Podcast nga Driton Zenku: Tanja, shqiptarët dhe Kosova

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Dhjetor, 2023 11:10

Podcast nga Driton Zenku: Tanja, shqiptarët dhe Kosova

Podcast nga Driton Zenku

Tragjedia që i ndodhi familjes Gjorçevska, për të satën herë dëshmoi predispozitën e qarqeve të caktuara në shoqërinë tonë, për të etiketuar rastet me prapavijën etnike.

Ngjarja me zhdukjen dhe më pas gjetja e trupit të pajetë të vogëlueshes 14 vjeçare, Tanja Gjorçevska, u tentua të intepretohet në konotacion etnik.

Edhe ky rast, nxiti luftërat speciale për gënjeshtra të paskrupullta të opinionit publik duke keqpërdorur figurat fetare, me qëllim të defokusimit të hetimeve dhe shkaktimit të intolerancës ndëretnike dhe ndërfetare.

Qarqe anonime tentuan të shpërqendrojnë vëmendjen e policisë, të mashtrojnë opinionin dhe të përhapin informacione të rreme se Vanja ishte gjetur.

Në këtë mënyrë ata luanin edhe me ndjenjat e familjes që jetonte në agoni të thellë, gjersa edhe vëmendja e opinionit publik ishte fokusuar plotësisht tek rasti.

Gënjeshtra rrodhi nga një llogari e rrejshme që paraqitej si “Xhami në Podujevë”. Personi që përdori këtë profil të rremë komentoi se vajza është në Kosovë dhe se është mirë.

Portali maqedonas, Kurir madje publikoi një informacion se gjoja nga burime të hetimit, ka mësuar se 14-vjeçarja Vanja Gjorçevska, është gjetur gjallë dhe shëndosh në një shtet fqinj, duke aluduar në Kosovën.
Profili i rremë në Facebook kishte një foto të një figure fetare islame. Investigimi i mediave rezultoi që profili i rremë në Facebook që shfaqte një person fetar islamik, kishte të bëjë për imami Arbër Berisha nga Tropoja e Shqipërisë.

Propaganda e zezë mbërriti aq largë sa lideri i partisë maqedonase “Koncepti Maqedonas”, Petar Bogojevski, pa asnjë informacion të besueshëm shfaqi aludime se shtetas të Kosovës qëndrojnë pas rastit.
Një gënjeshtër e paskrupullt dhe me paramendim. Dhe derisa opinioni ishte përqëndruar tek fati i 14 vjeçares, propaganda vazhdonte të shpërqëndronte vëmendjen.

Ndërkohë që pasditën e së dielës u konfirmua lajmi i kobshëm që në afërsi të Shkupit është gjetur trupi i pajetë i të miturës Vanja Gjorçevska.

Edhe në këto momente delikate dhe tejet të ndjeshme, dikush tentonte të dezinformon opinionin, duke dashur që rastit t’i kepet konotacion etnik dhe fetar.

Përshkak të spekulimeve dhe dezinformatave, sipas të cilave ky rast ka prapavijë etnike, Prokuroria u detyrua të njofton opinionin që të gjithë të dyshuarit rreth rastit, janë të përkatësisë etnike maqedonase.
Pas publikimit të komentit nga profili i rremë, qytetarë të shumtë e besuan atë, ndërsa një pjesë e mediave e publikuan lajmin pa kontrolluar dhe duke iu referuar burimeve nga hetimi që në fakt nuk ekzistojnë.

Qarqet që tentuan të manipulojnë opinionin, hodhën zjarr mbi ndjeshmërinë ndaj impaktit që mund të ketë raportimi për të zgjidhur apo dëmtuar një çështje, apo edhe për të nxitur urrejte ndëretnike e ndërfetare.

Për të satën herë, u tentua që tu vihet flaka sidomos raporteve ndëretnike, gjersa në Shkup po mbahej samiti i OSBE-së.

Kush garantonte që nga dezinformatat e tilla në rrugët e Shkupit nuk do të shkaktoheshin incidente etnike, ashtu siç shumë herë kemi qenë dëshmitarë.

Ku mund të arrinin incidentet e tilla, për këtë duhet të mbajnë llogari institucionet ligjzbatuese të shtetit.
Ka mënyrë për të zbuluar profilet e rreme në rrjetet sociale, dihet identiteti i politikanit maqedonas që paragjykoi rastin dhe dihet identiteti i portalit që shpërndau lajmin e rrejshëm. Dihet dhe cilat politika mbështet politika redaktuese e këtij portali dhe nuk kush financohet.

Nëse mbyllet një portal për nxitje të urrejtes ndëretnike nuk është cënim i fjalës së lirë dhe nëse një politikani i merret e drejta të merret me aktivitet publik, nuk është diktaturë. Është fuqia e ligjit në një shtet të së drejtës dhe mundësive të barabarta.

Institucionet duhet të veprojnë për të frenuar burimet që nxisin urrejtjen, pasi rreziku për të shkaktuar incidente me karakter ndëretnik është permanent. Në çdo moment dhe çdo rast, dikush përpiqet të kamufllon dhe nxitë urrejtje ndëretnike e ndërfetare.

Rasti me Vanjën e dëshmoi të kundërtën e anës së zezë që qarqe antishqiptare tentuan ta paraqisnin. Në rrjetet sociale po qarkullojnë me qinda e mijëra mesazhe nga shqiptarët që shprehin ngushëllime e keqardhje për privimin nga jeta të 14 vjeçares.

Ndal albanofobisë, ndal islamofobisë, ndal keqpërdormit të ndjenjave njerëzore, ndal stereotipeve, ndaj provokimeve, ndal shovenizmit etnik e fetar në Maqedoninë e Veriut. Flaka Media Group

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Dhjetor, 2023 11:10

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare