Pse Xhaferoski nuk vetëizolohet? Drejtori i DMSH po ashtu ishte në Kumanovë

Desk
By Desk April 22, 2020 19:17

Pse Xhaferoski nuk vetëizolohet? Drejtori i DMSH po ashtu ishte në Kumanovë

Të punësuar në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, që duan të mbeten anonim, shprehen të shqetësuar për drejtorin e tyre Adnan Xhaferoski i cili vazhdon të shkojë në punë ndërsa edhe ai më datë 15 ishte në takimin në Shtabin e Krizës në Kumanovë, kryetari i së cilës komunë të nesërmen e takimit doli pozitiv me COVID-19.

Qeveritarët që ishin në këtë takim si Spasovski, Osmani, Filipçe e Ademi tashmë janë në izolim shtëpiak, por jo edhe drejtori i mbrojtjes dhe shpëtimit Xhaferoski. TV21 përmes një telefonate në këtë drejtori, konfirmoi se ai vazhdon të punojë në zyrë dhe nuk është izoluar në shtëpi.

Zyrat e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim:

A mundet direkt të flas me z.Xhaferoski?

DMSH: Direkt jo sepse është i zënë për momentin por të më leni numër telefoni t’ju kërkoj…

A është në zyrë?

DMSH: Është në zyrë, por i zënë për momentin…”.

Për mosizolimin e tij, TV21 përmes telefonit u përpoq ta pyesë edhe Kryetarin e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, Zharko Karaxhoskin, por doktori na e preu shkurt:

Dr.Zharko Karaxhovski, Instituti i Shëndetit Publik: “Nuk mund t’ju përgjigjem në të tilla pyetje! Mirupafshim!”

E kryeministri teknik Oliver Spasovski tha se sipas asaj që ai di, Xhaferoski është testuar dhe ka dalë negativ në COVID-19.

“Në bazë të deklaratës epidemiologjike që i është marrë, nga njëra anë është mbajta e distancës dhe e maskës, ndërsa drejtori ka bërë edhe test për koronavirus dhe ka dalë negativ“, tha Oliver Spasovski, kryeministër teknik.

Nga Drejtori i drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim nuk morëm përgjigje se pse nuk është vetëizoluar. Nga zyra e tij në mëngjes na thanë na kontaktonin më vonë, por nuk na u paraqitën deri në mbylljen e kësaj kronike!

Desk
By Desk April 22, 2020 19:17