Pika të zeza apo të ndritshme?

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 7 Shkurt, 2024 20:26

Pika të zeza apo të ndritshme?

Ditmir Bushati  |

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një pjese të mirë të popullsisë së botës. Në kuptimin e sigurisë, pikënisja e vitit 2024 mund të jetë 7 tetori i vitit të kaluar kur u rindez konflikti i përgjakshëm në Lindjen e Mesme apo 24 shkurti i vitit 2022 kur Rusia vendosi të pushtojë Ukrainën.

Këto dy konflikte të mëdha kanë sjellë një ndarje të re botës. Pas pushtimit të Ukrainës, perëndimi udhëhoqi një shumicë shtetesh në Kombet e Bashkuara, që dënuan agresionin e pashembullt rus. NATO rifitoi arsyen e ekzistencës së vet, përshtati konceptin e strategjisë dhe zgjeroi perimetrin e sigurisë në Europë duke mikëpritur anëtarë të rinj. Elementi më befasues i historisë ishte përgjigjja e BE-së. Historia e paketës së sanksioneve ndaj Rusisë, përqasja politike me afrimin e Ukrainës në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në BE, ndihma ekonomike dhe ushtarake ndaj saj është dëshmi e unitetit të BE-së, përtej pritshmërive të zakonshme. Pasi nuk duhet të harrojmë faktin se Rusia ka qenë tradicionalisht një nga elementët më përçarës dhe polarizues në politikën e jashtme europiane.

Rindezja e konfliktit të përgjakshëm në Lindje të Mesme e përmbysi epërsinë e perëndimit përkundrejt pjesës tjetër të botës, për shkak të ndarjeve katastrofike brenda BE-së dhe vetë perëndimit. Dhe askund kjo nuk ishte më e dukshme se sa në votimet që u zhvilluan në OKB, ku perëndimi ishte i përçarë. Ky konflikt, i cili shoqërohet me vërshimin e refugjatëve në kufijtë e BE-së ka një ndikim të madh në politikën e brendshme europiane. Shto këtu nxitjen e valëve të reja të antisemitizmit dhe islamofobisë në Europë, sikundër kërcënimin në rritje të terrorizmit.

Dy luftrat e mësipërme sollën edhe një rreshtim të ri përsa i përket prioriteteve. Për SHBA-të në veçanti, sigurimi i mbështetjes së mëtejshme ushtarake ndaj Ukrainës ka kaluar në plan të dytë, për shkak të konfliktit në Lindje të Mesme. Kjo shihet qartë edhe nga intensiteti diplomatik i pesë vizatave të sekretarit ameriakan të shtetit në Lindje të Mesme që prej 7 tetorit.
Megjithatë, përfundimi i konfliktit, zgjidhja e qëndrueshme dhe e pranuar nga palët nuk duket në horizont. Cilidoqoftë rezultati në tërren, një rritje dramatike e radikalizimit mbetet kërcënim kryesor për periudhën në vijim. Hebrenjtë izraelitë, e ndjejnë veten të izoluar dhe madje gjykuar pasi u përballën me dhunën më të keqe kundër tyre që nga holokausti. Ndërsa palestinezët përballen me atë që ata e konsiderojnë krim kundër njerëzimit, pa mundësi për paqe dhe pa perspektivë. Ndarjet e thella politike mbi konfliktin shtrihen në të gjithë Lindjen e Mesme dhe me ndikim në mbarë botën.

Izraelitët do të kuptojnë se edhe nëse mund të neutralizojnë Hamasin, ata nuk do të jenë kurrë të sigurt pa një marrëveshje rajonale të sigurisë dhe pa një normalizimim të plotë të marrëdhënieve me fqinjët e tyre arabë, duke u mbështetur në Marrëveshjet e Abrahamit. E gjithë kjo nuk do të jetë e mundur pa një rrugë të sigurt drejt një shteti palestinez.

Në këtë çështje mesazhet e takimit të përvitshëm të Davosit ishin disi optimiste, edhe pse nuk duhet harruar se dy vjet më parë askujt prej pjesëmarrësve në Konferencën e Sigurisë së Mynihut nuk ia priste mendja që pas pak ditësh Vladimir Putin do të pushtonte Ukrainën. Sekretari amerikan i shtetit Blinken deklaroi se “vendet arabe dhe vendet myslimane edhe përtej rajonit janë të përgatitura të kenë një marrëdhënie me Izraelin përsa i përket integrimit të tij, normalizimit të tij, sigurisë së tij, çka nuk ka qenë rasti më parë, në mënyrë që Izraeli jo vetëm të integrohet, por të ndihet i sigurt në rajon”. Të njejtën gjë konfirmoi edhe ministri i jashtëm saudit Faisal Bin Farhan, teksa deklaroi se “vendi i tij mbetet i përkushtuar ndaj normalizimit me Izraelin me kushte të qarta dhe angazhim për një shtet palestinez”.

Ndërkohë agonia që sjell lufta në Urainë, e cila shënon vitin e dytë të saj, krijon një situatë pasigurie për ukrainasit dhe frustrimi për europianët. Si çështje kyçe për sigurinë, përfundimi i luftës në Ukrainë përbën përparësi për Europën në vitin 2024. Nëse BE-ja nuk mund të sigurojë paqe dhe stabilitet në lindje të saj, konfliktet dhe paqëndrueshmëritë atje mund të përhapen gradualisht drejt pjesës tjetër të kontinetit. Ballkani Perëndimor, është një zonë ku për shkak të konflikteve të papërfunduara që nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, roli përçarës i Rusisë shikohet si kërcënim për stabilitetin rajonal.

Në këtë pikë BE-ja shfaqet anemike, për shkak të mungesës së unitetit në trajtimin e çështjeve të papërfunduara të shtetësisë dhe tolerimit të Serbisë si prishëse e stabilitetit rajonal. Përkundrejt pritshmërive për një kthesë të fortë, e vërteta e hidhur është se Ballkani Perëndimor është po aq larg BE-së në planin politik dhe ekonomik sa ç’ishte para realietit të ri gjeopolitik që jetojmë në Europë, pavarësisht përsëritjes së retorikës përbetuese të dyanshme për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, si synim strategjik i dyanshëm.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 7 Shkurt, 2024 20:26

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare