Pollog, dështoi projekti rajonal për ndërtimin e strehimores për qentë endacak, Bërvenica refuzoi ta japë lokacionin e premtuar

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Maj, 2022 23:55

Pollog, dështoi projekti rajonal për ndërtimin e strehimores për qentë endacak, Bërvenica refuzoi ta japë lokacionin e premtuar

Dështoi projekti disa qindra mijë eurosh për ndërtimin e strehimores rajonale për trajtimin e qenve endacak për komunat e Pollogut, i cili duhej të ndërtohej në territorin e Komunës së Bërvenicës. Arsyeja është se këshilli i kësaj të fundit solli vendim për ndërprerje të procedurave për këtë lokacion i cili ishte caktuar nga udhëheqësia paraprake e të njëjtës komunë. Tërë puna trevjeçare për këtë proces ka “ra në ujë”, ndërkaq plani B është që problemi me qentë endacak të zgjidhet në kuadër të komunave, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët e komunave të Pollogut do vazhdojnë të jenë të pa sigurt në rrugë nga qentë endacak, pasi zgjidhje konkrete për këtë problem nuk ka ende. Ende më shumë e ndërlikon situatën Komuna e Bërvenicës, ku këshilli i saj ka sjellë vendim me të cilin kërkon të ndërpritet procedura e urbanizmit të lokacionit i cili ishte i caktuar për t’u ndërtuar strehimorja rajonale për trajtimin e qenve endacak.

Ky vendim erdhi nga ankesat e banorëve të kësaj komune dhe udhëheqësia e re e kësaj komune e cila mandatin e mori tetorin e kaluar, ndërsa paraprakisht udhëheqsia e kaluar kishte dhënë leje që kjo strehimore të ndërtohet në territorin e kësaj komune.

Drejtori i Qendrës për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut (QZHRP), Fatmir Saiti për Portalb.mk tha se i gjithë procesi tre vjeçar bie poshtë pasi Komuna e Bërvenicës vendosi “bllokadën” për vazhdimin e punimeve kështu duke sjellë vendim për ndërprerjen e punimeve. Siç thotë ai, ankesat e banorëve janë se ky objekt do të jetë i tepërt në territorin e tyre pasi aty ka edhe dy objektet tjera, një transfer stacion grumbullues privat dhe një objekt tjetër.

“Komuna e Bërvenicës ka kërkuar që kjo të ndërpritet pasi që kanë vërejtje nga banorët, nuk do lejojnë të ndërtohet dhe Këshilli i Komunës së Bërvenicës ka sjellë vendim me të cilin kërkon të ndërpritet procedura e urbanizmit të lokacionit”, tha Saiti.

Kryetari i Komunës së Bërvenicës, Jovica Ilievski për Portalb.mk tha se për herë të parë për strehimoren ka dëgjuar në një takim me drejtorin e rajonit planor të Pollogut në fund të vitit 2021 ose në fillim të vitit 2022.

Foto: Jovica Ilievski/FB
Foto: Jovica Ilievski/FB

“Menjëherë u interesova dhe arrita në përfundimin se përveç një emaili të ish-kryetarit, i cili tregonte parcelën kadastrale si lokacion të mundshëm, nuk kishte asnjë dokumentacion për projektin në komunë. Në parim nuk jam kundër strehimores dhe personalisht jam i interesuar për një zgjidhje me qentë endacakë sepse ata janë të pranishëm në Bërvenicë dhe janë veçanërisht të përhapur në Çellopek ku jetoj si dhe përbëjnë një kërcënim serioz për banorët, veçanërisht fëmijët. Meqenëse u informova se kjo është strehimore rajonale për qen endacakë për të gjitha komunat në rajonin e Pollogut dhe pa pasur qasje në projekt apo dokumentacion tjetër, përveç vendndodhjes së treguar të mundshme, kam kërkuar nga komunitetet lokale që janë afër vendndodhjes së mundshme të komentojnë për ndërtimin e mundshëm aty”, tha Ilievski .

Ai shtoi se përveç komuniteteve lokale, edhe këshilli i komunës së Bërvenicës njëzëri e hodhi poshtë idenë për ndërtimin e një strehimoreje rajonale për qentë endacakë në këtë komunë.

“Përveç mendimit të komuniteteve dhe këshillit që për mendimin tim janë më të rëndësishmet, në parcelën e treguar nga 06.12.2021 dhe e regjistruar në listën pronësore më 01.03.2022, patundshmëria është dhënë me qira për 15 vjet nga Ministria e Bujqësisë. Komuna e Bërvenicës nuk ka tokë tjetër shtetërore që është e lirë dhe që fatkeqësisht nuk mund të del në ndihmë dhe jam i bindur se mund të ketë propozime shumë më të mira nga komunat tjera që ky projekt të zbatohet në toka jopjellore dhe larg vendbanimeve”, tha Ilievski.Foto: Goran Jovanovski, sekretar në komunën e BërvenicësFoto: Goran Jovanovski, sekretar në komunën e Bërvenicës

Këshilltari komunal  nga AlternativaAdem Jashari tha se janë kundër ndërtimit të strehimores pasi siç tha ai pas një kohe të caktuar qentë do lëshohen dhe mund të përbëjë problem për atë komunë.

Foto: Adem Jashari/FB
Foto: Adem Jashari/FB

“Kryetari i Kaluar e ka votuar që strehimorja për qentë endacak të rajonit të pollogut të ndërtohet në Stençe. Ne si këshill i ri kemi vendosur që kjo mos të bëhet për arsye se ata do e fitojnë donacionin edhe pas një kohe të caktuar do i lëshojnë ato qentë dhe mund të jetë problem për komunën tonë. Unë jam pro vendimit që kjo strehimore mos të ndërtohet në komunën tonë dhe prandaj në këshill e kemi refuzuar një ndërtim të këtillë dhe kërkojmë që kjo zgjidhje të gjendet në ndonjë komunë tjetër të rajonit të Pollogut”, tha Jashari.

Kryetari i Komunës së Tetovës, njëherë edhe kryetari i Këshillit të Komunave të Rajonit të PollogutBilall Kasami tha se në mbledhjen e fundit të këshillit është diskutuar që të kërkohet lokacion i ri apo të vazhdojë plani paraprak i komunave që kjo çështje të zgjidhet në nivel të komunave.

Bilall Kasami
Bilall Kasami

“Komuna e Bërvenicës me ardhjen e menaxhmentit të ri në krye të Komunës dhe me kërkesë të banorëve nuk pajtohen që lokacioni të jetë në Komunë të Bërvenicës, kështu vendimi i Këshillit të Komunave të Pollogut ishte që të shohin një lokacion të ri. Deri atëherë nuk do të mund të vazhdojë projekti dhe do të shohim që këtë ide ta realizojmë ndoshta me fonde të tjera. Nuk është problemi te forma e realizimit në aspektin urbanistik, është rezistenca e banorëve që lokacioni mos të jetë në Komunë të Bërvenicës. Projekti ka afat kohor dhe nuk mund të realizohet por ne do të vazhdojmë të negociojmë jo vetëm me Komunën e Bëcvenicës por edhe me komunat tjera që të gjejmë një lokacion të përshtatshëm që të aplikojmë në fonde të tjera”, tha Kasami duke shtuar se Komuna e Tetovës e ka planin B që është në realizim e sipër.

Fatmir Saiti, foto: RDC Pollog
Fatmir Saiti, foto: RDC Pollog

Saiti nga QZHRP tha se duhet të gjendet një lokacion të ri, ku këshilli përsëri duhet të sjell një vendim të ri, ligji nuk e përcakton se a duhet të drejtohen në nivel të komunës apo të rajonit.

“Në të kaluarën e kanë vendosur që në nivel të rajonit të menaxhohet dhe prandaj ne i kemi bërë këto dokumentacione. Tani se si do të shkojë, a di vendosin se a do e bëjnë në nivel të rajonit apo do ta bëjnë vetë në nivel të komunave nuk e di. Ka qenë tre vjet i mirë krejt ky proces, nuk ka qenë brenda natës. Për momentin ne duhet të bëjmë një zgjidhje të re, duhet të gjejmë lokacion të ri dhe ta revidojmë dokumentacionin teknik në përputhje me kërkesat e lokacionit. Nëse kemi lokacion të urbanizuar do të shkojë më shpejtë. Kjo është situata me këtë projekt”, tha Saiti.

Ai shtoi se për momentin ka një thirrje aktuale nga Agjencinë për Zhvillim Zvicerane ku ata mund të siguronim deri te 20 milion denarë dhe të bënin edhe disa gjëra tjera me ko-financim nga komunat në një vlerë prej 10 milion denarë të ndërtojmë këtë qendër,  ashtu ka qenë plani vitin e kaluar me disa aktivitete.

Ky projekt është me përkrahje nga ambasada suedeze dhe ka filluar rreth para tre viteve ku implementues është UNDP-ja. Fillimisht është bërë studim i fizibilitetit dhe pastaj është vazhduar me procedurat tjera. Nga Komunat e Pollogut vetëm Bërvenica kishte propozuar dy lokacione për ndërtimin e strehimores, ku u përzgjodh vetëm njëra në bashkëpunim me konsulentët të përzgjedhur nga UNDP-ja, dhe filloi procedura për urbanizim të lokacionit. Projekti sipas llogaritjeve ka kushtuar mbi 500 mijë euro.

Ndryshe, qytetarët do vazhdojnë të jenë të rrezikuar në rrugë deri sa të gjendet zgjidhje për problemin e qenve endacak, qoftë në nivel lokal apo rajonal. Vetëm për këtë vit në rajonin e SPB Tetovë u regjistruan 35 raste për kafshim të qytetarëve nga qentë endacak, ndërsa në vitin 2021 ishin 113 raste.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Maj, 2022 23:55

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare