Platforma digjitale e mësimit E-klasa në dispozicion për nxënësit

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 24, 2020 19:43

Platforma digjitale e mësimit E-klasa në dispozicion për nxënësit

Platforma digjitale E-klasa me video mësime dhe aktivitete për mësim përmes lojës këtë pasdite është në dispozicion në adresën e internetit www.eduino.gov.mk. Kjo Platformë Kombëtare e mësimit në distancë është vënë në funksion për ta mundësuar vazhdimin e procesit edukativo-arsimor për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në kushte kur për shkak të Kovid-19 mësimi i rregullt është në ndërprerje.

Platforma është zhvilluar dhe organizuar përmes bashkëpunimit të Ministrive së Arsimit dhe Shkencës dhe Punës dhe Politikës Sociale, Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe UNICEF.

Mësuesit përmes E-klasës marrin mjete për mbështetje të mësimit në distancë për fëmijët të cilët përkohësisht nuk shkojë në shkollë. Prej zyrës së UNICEF theksojnë se platforma ishte planifikuar të lëshohet nga fundi i këtij viti, por pasi shkollat u mbyllën më 10 mars, UNICEF dhe partnerët i mobilizuan të gjitha burimet e mundshme që platforma të vihet në dispozicion menjëherë, duke shtuar veçori shtesë, së bashku me video të ligjëratave nga mësuesit.

Edhe pse fillimisht e dedikuar për parashkollorë dhe nxënës të shkollave fillore, shtrirja e platformës tani është zgjeruar në arsimin fillor dhe të mesëm. Materiali që aktualisht është duke u ngarkuar është përqendruar në materialin që do të mbulohet deri në fund të vitit shkollor. Ofrohen video-leksione përkatësisht përpunim të njësive të metodës për të gjitha klasat dhe të gjitha lëndët obligative, të cilat zgjasin nga 15 minuta dhe do të shoqërohen me prezantim, tregim dhe sqarim nga mësimdhënësit.

“Ekipet tona kanë punuar ditë e natë dy javët e kaluara për të dalë me zgjidhje që nuk do ta cenojnë të drejtën e fëmijëve për arsim për shkak të masës së sapovendosur për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit në vend.” Shkalla e solidaritetit midis të gjithë atyre që punojnë në sektorin e arsimit së bashku me mësuesit që janë vullnetarë për ta mbështetur iniciativën është dëshmi se njerëzit në kohë krize bashkohen”, deklaroi Patricia di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it në vend.

Më shumë se një mijë mësues në të gjithë vendin i janë përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe UNICEF-it për t’u bërë vullnetarë në incizimin e mësimeve në të gjitha gjuhët e mësimit, duke përfshirë gjuhën maqedonase, shqipe, turke, boshnjake dhe serbe. Deri më tani kanë arritur mbi 400 video-orë dhe çdo ditë do të ngarkohen në platformë.

Ministri Arbër Ademi sot në pres konferencë duke kumtuar për platformën digjitale kombëtare për edukim kumtoi se interesi është i madh për paraqitjen e video-leksioneve, ato janë duke u shqyrtuar me kujdes që përmbajtja të mos përsëritet.

“Kemi aplikime për mbi 1000 leksione, ndërsa kanë arritur rreth 400. Padyshim që presim që shifra të rritet në ditët në vijim, ndërsa ndërkohë po bëjmë thirrje për durim deri në mbushjen e plotë me përmbajtje për të gjitha klasat dhe të gjitha lëndët, tha Ademi, i cili theksoi se pret që prej nesër platforma të jetë në dispozicion dhe të zbatohet nga shkollat për edukim-onlajn të nxënësve.

Kjo mënyrë e arsimit deri sa të zgjasë periudha e krizës do të bëhet formale dhe nga ajo që është mësuar do të varet rezultati me të cilin çdo nxënës do ta kryej vitin shkollor.

UNICEF thekson se platforma fillimisht kishte për qëllim të shërbente si një hapësirë ku mësuesit, arsimtarët dhe prindërit do të gjenin ide për zbatimin e mënyrave të reja të të mësuarit përmes lojës dhe mjeteve krijuese që e inkurajojnë zhvillimin socio-emocional të fëmijëve nga 3 deri në 10 vjeç.

E-klasa e plotëson iniciativën për TV-klasë e cila filloi një javë pasi u mbyllën shkollat mbyllet dhe e cila transmetohet në RTVM, si dhe mjete të tjera që përfshijnë një shumëllojshmëri të platformave digjitale dhe aplikacione për mësim në shtëpi që MASH tashmë i ka rekomanduar.

E-klasa është pjesë e iniciativës së UNICEF-it, e financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Shkup, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Byron për Zhvillimin e Arsimit, ndërsa e zbaton SmartAp- Laboratori për inovacione shoqërore.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka March 24, 2020 19:43