Protestat e “Jelekëve të Verdhë” ndikojnë negativisht në turizmin e Francës

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 10, 2019 21:18

Protestat e “Jelekëve të Verdhë” ndikojnë negativisht në turizmin e Francës

Sipas të dhënave të publikuara INSEE-së, është shënuar rënie në vizitat e turistëve të huaj, veçanërisht në kryeqytetin e Parisit.

Protestat e “Jelekëve të Verdhë” në Francë, të cilat vazhdojnë prej më shumë se 5 muaj, kanë ndikuar negativisht në turizmin e vendit.

Theksohet se në tre muajt e parë të këtij viti është shënuar një rënie me 2,5 për qind në akomodimin e turistëve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po ashtu theksohet se protestat për periudhën janar, shkurt dhe mars në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë shkaktuar një rënie prej 1,3 për qind në akomodimin në hotele në të gjithë vendin dhe rënie prej 4,6 për qind në rajonin e Ile-de-France, ku brenda ndodhet edhe Parisi. Ndërkohë është bërë e ditur se nuk ka ndonjë rënie në rezervimet e bëra për hotelet me 4 dhe 5 yje në vend.

Ndryshe nga hotelet, theksohet se numri i vizitave në vendpushimet e qendrave të skive larg qendrave të qytetit është rritur me 4,2 për qind.

Ministri francez i ekonomisë, Bruno Le Maire, në muajin shkurt tha se protestat e jelekëve të verdhë kanë ndikuar seriozisht në ekonominë e vendit, ku ngjarjet e përjetuara kanë patur një ndikim negativ në rritjen ekonomike me 0,2 pikë për qind në tremujorin e fundit të vitit të kaluar dhe tremujorin e parë të këtij viti.

Protestat e “Jelekëve të Verdhë” në Francë që filluan vitin e kaluar për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve dhe kushteve të këqija ekonomike, ku dhe më pas u shndërruan në protesta kundër qeverisë së presidentit Emmanuel Macron, vazhdojnë në vend që prej 17 nëntorit 2018.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 10, 2019 21:18