Projekt Buxheti i vitit 2024, jo premtues për zbutjen e diferencave rajonale

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 30 Nëntor, 2023 21:20

Projekt Buxheti i vitit 2024, jo premtues për zbutjen e diferencave rajonale

Deficiti buxhetor edhe më 2024 është planifikuar të jetë më i ulët nga investimet kapitale në vlerën e 187 milionë euro dhe plotësohet rregulli i artë, nëse merr hua, merrni atë  vetëm për investime. Vërtetë realizmi i investimeve kapitale rritet por ai ngelet në intervalin 70 – 75 për qind dhe  ribalancimet një pjesë e parave për investime publike shkojnë në lëmi tjera

Nga Petrit POLLOZHANI

Projekt Buxheti i vitit 2024, peshon 5.5 miliardë euro , ose rreth 5.8 për qind  më i lartë nga ai vitit 2023, të hyrat janë planifikuar në 5 miliardë euro, ose 10 për qind  më të larta nga ato të vitit aktual. Nga prezantimi i të hyrave dhe të dalave, mund të vërejmë se deficiti buxhetor është gjysmë miliardë euro, me një pjesëmarrje  relative të PBB prej 3.4 për qind. Shprehur në vlerë absolute Projekt buxheti, është më i ulët për 150 milion euro. Inflacioni pritet të jetë 3.4 për qind, rritje  të njejtë do të realizojë dhe PBB. Buxheti duhet të sigurojë zhvillim të përshpejtuar ekonomik, të rrisë standardin e popullsisë, t’u dalë në ndihmë shtresave të goditura dhe t’i ndihmojë bizneset. Buxheti i vitit aktual nuk do të realizojë pritshmërinë e zhvillimit ekonomikë prej 2.9 për qind  .Sipas FMN  norma e rritjes do tê jetë 1.8 për qind   dhe sipas qeverisë ajo mundet të arrin në 2.2 për qind  . Të realizosh një rritje vjetore më të ulët për 1 për qind   i bie që të gjenerosh mbi 130 milionë euro  më pak. Për ekonomitë jo mjaft të zhvilluara siç është ajo e Maqedonisë së Veriut, nevojitet një rritje e qëndrueshme me norma mesatare vjetore prej 5 për qind  , që me këto politika ekonomike pa një strategji të mirëfilltë vështirë se arrihen. Me Projekt buxhetin 2024, do të huazohen rreth 1.3 miliard euro , që i bie se çdo banorë rezident do të ngarkohet me afër 700 euro , shtesë. Vetëm për normat e interesit nga huat e marra do të paguhen 273 milionë euro , që i bie rreth 23 milionë euro në muaj.

Mbi gjysma e parave të arkës shtetërore (52 për qind ), do të konsumohen për transfere sociale, (mbi 2.6 miliardë euro ), krahasuar me vitin aktual ato shënojnë një rritje prej 200 milionë euro. Rritja e transfertave sociale duhet të përmbushë rritjen e pensioneve (11.5 për qind ), rritjen e ndihmave sociale (15.5 për qind  , si dhe rritjen e sigurimeve shëndetësore (8.7 për qind ), planifikuar në bazë të rrogave dhe rritjes së punësimit. Të ardhurat edhe pse rriten, ato akoma janë gati më të ulëtat në rajon, varfëria rritet dhe emigrimet marrin përmasa të paimagjinueshme.

Deficiti buxhetor edhe më 2024 është planifikuar të jetë më i ulët nga investimet kapitale në vlerën e 187 milionë euro dhe plotësohet rregulli i artë, nëse merr hua, merrni atë  vetëm për investime. Vërtetë realizmi i investimeve kapitale rritet por ai ngelet në intervalin 70 – 75 për qind dhe  ribalancimet një pjesë e parave për investime publike shkojnë në lëmi tjera. Për investime kapitale janë planifikuar afër 733 milion euro .Për investime infrastrukturore të Korridorit 8 (Tetovë – Gostivar- Bukojçanë dhe Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë) dhe korridorin 10 (Prilep – Manastir), janë ndarë 245 milionë euro .Siç e dimë, edhe në vitin aktual, dhe në vitet paraprake u ndanë mjete të caktuara financiare për këtë infrastrukturë rrugore,por ato ngelën fare ose pjesërisht të realizuara. Sigurisht se pengesë janë të shumta por korrupsioni institucional, neglizhenca, kapaciteti i pamjaftueshëm profesional dhe mos disponimi  politik janë dominues. Si mundet ndryshe të kuptohet mos realizmi i asnjë projekti të vetëm infrastrukturor në Rajonin Jug – Perendimor. Autostrada Kërçovë – Ohër ka filluar para një dekade dhe sipas informatave të fundit pritet prishja me kontraktorin kinez . Edhe pse janë konsumuar qindra miliona euro , përfundimi i saj nuk duket. Për spitalin e ri në Kërçovë, me Projekt buxhet për vitin e ardhshëm janë ndarë 811. 000 euro, siç ishin ndarë dhe në vitin aktual, (mbi 970.000€), puna e të cilit as që ka filluar, pra kënga e njëjtë si me investimet tjera kapitale. Sipas Projekt Buxhetit 2024, nuk janë planifikuar mjete financiare për ndërtimin e asnjë spitali të ri në viset ku popullata shqiptare është shumicë. Ngelen për t’u dëshiruar spitalet e reja kur dihet fare mirë gjendja e mjerueshme e spitaleve ekzistuese.

Për zhvillimin e barabartë rajonalê në buxhet janë ndarë 8.7 milionë euro, vlerë kjo më e ulë për 1.3 milionë euro , nga viti aktual. Krahasimet midis rajoneve në dekadën e fundit tregojnë për një thellim të diferencave zhvillimore dhe në vend që mjetet të rriten ato tkurren. Nga paratë  e planifikuara 70 për qind  do të ndahen për projektet zhvillimore, 20 për qind për rajone me nevoja speciale dhe 10 për qind  për zhvillimin e fshatrave. Sipas Ligjit për zhvillim të barabartë rajonal, në kreun e katërt, nenin 35, alinea 2, shkruan: për nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal në buxhetin e Maqedonisë së Veriut në vit ndahen mjete financiare prej më së paku 1 për qind  e PBB. Duhet cekur se për zhvillim të barabartë rajonal,për rekonstruim të rrugëve lokale, ndriçim publikë, shtegu  për biçikleta etj, nga Ministria e Pushtetit Lokal, janë ndarë dhe 2.7 milionë euro , që i bie gjithsejtë 11.4 milionë euro, (8.7 + 2.7), që nuk është as 0.1 për qind e PBB. Pjesëmarrja mundet të rritet dhe me mjetet financiare për të gjitha komunat me projektin për rrugë lokale (8 milionë euro ) dhe projektin për ujë dhe kanalizime për komunat ( 3,2 milion euro). Niveli i tillë i investimeve as për së afërmi nuk plotëson, nevojat e rajoneve jo mjaft të zhvilluara(rajoni i Pollogut, Jug – Perëndimor dhe ai Veri – Lindor).

Në shumë vise, ku popullsia shqiptare është shumicë, gjatë verës mungon uji i pijshëm, mungojnë kanalizimet,  deponitë e egra ndotin ajrin dhe dëmtojnë shëndetin. Shembull tipik i ndotjes është dhe Struga, deponia e vendosur në tokë pjellore, afër qytetit, e cila jo vetëm që ndotë banorët por redukton dhe numrin e turistëve. Për nivel transparence në vazhdim prezantojë investimet që planifikohen me Projekt Buxhetin e vitit vijues në Ministrinë e Ambientit jetësor dhe planifikimin hapësinor: rikonstruim i filtër stacionit për ujin e pijshëm, komuna e Berovës, rregullim i sistemit të ujitjes, komuna e Bogdancit, furnizimi me ujë – Kriva Pallanka, ndërtimi i kanalizimit fekal – Sveti Nikole, sanimi dhe përmirësimi i efikasitetit të  Kolektorit në liqenin e Ohrit, ndërtimi i sistemit të furnizimit me ujë- Dellçevë, ndërtimi i rrjetit ujorë – Demir Hisar, ndërtimi i filter stacionit të ujit – Strumicë, instalimi i ujëmatësve – Bogovinë, ndërtimi i sistemit të fekaleve -Kumanovë, ndërtimi i sistemit të kolektorit -Radozhdë në Kalishtë. Rregullim i një pjese të kanalit shpues për komunën e Haraçinës, rregullimi i shtratit të Lumit të Thatë, – Saraj, ndërtimi i filtër stacionit Tearce, instalimi i ujëmatësve në komunën e Bogovinjës, ndërtimi i sistemit të kanalizimit në komunën e Vrapçishtës. Sistem për pastrimin e ujërave të ndotura në qytetin e Shkupit (hua nga BIE dhe BRZH). Realizmi i Projektit: përmirësimi i strukturës ujore në komunat e Maqedonisë së Veriut (hua nga BIE). Realizmi i projektit, Sistemi rajonal për menaxhimin e mbeturinave për gjitha rajonet e Maqedonisë së Veriut. Ngelemi me shpresë se në dy projektet e fundit mbi sistemin e ujërave të pijshëm dhe ai i menaxhimit të mbeturinave do të zgjidhen një pjesë e problemeve të shumta të kësaj natyre, dhe në vendbanimet shqiptare.

Me projekt Buxhetin e vitit vijues, janë ndarë 2.4 milionë euro, për ndërtimin e shkollave fillore, siç janë ndarë dhe vitet tjera, por shumë vendbanimeve shqiptare u mungojnë ato, dhe nuk kanë ku të mbajnë mësim, duke thyer kështu dhe të drejtën elementare kushtetuese. Në Projekt Buxhet madje nuk ceket vendi se ku do të ndërtohen këto shkolla të reja. Janë ndarë dhe 2 milionë euro, për salla sportive për shkollat fillore, por ato shumë pakë ndërtohen në vendbanimet shqiptare. Për bibliotekën e Tetovës me Projekt Buxhet janë ndarë afër 3.2 milionë euro , ngelet të presim sa do të konsumohen dhe sa do të realizohet ky objektiv.

Në Agjencia për aplikimin e gjuhës, e cila përfshin dhe masa për promovimin dhe avancimin e gjuhës që e flasin më së paku 20 për qind  e qytetarëve (gjuha shqipe), janë ndarë rreth 680.000 euro , dhe krahasuar me vitin paraprak ato janë të reduktuara për 16.000  euro. Në kohën kur çdo ditë ka ankesa për moszbatimin e gjuhës shqipe, madje dhe në institucione relevante, mbështetja financiare në vend që të rritet ajo zvogëlohet. Habit fakti se në Inspektoratin i cili kujdeset për përdorimin e gjuhëve u janë ndarë një shumë mospërfillëse prej rreth 281.000 euro. Përdorimin e gjuhëve e kontrollojnë 8 inspektorë, dhe sipas vlerësimit të tyre nevojiten  mbi 30. Pra siç vërehet buxheti i pamjaftueshëm, është arsyeja kryesore e moszbatimit të gjuhës shqipe.

Nê Pylltari janë ndarë 4.2 milionë euro dhe krahasuar me vitin që lamë pas,  paraqet një rritje të lehtë. Por sigurisht se nuk mjafton për të rimëkëmbur dëmet e shkaktuara nga prerja masive e druve. Për Inspektorët e pylltarisë dhe peshkimit janë planifikuar rreth 430.000 euro. Prerja pa kriter dhe korrupsioni i lartë institucional në këtë lëmi, rezulton me një katastrofë të vërtetë në pyjet e komunës së Strugës në vendbanimet shqiptare, riparimi i të cilave vështirë se realizohet me dekada.

Nê lëmin e bujqësisë me Projekt buxhetin e vitit 2024, krahasuar me atë të vitit aktual, shënohet tkurrje të subvencioneve pret rreth 8 milion euro. Zvogëlimi i subvencioneve në këtë lëmi nuk është i arsyeshëm, edhe përkundër mënyrës së re të vlerësimit, bazuar në rendimentin e realizuar. Shpopullimi fillon gjithnjë nga fshati, dhe tkurrja e stimulimeve financiare,  jo që nuk i frenon por i stimulon ato.

Me buxhet duhet të sigurohen kushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Si mundet të realizohet ky objektiv, kur me Projekt buxhetin e vitit vijues për hulumtime shkencore ndahen 2.6 milionë  euro, që paraqet vetëm 0.02 për qind  të PBB, dhe ato janë më të ulëta nga viti aktual, për plotë 1 milion euro. Krahasuar me mesataren e BE ajo është për shumë herë më e ulët.

Projekt buxhet ceket se do të tkurren shpenzimet jo produktive por nga ana tjetër rritet konsumin për mobiljeve për 5 herë (3.1 milionë euro  ; 625.000 euro), dhe ai i makinave për disa herë. Si përfundim, buxheti realizon politikat ekonomike qeveritare për zhvillim të përshpejtuar ekonomik, por shteti duhet të jetë më aktive në rregullat e lojës. Masat për zbutjen e diferencave rajonale patjetër duhet të avancohen sepse ato janë të shëndetshme , jo vetëm për rajonin por dhe për gjithë ekonominë kombëtare.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 30 Nëntor, 2023 21:20

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare