Protesta në Tetovë kundër pikës së re të grumbullimit të mbeturinave

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 11, 2019 20:01

Protesta në Tetovë kundër pikës së re të grumbullimit të mbeturinave

Banorët e lagjes së re në Tetovë kanë protestuar duke bllokuar kamionët e NPK-Tetovë, që të njëjtit mos të hedhin mbeturinat në pikën e re të ngarkim-shkarkimit. Ata kërkuan që këto mbeturina të largohen nga lagjja e tyre, pasi, siç shprehen banorët, kjo pikë e re e ngarkim-shkarkimit të mbeturinave është caktuar pa pëlqimin e tyre.

Ata kërkuan urgjentisht të largohen mbeturinat nga lagjja, pasi i gjithë investimi që është bërë në këtë lagje është nga vetë banorët.

“Problem kemi këtu, unë dua stallën ta largojnë nga këtu, pasi janë duke u ndërtuar shpija, këta bërllokun na e sjellin. Le t’i dërgojnë diku në kodër, le t’i djegin, le t’i riciklojnë. Do t’i vendos dy kamionët, do të bllokoj rrugën të shoh nga do të kalojnë, unë dua lopët, pulat t’i largoj, pasi njerëzit kanë investuar para, këta tani mbeturinat i sjellin. Begatonët i kanë bërë, pse nuk erdhën të bëjnë rrugën. Ne t’i dërgojë para komunës ne t’i vendos atje”,- tha një banor.

“Kemi frikë nga sëmundjet e ndryshme, pasi kemi fëmijë, jetojmë këtu, kemi investuar, kemi bërë edhe rrugën vetë këtu”,- u shpreh një banor.

“Rrugën e bllokuam se shumë mbeturina tani hedhin këtu, ne jemi me familje dhe duhet të largohen”,- theksoi një banor.

“Arsyeja që protestojmë sot është pasi hedhin mbeturinat këtu. NPK-Tetovë ka marrë një vend me qira këtu dhe të gjitha mbeturinat e qytetit i hedhin këtu dhe kjo na pengon”,- deklaroi një banor.

Nga ana tjetër, drejtori i NPK-Tetovë, Xhela Ceka, thotë se kjo pikë ngarkimi është e përkohshme dhe plotëson kushtet, ndërsa nuk shkaktohet erë e keqe, pasi mbeturinat nuk qëndrojnë më shumë se 7 orë.

“Para një muaji e gjysmë ne kemi pasur stacionin shumë afër qytetit, shumë afër qendrës tregtare dhe nuk kemi pasur erë për arsye se këto mbeturina barten, është stacion transfer, pasi mbeturinat të cilat mblidhen nga qytetarët brenda orës së mëngjesit deri orën 7 të mbrëmjes, pastaj ngarkohen dhe transportohen në dy lokacionet që janë në “Drislla” dhe “Rusino”. Prandaj ju lutem qytetarëve të mos shqetësohen, pasi nuk ka nevojë për shqetësim, erë nuk ka, ne e kemi rregulluar rrugën për arsye se mos të ketë pluhur apo diçka tjetër, kemi roje 24 orë aty”,- tha drejtori i NPK-Tetovë, Xhelal Ceka.

Banorët paralajmëruan se nëse NPK-Tetovë nuk do të ndërmarrë masa për dislokimin e mbeturinave, ata do të vazhdojnë me protestat. (TVM2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 11, 2019 20:01