POEZI | Poetja Vera Istrefaj vjen me Gjethanajë shpirti !

POEZI | Poetja Vera Istrefaj vjen me Gjethanajë shpirti !

Libri i shtatë me poezi i poetes Vera Istrefaj vjen në duart e adhuruesit të fjalës së bukur në stinën e vjeshtës dhe përkon me këtë stinë. “Gjethnajë shpirti”, titullohet cikli i fundit me poezi të autores nga Kukësi, shkruan Flaka 

Titulli i ri nga poetja Istrefaj vjen me 72 poezi të përzgjedhura nga obusi i saj krijues. Ditë të brishta, Flatra shpresës, Drithërimë,  Frikë, Sirtaret e zemrës, Shtrat trishtimi, Lëndinë shpirti, Velat e shpirtit, Dhimbje grykëzënë, Britmë trishtimi, Hapsirë, Çelës i mendjen time, Lumë i qetë, Në dridhje qerpiku, Lodhje buzëqeshjesh, Terri i brengës, Rrezja e agimit, Peshë dëbore mbi petal, Në prehër të Pashtrikut, Në kthetra të ëndërrës, si dhe lule mbi varr zemre, janë ndër titujt e poezive të përmbledhura në këtë përbledhje poetike të autores Istrefaj.

Kujtojmë që Vera Istrefaj është lindur në Kukës më 1 nëntor 1975. Që në vegjëli ka botuar vjersha dhe skica në shtypin e kohës. Në vitin 1991 është paraqitur në një Almanak të krijuesve me 76 poezi dhe me një skicë.

Që prej asaj kohe ka botuar herë pas here brenda dhe jashtë Shqipërisë në shumë media të shkruara. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë konkurse letrare ku edhe është nderuar me çmime.

Është juriste me titull  shkencor “Master i Shkencave Juridike Penale“. Znj. Istrefaj  është  aktiviste e shoqërisë civile për  të drejtat e njeriut me një eksperience 20-vjeçare si drejtuese e Qendrës së Këshillimit të Grave dhe Shërbimeve Sociale. Gjithashtu, është koordinatore e rrjetit “ Barazi në vendimmarje” për Qarkun Kukës.

Në vitin 2009 është nderuar me “Mirënjohje për kontributin e dhënë në komunitet” dhe është përzgjedhur një ndër 10 personat më aktivë në rang kombëtar. Në vitin 2018  është nderuar me “ çmimi jubilar i Skenderbeut për paqen“ nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombetar Shqiptar

Është e martuar dhe është nënë e dy djemve. Punon e jeton në Kukës, ku eshte kryetare e “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve te Shqipërisë” –Dega Kukës

Istrefaj ka botuar librat: “Shiu i fundit”,  “Nënqeshja e ëmbël”,  “Në akuj digjem”, “U jepem udhëve”,  “Qielli i shpirtit tim”, “Vesë shpirti”, si dhe “Lirikat e Pikëllimës”. Flaka

Flaka ua sjellë pesë poezi të përzgjedhura nga libri i fundit me poezi “Gjethnajë shpirti”, të autores Vera Istrefaj 

Ditë të brishta

çdo mbrëmje

i vesh ditët e mia me pritje

Në mëngjes

i vesh me buzëqeshje

se janë ditët e mia

qofshin edhe të trishta.

Janë  të brishta

Flatra shpresës

Plagë e zemrës time

bulon mirësi

Në ritmikë zemre

dridhet dhimbja

Petalet e shpirtit

lulojnë monotonisë

M’i  japin flatra shpreses

humbur njerëzisë

Drithërimë

Dëgjoje vështrimin tim,

mos u huto buzëve

për fjalën në pritje

Qerpikëve

po më driton

një rreze drite

Nuk ka errësirë

në mendjen time

Peng më mbeti zemra

e një drithërime

Frikë

E theve

pasqyrën e shpirtit tim

se nuk e shihje dot veten

Sirtaret e zemrës

Nga e djeshmja

dua të marr

vetëm mendimet e bukura

që s’po i gjej

ku janë të strukura

Sirtaret e zemrës

i kam mbyllur

Tejmbushur janë me dhimbje

Mbeta në kërkim

të qetësisë së shpirtit tim

Shtrat trishtimi

Sonte

hëna ma marrosi gjumin

Qetësinë

ma rrëmbeu mendimi

Më ka mbetur

vetëm shpirti

në shtrat trishtimi

Po më vardiset

një gotë verë

por s’e dua etjen

Zemra

kërkon prehjen

Qerpikëve

po më vallëzon lodhja

Gjumi marrosur

gulçimeve pa sosur

Qetësia

më qesëndis,

shpirtin ma gris

Sa më parë

ardhtë agimi

ta braktis

këtë shtrat trishtimi

Driton Zenku
nga Driton Zenku Tetor 21, 2019 09:22

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA