shqyrtimi, nuk është e saktë.


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre


Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Nëntor, 2022 00:53

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare