Pritjet në kufi, 80 për qind e kohës

Redaksia
By Redaksia 18 Prill, 2019 17:44

Pritjet në kufi, 80 për qind e kohës

Komuniteti i biznesit kërkon përshpejtimin e transportit të mallrave në vendkalimet kufitare të Maqedonisë së veriut me Shqipërinë dhe Serbinë. Nga Oda ekonomike e Maqedonisë bëjnë thirrje që më së fundi deri më një tetor të këtij viti institucionet kompetente të tre shteteve të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale që do të mundësojnë kontroll të vetëm në vendkalimet kufitare Qafë Thanës dhe Tabanoc.

“Si komunitet i biznesit apelojmë që më së fundi deri në fillimin e muajit tetor të nënshkruhen marrëveshje midis institucioneve të Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe Serbisë që të mundësohen kontrolle të përbashkëta në vendkalimet kufitare midis dy vendeve, me qëllim që me më pak resurse të administratës shtetërore dhe me një ndalesë në kufi të kryhen të gjitha formalitetet e nevojshme”, thotë drejtoresha operative e Odës ekonomike të Maqedonisë, Aneta Trajkovska.

Sipas saj, një hap i tillë do të ndihmojë dhe mbështesë edhe rritjen e konkurrencës së prodhimeve që shiten në tregjet e jashtme, për shkak se shkurtimi i kohës që humbet nëpër kufi do të ulë edhe harxhimet e transportit që marrin pjesë me një përqindje të dukshme në koston e një prodhimi.

Një kërkesë e tillë për përshpejtimin e transportit të mallrave në Ballkanin perëndimor është kërkuar nga afaristët edhe në të kaluarën, ndërsa është aktualizuar pas monitorimit të vendkalimeve kufitare Qafë Thanë dhe Tabanoc këtë të hënë, që ka treguar se transportuesit më pak kohë apo nga dy minuta humbin duke kryer kontrollet doganore dhe të Ministrisë së Brendshme, ndërsa më shumë kohë humbin me kontrollet fitosanitare nga tre orë dhe veterinare me nga një ditë në Tabanoc. Problem tjetër për transportuesit është edhe fakti se shërbimet veterinare dhe fitosanitare tek ne punojnë çdo ditë nga pra 7 deri ora 19, ndërsa në Serbinë fqinje nuk punojnë për ditët e vikendit. Gjithashtu në Qafë të Thanës, autoritetet shqiptare nuk kontrollojnë kamionët sipas radhës, por presin që të grumbullohen 5 apo 6 kamionë për të kryer kontrollet përkatëse.

Analizat e ndryshme të Bankës Botërore kanë treguar se transportuesit humbin 80 për qind të kohës së tyre duke pritur në kufi, ndërsa 20 për qind të kohës e humbin në rrugë. Gjithashtu, pritjet e gjata në kufi e zvogëlojnë vlerën e mallit në total për një për qind, ndërsa vetëm vlerën e prodhimeve bujqësore e zvogëlojnë për shtatë për qind.

“Në Ballkanin Perëndimor, kostot e larta të eksportit dhe të importit kanë të bëjnë kryesisht me zbatimin e rregullave kufitare dhe me kohën që kalohet në kufi. Kjo përfshin zhdoganimin dhe kontrollet nga agjencitë kufitare. Përvoja ndërkombëtare tregon se ka përfitime të mëdha nga thjeshtësimi dhe harmonizimi i procedurave dhe kufijve duke siguruar kapacitet të mjaftueshëm për të trajtuar tregtinë.

Kjo e shprehur në shifra nënkupton se numri i kamionëve dhe shoferëve që nevojiten në Ballkanin Perëndimor për shkak të vonesave në kalimet e kufirit është 5 herë më i madh sesa në një vend efikas të BE-së. Çdo vit, kamionët kalojnë 26 milionë orë, që do të thotë pothuajse 3000 vite në pikat e kalimit të kufirit në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi kohë më parë Linda Van Gelder drejtore rajonale e Bankës Botërore.

Sipas saj, shumë pengesa që lidhen me secilin vend mund të eliminohen me lehtësimin e tregtisë. Elementë që mund të sjellin sukses të shpejtë përfshijnë zbatimin e kontrolleve të përbashkëta kufitare dhe një sportel kombëtar të harmonizuar, duke përdorur një sistem Operator të Autorizuar Ekonomik për të reduktuar nevojën për kontrolle doganore dhe zhvillimin e një sistemi për menaxhim të përbashkët të riskut tek dogana. Ndryshe, Banka Botërore vlerëson se kursimet në rajon do të ishin më shumë se 900 milionë euro në vit nëse kostot e logjistikës do të jenë në një linjë me ato të BE-së. (koha.mk)

Redaksia
By Redaksia 18 Prill, 2019 17:44