Premtimet vazhdojnë, ndërtimi i stadiumit të Zajazit askund

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Nëntor, 2021 21:24

Premtimet vazhdojnë, ndërtimi i stadiumit të Zajazit askund

Vazhdojnë premtimet për stadiumi i Zajazit, por në terren nuk është ndërmarrë asgjë.

Abedin Abazi dhuroi tokën që të ndërtohej, ndërsa Xhevdet Dalipi dhuroi tokën që të hapej rrugë deri te stadiumi.

Por siç mund të shihet edhe nga pamjet kjo rrugë është shndërruar në një deponi mbeturinash. Dalipi kishte ardhur nga Amerika për të votuar dhe në ndërkohë vizitoi edhe vendin që kishte falur për të rinjtë e fshatit Zajaz, por ai ngeli pa fjalë nga ajo që pa.

“Unë e kam dhuruar me shumë dëshirë, ndërsa tani për tani e shoh që në vend që të jetë rrugë, stadium, ajo është bërë rrugë me mbeturina, prandaj kam dëshirë të madhe që organet kompetente ta rregullojnë sa më parë, për rininë dhe për popullin sepse po na ikin jashtë shtetit”, tha Xhevdet Dalipi, personi i cili fali tokën.

TV21 në shkurt të këtij viti raportoi për gjendjen e mjerueshme të stadiumit dhe një javë më vonë në Zajaz erdhi zv/drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport Avni Rustemi, bashkë më një inxhinier ndërtimi. Ai tha se stadiumi do të ndërtohet brenda 4 ose 5 muajve.

“Jemi në stadiumin e Zajazit në fshatin Zajaz, TV21 në këtë stadium qëndroi edhe në shkurt të këtij viti dhe më 10 mars pas kronikës së TV21 këtu erdhi për ta vizituar zv/drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport Avni Rustemi i cili premtoi se brenda 4 ose 5 stadiumi do të përfundonte, megjithatë edhe pse kanë kaluar 8 muaj nuk është lëvizur asgjë, ndërsa tani kemi një premtim të ri për stadiumin”, raporton gazetarja Salije Sadiku.

Që atëherë nuk u fol më për këtë stadium. Më 29 shtator dy ditë pas fillimit të fushatës Avni Rrustemi në profilin e tij në facebook dha një premtim tjetër duke thënë se janë ndarë mjetet që kapin vlerën e 130 mijë eurove.

“Agjencia për rini dhe sport, në vazhdën e investimeve kapitale në infrastrukturën e sportit, së shpejti do të fillojë me rindërtimin e fushës për futboll në Zajaz, Kërçovë, me të gjitha kriteret e parapara me standarde në fushën e infrastrukturës së sportit. Oferta më e favorshme në ankand për rindërtimin e fushës së futbollit në Zajaz është paraqitur nga ofertuesi: Kompania për ndërtim, prodhim, tregti dhe shërbime EUROINVEST MEDIU DOOEL fsh. Zajaz, Kërçovë (8,000,000.00 denarë)”, tha Avni Rustemi – zëvendësdrejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport.

Ky stadium dikur ka qenë funksional ku ekipi i Zajazit zhvillonte aktivitete, por sot së pari nuk mund të kalosh rrugën për të arritur deri te stadiumi, sepse e gjitha është e mbushur me mbeturina. TV21 mëson se në vitin 2011 për fazën e parë të rikonstrumimit të këtij stadium janë ndarë mjete nga Agjencia për Rini dhe Sport afër 40 mijë euro dhe tenderin e ka pasur një kompani tjetër nga fshatrat e Zajazit, por si duket përveç një objekti të vogël i cili sot është shkatërruar nuk është bërë asgjë tjetër./TV21

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Nëntor, 2021 21:24