Propozimi francez, Kovaçevski: Bazë solide për pozicion shtetëror

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Korrik, 2022 19:12

Propozimi francez, Kovaçevski: Bazë solide për pozicion shtetëror

Qeveria në faqen e saj ka publikuar propozimin zyrtar francez për tejkalimin e mosmarrëveshjes me Sofjen, me të cilën do të nisin negociatat për anëtarësim në BE.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski e vlerësoi këtë propozim si bazë solide për ndërtimin e qëndrimit shtetëror. Ai thotë se propozimi përfshin vërejtjet e autoriteteve në Shkup dhe teksti aktual i Parisit jep, siç tha ai, një pozicion shumë më të favorshëm për ne. Sipas tij, BE-ja e pranon pa mëdyshje gjuhën maqedonase.

“Të gjitha pretendimet e rreme në forma të ndryshme, mendoj se janë fundosur. Në propozimin evropian kemi qëndrime për pranim të qartë të gjuhës maqedonase, si dhe që Protokolli të mos jetë pjesë e kornizës negociuese. Qëndrimi jonë për nisjen e mëtejshme të procesit të negociatave pa kushte dhe mbajtjen e një konference me BE-në, gjithashtu janë pjesë e propozimit”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Kovaçevski sot filloi procesin e gjerë konsultativ të paralajmëruar. Ai ia paraqiti partnerëve të koalicionit propozimin e Francës. Disa nga partitë e koalicionit javën e kaluar, kur doli versioni fillestar jozyrtar i tekstit, theksuan se nuk do ta pranojnë propozimin.

“Ata sot e kanë marrë propozimin, do ta diskutojnë dhe sigurisht do të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët në mbledhjen e ardhshme. Megjithatë, mund t’ju them se fryma e bisedës ishte në nivelin e përgjegjësisë së jashtëzakonshme në momentin në të cilin ndodhet Republika e Maqedonisë së Veriut”, shtoi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Në konferencën për media , Kovaçevski po ashtu tha se në ditët në vijim pret të takohet me liderin e opozitës, Hristijan Mickoski.

Propozimi duhet të diskutohet edhe me presidentin e shtetit, në Kuvend, me opozitën, me ekspertët dhe përfaqësues të sektorit civil./Alsat.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Korrik, 2022 19:12