Presidencialet, debat i ashpër mes kandidatëve për gjuhën shqipe

Desk
By Desk 17 Prill, 2019 15:11

Presidencialet, debat i ashpër mes kandidatëve për gjuhën shqipe

Kandidatët për president shtetit me qëndrime të ndryshme sa i përket përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe. Kandidati Blerim Reka, vlerëson se nuk ekziston ligj për gjuhën shqipe, por ekziston ligj për përdorimin e  gjuhëve të cilën e flasin 20 për qind e popullsisë. Sipas tij ligji për shqipen, subjekteve të caktuar politike u ka shërbyer si municion gjatë fushatës elektorale, në cikle të ndryshme zgjedhore.

Nuk ekziston Ligj për gjuhën shqipe, ekziston ligj për përdorimin e  gjuhëve të cilën e flasin 20 për qind e popullsisë.  U bën tri eksperimentime për nevoja elektorale të partisë që i propozonte. Ligji i vitit 2008, i viti 2011 dhe Ligji i vitit 2018. Me këto tre ligje vetëm pjesërisht u avancua përdorimi zyrtar i gjuhës që e flasin 20 për qind e popullsisë, por nuk u zyrtarizua gjuha shqipe- deklaroi kandidati për president, Blerim Reka.

Gordana Siljanovska-Davkova theksoi se edhe përskaj vërejtjeve të saja, gjithnjë, derisa ligji të jetë në fuqi, do ta respektoj dhe zbatoj.

Çdo ligj derisa është në fuqi duhet të respektohet nga të gjithë, përfshi edhe presidentin. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të abrogoj dispozita anti-kushtetuese të atij Ligji. Unë edhe përkundër që kam shumë vërejtje në harmonizimin e disa dispozitave me Kushtetutën por dhe marrëveshjen e Ohrit, gjithnjë deri sa është në fuqi do ta respektoj dhe zbatoj- deklaroi Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate për presidente.

Stevo Pendarovski nga ana tjetër thekson se një ligj i tillë jo vetëm që duhet respektuar dhe zbatuar, por në rast se e kërkon nevoja edhe plotësuar.

Për dallim prej të tjerëve që mendojnë se një ligj i këtillë do ta shkatërroj Maqedoninë …unë mendoj se gjithsecili që i mendon të mirën Republikës së Maqedonisë së Veriut, posaçërisht politikanët kur ta fitojnë besimin e qytetarëve, duhet me patjetër të mbajnë llogari që ligjet e këtilla të implementohen, e në rast se paraqitet nevoja në të ardhmen edhe të plotësohen- tha kandidati për president, Stevo Pendarovski.

Këto komente u bënë gjatë debatit mes kandidatëve për president shteti në Alsat, i cili do të transmetohet sonte me fillim në ora 21:20 minuta.

Desk
By Desk 17 Prill, 2019 15:11