Presidenti Trump: Deri në vitin 2033 SHBA zbarkon njerëz në Mars

Presidenti Trump: Deri në vitin 2033 SHBA zbarkon njerëz në Mars

Nga VOA/

Në 50-vjetorin e uljes së parë të njerëzimit në Hënë, zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, vlerësoi për realizimin e tyre të shkëlqyer tre astronautët amerikanë, të cilët ndihmuan në realizimin e kësaj ngjarjeje historike.

“Ata bënë shumë më tepër se sa të fituan garën hapësinore, ata e bashkuan për një moment të shkurtër, kombin tonë me të gjithë popujt e botës “, tha zoti Pence në ceremoninë me rastin e përvjetorit që u mbajt në Qendrën Hapësinore Kennedy në shtetin jugor të Floridës .

Ai shtoi se “megjithë rreziqet që morën, astronautët nuk e kanë pëlqyer idenë që të quhen heronj. Por në se Neil Armstrong, Buzz Aldrin dhe Mike Collins nuk do të quheshin heronj, atëherë heronjtë nuk ekzistojnë,”- tha zoti Pence, mes duartrokitjeve entuziaste të të pranishmëve.

Më 20 korrik 1969, moduli hënor amerikan i quajtur “Eagle” zbriti në Hënë dhe astronauti Neil Armstrong, i cili u nda nga jeta në vitin 2012, kreu ecjen e parë në sipërfaqen e Hënës.

Zbritja në Hënë ishte një arritje e madhe diplomatike dhe teknologjike e periudhës së Luftës së Ftohtë për Shtetet e Bashkuara. Ish Bashkimi Sovjetik kishte çuar më parë në hapësirë njeriun dhe satelitin e parë.

Presidenti Donald Trump tha në një deklaratë të shtunën se zbritja në hënës ishte një hap i madh për misionet hapësinore në të ardhmen. “Unë e kam udhëzuar Administratën Kombëtare të Hapësirës (NASA) që të dërgojë njeriun dhe gruan e parë në Hënë dhe të marrë hapin e ardhshëm gjigand – duke dërguar amerikanë në Mars”.

Administrata ka nisur planet për t’u kthyer në Hënë deri në vitin 2024 dhe të shkojë në Mars për herë të parë deri në vitin 2033.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Korrik 20, 2019 22:55

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.