Punëdhënësit kërkojnë, ekspertët thonë se ka vend, qeveria nuk ka në plan të heqë dorë nga një pjesë e akcizës së karburanteve. Për momentin, një litër benzinë 95 kushton 77 denarë, nga ky çmim shteti merr 22 denarë vetëm në bazë të akcizës. Po aq kushton akciza për BS 98, ndërsa për naftë 15,5 denarë për litër. Punëdhënësit bëjnë të ditur se ulja e kësaj tarife është një nga kërkesat e tyre ndaj Qeverisë në krizën aktuale, përcjell FLAKA.
Sipas ekspertëve, ka vend për uljen e akcizës. Rritja e çmimeve të karburanteve, por edhe e të gjitha produkteve të tjera, rrit të ardhurat nga TVSH-ja në buxhet. Me propozimin për vitin e ardhshëm vetëm në bazë të TVSH-së, Qeveria planifikoi të mbledhë 130 milionë euro më shumë se këtë vit. Ulja e taksës së akcizës do të ishte kompensim.
Nuk është vetëm akciza që merr shteti nga çdo litër karburant i shitur. Deri në 45% të çmimit total të BS 95 derdhet në buxhet. Për BS 98 shteti tarifon 44,3%, dhe për naftën 38,5%.
Ministri i Financave Besimi para dy ditësh tha se Qeveria nuk planifikon ulje të akcizës dhe në Kuvend është në pritje të ligjit që do të vendosë eko taksën për derivatet prej 3 denarë për litër. FLAKA