Promovohet abetarja e parë në gjuhën shqipe në Kumanovë

Promovohet abetarja e parë në gjuhën shqipe në Kumanovë

Në nder të ditës së arsimit të gjuhës shqipe, rrjeti i shoqatave joqeveritare “Horizonti”, mbajti mbrëmë në Kumanovë një eveniment kulturor ku për herë të parë pas shumë vitesh, promovoi abetaren e parë në gjuhën shqipe në Kumanovë, të publikuar në gazetën e asaj kohe “Shkupi”.

Përpilues i abetares ka qenë kryeredaktori i kësaj gazete, Jashar Erebara, I cili në atë kohë kishte hapur edhe klubin shqiptar në Kumanovë dhe në kuadër të saj funksiononte edhe mësojtorja e parë në gjuhën shqipe. Abecenë e gjuhës shqipe siç titullohej në origjinal, nga arkivat e shtetit shqiptar e kishte zbuluar dhe publikuar historian, Ardian Limani.
Ardian Limani, historian
“Kur jemi te shkolla shqipe këtu në Kumanovë, në vitin 1909 atdhetari shqiptar, Jashar Erebara themeloi klubin shqiptar të Kumanovës i cili klub do të shndërrohet në vatër të dijes ku pranë tij Erebara hapi shkollën ku nxënësit kumanovar do të mësonin, përveç shkrim leximit edhe dije tjera. Jashar Erebara me qëllim që të përhapte dritën e dijes përpiloi një abetare të cilën e botoi dikur në vitin 1911 si shtojcë në gazetën Shkupi, kryeredaktor I së cilës ishte ai vetë. Në lokalet e këtij klubi dita ditës rritej numri i nxënësve që mësonin shkrim lexim në gjuhën shqipe. Në një dorëshkrim të Jashar Erebarës shkruhej, klubi kishte edhe një shkollë nate, mësonin 60-70 nxënës. Për një kohë të shkurtër mjaft mësuan të lexojnë shqip dhe të shkruajnë shqip”
Projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës, ndërsa para të pranishmëve, ministri Hysni Ismaili, tha se ngjarjet e këtilla dëshmon rëndësinë dhe kontributin e intelektualëve të asaj kohe për kauzën kombëtare shqiptare.
Hysni Ismaili, ministër i Kulturës
“Jam thellë i ngallzyer që në këtë anë, në këtë qytet dhe nga njerëz që kanë jetuar pranë nesh kemi pasur edhe iluminist si Jashar Erebara që edhe në gazetë e fut një abetare. Kjo më ka mahnitur me faktin se cili ka qenë entuziazmi i atij brezi dhe dashuria që ata kanë pasur për kombin, për gjuhën dhe për arsimin shqip. Pedagogët mund të interpretojnë në aspektin shkencor dhe metodik por mua më mjafton fakti që ne kemi pasur intelektual të këtyre përmasave, gjë që e bën Kumanovën tonë jo një periferi shqiptare, por një bërthamë e kulturës shqiptare dhe të arsimit shqip. Zaten kjo është dëshmuar edhe në kohët më të reja”
Rrjeti i shoqatave joqeveritare “Horizonti” është iniciativë e Shoqatës Kulturore Vizioni M për krijimin e Asociacionit të shoqatave joqeveritare që gravitojnë në komunën e Kumanovës me qëllim që bashkëpunimi i deritanishëm dhe veprimi i përbashkët të përforcohen nëpërmjet një memorandumi për marrëveshje dhe bashkëpunim mes shoqatave joqeveritare të cilat do jenë pjesë e këtij asociacioni, gjithnjë duke lënë mundësinë e hapur që listës së subjekteve t’i bashkëngjiten edhe subjekte të tjera joqeveritare. Në këtë Asociacion themeluese dhe bartëse e të cilit është Shoqata kulturore “Vizioni M’’- Kumanovë, marin pjesë edhe, LASH “Naim Frashëri”-Kumanovë-Likovë, Shoqata e Historianëve Shqiptarë –Kumanovë, Klubi i shkrimtarëve “Jehona e Karadakut’’-Kumanovë-Likovë, LGSHM-Lidhja e Gruas Shqiptare në Maqedoni – Kumanovë-Likovë, Shoqata “ILIRIJA”-Kumanovë-Likovë, SHDNJG “Besa 2003”-Kumanovë, Shoqata kulturore “Java Kulturore’’- Kumanovë, “Kryqi i kuq i Maqedonisë’’- Kumanovë, Organizata Humanitare  El hilal – Kumanovë-Likovë dhe Shoqata Kulturore Humanitare “Merhamet”.

Linda Limani
nga Linda Limani 8 Mars, 2020 16:43

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.