Po vjen kryeministri i tretë shqiptar në Ballkan. Për të katërtin ka marrëveshje në Shkup

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 28 Prill, 2022 14:42

Po vjen kryeministri i tretë shqiptar në Ballkan. Për të katërtin ka marrëveshje në Shkup

I mandatuari për kryeministër të Malit të zi, Dritan Abazoviç propozoi zyrtarisht  strukturën dhe përbërjen e Qeverisë, për të cilën deputetët do të vendosin në seancën e Kuvendit në Cetinje. Nëse merr shumicën në Kuvend, Abazoviç do të jetë kryeministri i tretë në Ballakan me prejardhje shqiptare. Edi Rama dhe Albin Kurti do të kenë homologun e tyre në Podgoricë, njofton Flaka

Ndërkohë që edhe në Maqedoninë e Veriut ka një marrëveshje politike mes partnerëve të koalicionit qeveritar që në 100 ditëshin e fundit të mandatit katër vjeçar, kryeministër të zgjidhet një kuadër shqiptar. Me këtë, shqiptarët do të kishin katër kryeministra në po aq shtete të Ballkanit.

Ndryshe, në Mal të Zi ekzekutivi i ri do të ketë 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol, siç ishte paralajmëruar më pare. Bie në sy propozimi për dy ministra shqiptarë, Fatmir Gjeka, i cili për dy vjet ka qenë kryetar bashkie i Ulqinit e do të mbajë postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriu dhe të Pakicave dhe Marash Dukaj si Ministër i Administratës Publike.

Abazovic është shprehur më herët se Qeveria e tij do të ketë mbështetjen e 46 deputetëve, nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi. Mbështetje parlamentare për këtë Qeveri ka paralajmëruar edhe Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit malazez, Millo Gjukanovic, por pa pjesëmarrje në të. Shtylla e këtij ekzekutivi, i cili kundërshtohet fuqishëm nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, si dhe Demokratët – dy subjekte që kanë përbërë koalicionin e deritashëm qeveritar, do të jetë sipas Abazovicit, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.

Në tremujorin e parë të punës së Qeverisë së re, është planifikuar një projektligj për regjistrimin e popullsisë, në përputhje me standardet europiane, një cështje delikate kjo, për shkak se regjistrimi i popullsisë shkakton tensione në Mal të Zi, sepse për një pjesë të opinionit politik ai nuk është çështje statistikore, por çështje e regjistrimit kombëtar dhe fetar.

Qeveria e re pritet të zgjidhet gati tre muaj pas në parlamentin malazez u votua mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapic, e krijuar dhjetorin e 2020-tës nga një koalicion midis Frontit Demokratik – pro serb – Demokratëve, dhe Lëvizjes URA. Dallimet e thella në qëndrime megjithatë mes partnerëve të koalicionit – disa pro-serbë, disa pro-evropianë – u shpërfaqën shumë shpejt, duke ndikuar edhe në vendimmarrje.

Top Channel

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 28 Prill, 2022 14:42
  • Ndiqeni faqen tonë në Facebook për lajmet më të fundit dhe për prodhimet tona më të reja multimediale.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Instagram me përmbajtje të veçantë dhe informuese – fotogaleri, video dhe infografika.
  • Abonohuni në kanalin tonë në Youtube për videove ekskluzive nga të katër anët e globit.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Twwiter për t’u informuar vazhdimisht për zhvillimet më të fundit në Maqedoninë e Veriut, në rajon dhe në botë.