Provimet online, jo zgjidhja më e mirë

Desk
By Desk May 9, 2020 18:06

Provimet online, jo zgjidhja më e mirë

Pandemia globale e virusit korona, ka ndryshuar shumë sfera të të jetuarit dhe tani vlerësohet se jeta më nuk do të jetë e njëjtë siç ka qenë më parë. Njësoj ndodhi edhe me jetën studentor.

Universitetet u mbyllen, konviktet studentore gjithashtu, studentët u rikthyen në qytet dhe vendbanimet e tyre. Pas situatës së krijuar, lindën dyshimet nga studentët se a do të mund që të humbet viti akademik. Por një gjë të tillë e ka mohuar, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, ku ka deklaruar se viti akademik nuk do të digjet, sepse sipas tij, mësimi online ka qenë i suksesshëm dhe është zhvilluar pa pengesa. Në këtë situatë të pazakontë, universitet janë duke planifikuar mbajtjen e provimeve online.

Arif Limani, student i Mjekësisë në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi, për gazetën KOHA, është shprehur se mbajtja e provimeve online nuk është aq ide e mirë. Për arsye se në këtë rast studentët do të kishin mundësi më të madhe fleksibiliteti, të cilën mund ta përdorin për gjëra të palejueshme. Kjo do të sjell një situatë ku do të ketë notim jo të realtë të studentëve, e rrjedhimisht kjo do të ndikojë në uljen e cilësisë së mësimnxënies. Pasi që ngadalë-ngadalë po e mundim luftën me virusin korona, besoj që duhet të hapet mundësia e dhënies së provimeve në formë fizike, si formë më reale dhe kualitative”, shprehet ai. Duke shtuar që normalisht, nëse vendoset për një gjë të tillë do të duhej të respektohen rregullat dhe masat shtesë të ndërmarra paraprakisht nga organet kompetente.

Ndërkohë studenti tjetër nga Universiteti Nënë Tereza, Suat Useini, për gazetën KOHA, thotë se vlerësimi i studentëve në mënyrë online nuk është zgjidhje e duhur dhe efektive.“Shumica e studentëve në universitetet publike janë kundër provimeve online. Ne kërkojmë që në muajin qershor të rikthehemi në bankat e universiteteve për provimet që të jetë në mënyrë më të mirë dhe më efektive për studentët.Gjithashtu duke u respektuar distanca fizike dhe të përdoren mjetet përkatëse për parandalimin e virusit”, shprehet ai dhe shton se ligjëratat online, studentët i vlerësojnë që janë mënyrë më e mirë në këtë kohë të pandemisë dhe ato janë duke u zhvilluar pa ndërprerje. Bekim Fetaji, pro-rektor në për Shkencë dhe Arsim, në Universitetin Nënë Tereza, ka deklaruar për gazetën KOHA, se teknikisht mbajtja e provimeve online për disa drejtime nuk është problem por për disa drejtime mund të kemi edhe probleme. Ai thotë se problemet shfaqen në ato drejtime ku është e domosdoshme puna praktike nga ana e studentëve. “Ne si universitet kemi nënshkruar një memorandum me një platformë suedeze, ku ajo do të na mundësoi realizimin e provimeve online. Duhet të theksohet se kjo platformë funksionon në mënyrë të shkëlqyer dhe vetëm brenda kornizës së kamerës, studenti mund të përgjigjet nëse ai lëviz, e humb të drejtën për mbajtjen e provimet”, thotë Fetaji. Sipas tij, Universiteti Nënë Tereza është duke e pritur vendimin përfundimtar të Qeverisë dhe të ekspertëve, se si do të mbahen provimet. Fetaji, shton se sido që të jetë vendimi i Qeverisë, UNT është e gatshme të organizoj sesionin e provimeve edhe me mbajtjen e distancës së studentëve si dhe në mënyrë online.

Për shkak të ndërprerjes së mësimit nga shkaku i krizës shëndetësore që nga 10 marsi 2020, mësimet dhe ligjëratat janë duke u zhvilluar online. Ndërkaq për parashkollorët dhe filloristët në televizionin shtetëror, është duke u transmetuar edhe TV Klasa. (koha.mk)

Desk
By Desk May 9, 2020 18:06